Sezoni i ri politik dhe sezoni i fundit i këtij mandati për qeverinë Socialiste ka filluar në Elbasan. Grupi parlamentar i PS u mblodh sot për rreth 90 minuta ku kreu i kësaj partie, Edi Rama u ka përcaktuar detyrat deputetëve të tij në prag të zgjedhjeve të 2021.
Teksa ka bërë krahasimin me opozitën tha se shqiptarët e dinë shumë mirë se nuk kanë asnjë alternativë më të mirë se ai.
Ai ndër të tjera tha se nëse do të votohej këtë të dielë PS do t’i fitonte zgjedhjet, por kjo sipas tij nuk mjafton:
‘’Nuk dyshoj se nëse do të votohej këtë të dielë do të fitonim zgjedhjet. Por s’besoj se do fitonim të gjitha zemrat e atyre që na kanë votuar, apo s’na kanë votuar dhe as do e votojnë atë forcë apo grup forcash që na kanë përballë.
Këtë të dielë do merrnim më pak vota se sa meritojmë. Kurse ata do merrnin më pak se 3 vite më parë. Populli pret shumë më shumë nga ne, dhe asgjë nga ata. Dhe kanë të drejtë‘’- shtoi Rama.
Drejtuesi politik i qarkut Durrës, Vangjush Dako, është larguar nga ky post dhe qarku në fjalë do të drejtohet nga vetë Rama.
Safet Gjici do të drejtojë qarkun Kukës, ndërsa Ilir Beqaj atë të Shkodrës.
Tirana do të ndahet mes Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Ervin Bushatit.
Në Lezhë PS do të drejtohet nga Lindita Nikolla.
Emrat si më poshtë:
Kukës – Safet Gjici
Shkodër – Ilir Beqaj
Lezhë – Lindita Nikolla
Tiranë, Erjon Veliaj, Elisa Spiropali / Ervin Bushati
Durrës – Përkohësisht Edi Rama.
Dibër – Olta Xhaçka
Elbasan- Taulant Balla
Korçë – Niko Peleshi
Fier – Gramoz Ruçi
Vlorë – Damian Gjiknuri
Gjirokastër – Bledi Çuçi
Kryeminsitri Rama paralajmeroi se, nuk do të firmosë asnjë emër nga kandidatët për deputetë, nëse nuk japin gjithçka për filozofinë, që përfaqëson PS-ja në elektorat.
“Deputetë jemi në sallën e Kuvendit, ndërsa jashtë saj nga sot, ne jemi kandidatë për deputetë, që duhet të fitojmë vendin në skuadër çdo ditë, pa pushim dhe nëse unë personalisht për shkak të detyrës, do të duhet të firmosë në fund formacionin që do dalë në fushë, le ta dëgjojnë të gjithë ata që na ndjekin se kush nuk do të japë jo thjesht gjithçka ka, nuk mjafton, por gjithçka duhet për t’u futur në formacion, nuk do të jetë në formacion. Askush tjetër përveç PS, nuk e çon Shqipërinë dot përpara dhe PS është i vetmi emër që nuk vihet dot në diskutim. Emrat e tjerë, duke filluar nga unë i pari, shkojnë e vijnë.”, tha Rama.
Sa i përket Asamblesë, PS ka vendosur që ajo të mblidhet në 4 shtator.