Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me numrin më të madh të votave të fituara.
Nga 35 për qind të votave të numëruara deri në orën 21:30, LVV-ja ka 47.33 për qind apo mbi 130 mijë vota. Kjo parti, në zgjedhjet e vitit 2019 kishte fituar 26.27 për qind apo 221 mijë vota.
Në vendin e dytë gjendet Partia Demokratike e Kosovës me 18,65 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.82 për qind të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po publikon në ueb-faqen e saj rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura të dielën.
Në këto zgjedhje morën pjesë 47 për qind e votuesve. Të drejtë vote kishin mbi 1.7 milion qytetarë.
Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin në rrugë e sheshe për të festuar, por të festojnë në shtëpitë e tyre, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kjo parti, në këto zgjedhje, kishte kandidat për kryeministër liderin e partisë, Albin Kurtin.
Ndryshe, rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në një konferencë për media, pas përfundimit të procesit të votimit, ka ftuar qytetarët që të mos mblidhen në rrugë për të festuar, por të festojnë në shtëpitë e tyre.
Albulena Haxhiu nga LVV-ja tha se janë duke pritur rezultatet e zgjedhjeve dhe theksoi se fokusi i tyre është i përqendruar në ruajtjen e vullnetit të qytetarëve.
“Kam një masazh falënderimi dhe mirënjohjeje të thellë për qytetarët. Dalja e tyre në zgjedhje ka qenë e kënaqshme për demokracinë tonë. I ftoj qytetarët e Kosovës që festën e tyre dhe festën tonë ta bëjnë secili pranë familjes në shtëpitë tona. Është me rëndësi të mos tubohemi në sheshe dhe rrugë për shkak të pandemisë”, tha Haxhiu.
Ajo tha se janë duke pritur rezultatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe sapo t’i kenë rezultate e para, do të kenë paraqitje para medieve.
“Presim të kemi fitore të madhe dhe do të kemi bashkëpunim të mirë me opozitën në kuvend”, tha Haxhiu.