Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar duke përshëndetur zgjedhjet në Kosovë. Kreu i shtetit shqiptar i cilëson zgjedhjet në Kosovë si shembull të shkëlqyer të funksionimit të demokracisë, ndërsa thotë se rajoni ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira duke ‘thumbuar’ institucionet shqiptare, referuar krizës së thellë politike.
“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë. Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë!” thotë Meta.
Po ashtu Kryeministri Edi Rama uron Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, teksa numërimi i votave është drejt fundit, ndërsa rezultati është bërë i ditur.
Kreu i qeverisë i cilëson këto zgjedhje si të suksesshme, ndërsa uron fillimisht fituesin, Albin Kurtin, si dhe të dytën në renditje, Vjosa Osmanin.
Ndërkohë, Rama nuk lë pas edhe Kadri Veselin i cili pranoi humbjen, që sipas kryeministrit ishte veprim shembullor.
“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare! Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën’, shkruan Rama.
Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka përshëndetur procesin zgjedhor në Kosovë duke uruar fituesit. “Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Urimet më të përzemërta LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren. Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës.
Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cënuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndëkombëtare. Urime Kosovë!” tha Basha.