Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shkruan mes të tjerash se pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi.
Kreu i VV shton më tej se këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara.
Postimi i plotë:
Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese.
Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. Këto zgjedhje nuk janë të parakohshme por të vonuara. Mirëpo, këto zgjedhje janë referendum. Me 14 shkurt politika e keqe ndodhet para gjyqit popullor.
Punë e arsim, drejtësi e shëndetësi. Kaq duan qytetarët. Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës.
Me 14 shkurt, festën e zemrës e bëjmë edhe kremte të demokracisë.