Në Shqipëri, është mbyllur procesi i votimit për drejtuesit e 61 bashkive dhe këshillave bashkiakë të vendit. Pjesëmarrja në votime rezultoi e ulët. Deri në orën 18:00, një orë përpara përfundimit zyrtar të votimit, sipas të dhënave kishin votuar 36.4 përqind e zgjedhësve nga 45.5 përqind të rregjistruar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Probleme u vunë re me sistemin e identifikimit elektronik, i cili dështoi në afro 10 përqind të qendrave të votimit, ku më pas u kalua në mënyrën tradicionale. Pritet, sipas deklaratave të bëra paraprakisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që brenda një kohe të shkurtër, të dalë rezultati në bashkitë e Elbasanit, Kamzës dhe Vorës, ku u aplikua votimi dhe numërimi elektronik.
Të dhënat paraprake mbi pjesmarrjen në zgjedhjet e sotme, të ofruara periodikisht nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve, dëshmuan një numër të ulët të atyre që zgjodhën të shkojnë të votojnë, me një diferencë prej gati 9 pikësh përqindje më pak, krahasuar me zgjedhjet parlamentre të vitit 2021, Gjatë ditës, thuajse të gjithë drejtuesit e lartë shtetëror e politik të vendit bënë thirrje për një pjesmarrje sa më masive në votim, duke i kërkuar qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre. Këto thirrje, nga të gjitha krahët, janë intensifikuar, ndërsa ka ngelur edhe pak kohë deri në mbylljen e qendrave të votimit.
Zgjedhjet në Shqipëri, nisin normalisht me një minus të lartë në numrin e votuesve, duke qenë se në lista janë përfshirë dhe emigrantët, të cilët, duke përllogaritur raportin e tyre ndaj popullsisë, përbëjnë më shumë se 30 përqind të zgjedhësve.
Procesi i sotëm, rregjistroi probleme të shumta me funksionimin e pajisjeve të instaluara për identifikimin elektronik të votuesve, në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë dhe Tiranën, ku pajisja nuk funksionoi as në qendrën ku votoi ish kryeministri Sali Berisha.
Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe nënkomisionerja Lealba Pelinku, pasi kishin kaluar më shumë se 2 orë e gjysëm, nga nisja e procesit, u detyruan të urdhëronin që aty ku pajisja nuk funksionon “identifikimi të vijojë me mënyrën tradicionale”. Bëhet fjalë për mbi 500 nga 5.213 qendra votimi në të cilat identifikimi elektronik dështoi.
Megjithatë, sipas deklarimeve të zotit Celibashi pasdite, në “tërësi procesi i votimi ka shkuar normalisht. Mendoj se është tejkaluar problematika e identifikimit elektronik, sepse procesi vijon me mënyrën tradicionale. Mbetet për t’u verifikuar në 502 qendra votimi pse ka ndodhur kjo situatë, dhe jemi duke punuar për këtë. E rëndësishme është që në pjesën tjetër, procesi i identifikimit elektronik, po shkon shumë mirë”.
Nuk kanë munguar gjatë ditës denoncime për apsekte të ndryshme të procesit, që nga votimet familjare të prania e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit, por deri më tani, ato nuk duket të kenë qenë të përmasave që mund të vënë në pikëpyetje integritetin e votimit.
Teknologjia, këtë herë edhe për votimin dhe numërimin elektroni, po zbatohet në tre bashki, Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së procesit. Numërimi në pjesën tjetër të vendit do të realizohet manualisht, në 92 qendra të numërimit të ngritura posaçërisht.
Zgjedhjet për pushtetin vendor po monitorohen nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it, I kryesuar nga ambasadorja Audry Glover e cila sot ndoqi personalisht ecurinë e procesit në disa qendra votimi. Të shpërndarë në të gjithë vendin janë 165 vëzhguesë afatshkurtër, krahas disa dhjetrave të tjerë nga organizata ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja të akredituara në Shqipëri.