Përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme në BE, Josep Borrell si edhe Komisionari i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi kanë publikuar një deklaratë për shtyp rreth zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ku ndër të tjera, thërrasin për një formim qeveritar, që duhet të jetë i fokusuar tek vazhdimësia në përmbushjen e reformave, sidomos për Shtetin Ligjor.
Në këtë deklaratë gjithashtu përsëritet thirrja për një dialog politik konstruktiv dhe përfshirës nga të gjithë palët.
Deklarata e plotë:
Të Dielën, populli shqiptar ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar. Ne përgëzojmë të gjithë ata që kontribuan pavarësisht COVID-19.
Zgjedhjet u mbajtën duke zbatuar një kornizë të re zgjedhore, të miratuar në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.
Sipas konkluzioneve paraprake të misionit të vëzhgimit të OSBE / ODIHR zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara nga administrata zgjedhore, ndërsa fushata ishte gjithëpërfshirëse.
Palët e interesuara kishin besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë dhe një Komision Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbikëqyri procesin zgjedhor në mënyrë transparente.
Vëzhguesit kanë raportuar shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve ose funksioneve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë palëve të përfshira në numërimin e votive të veprojnë në përputhje me procedurat e vendosura.
Të gjitha forcat politike tani duhet të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit, si rezultat i këtyre zgjedhjeve.
Kjo përfshin përgjegjësinë për të respektuar parimin demokratik të rezultatit të zgjedhjeve.
Çdo parregullsi e pretenduar duhet të jetë në focustë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës.
Ashtu si me proceset e vëzhgimit diplomatik në ditën e zgjedhjeve nga Delegacioni i BE-së dhe përfaqësuesit e Shteteve Anëtare, BE do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet elektorale deri në çertifikimin përfundimtar të rezultateve.
Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë drejt Bashkimit Europian, duke treguar këmbëngulje në ndjekjen e reformave të vështira në interes të popullit shqiptar.
Periudha e tranzicionit deri në përurimin e parlamentit dhe qeverisë së re nuk duhet të pengojë përpjekjet e vazhdueshme për të zbatuar reformat e nevojshme.
Ne dëshirojmë që vendi të hyjë në fazën tjetër të procesit, me Konferencën e parë Ndërqeveritare për fillimin e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.
Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e axhendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht mbi Sundimin e Ligjit.
Ne bëjmë thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët.
/argumentum.al