Ndërsa jemi 30 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, opozita shqiptare ka hapur zyrtarisht fushatën e saj elektorale. Koalicioni “Shqipëria Madhështore”, i cili rikthehet në këtë garë pas 12 vitesh në opozitë, zgjodhi Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë për të nisur rrugëtimin elektoral drejt zgjedhjeve të 11 majit.
Përballur me sfida të shumta, jo vetëm brenda strukturave të partisë por edhe në përplasjet parlamentare, opozita duket e vendosur për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të synuar një rotacion politik në pushtet.
Në hyrje të bulevardit që të çon drejt podiumi për prezantimin e kandidatëve për deputetë të opozitës janë vendosur 11-të 1-sha që simbolizojnë edhe numrin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbërriti në sheshin “Nënë Tereza” krah drejtuesit të fushatës Chris LaCivita, të cilët u pritën me brohorima nga mbështetësit që mbanin flamujt shqiptarë, të SHBA-së dhe të BE-së.
Takimi elektoral nisi me prezantimin e të gjithë kandidatëve për 12 qarqet e vendit dhe vijoi me fjalën hapëse nga anëtari i FRPDSH, Oresti Berberi i cili u shpreh se “Partia Demokratike nuk është thjesht një logo, një seli, një emër – ajo është zemra e shqiptarëve të lirë. Ajo është forca e njerëzve që nuk u shitën, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan. Është forca e rinisë që nuk trembet kurrë”.
“Ne u goditëm, por ne u ringritëm! U bashkuam, më të fortë, më të vendosur dhe më të pastër se kurrë më parë. Ne jemi njishat. Dhe si të tillë, nuk pyesim kë kemi përballë – do të rrëzojmë çdo hienë. Më 11 maj ne fitojmë për të gjithë ata që duan të jetojnë në këtë vend me dinjitet”, u shpreh ai.

Fjalë mbajti edhe një fermer nga Lushnja, Komi Furrxhi, i cili tha se “Sali Berisha i ka marrë kërkesat tona dhe i ka futur në programin e Partisë Demokratike, dhe unë dua ta falënderoj për këtë. Për Sali Berishën thuhen shumë gjëra. Disa të vërteta e disa jo. Por ajo që është gjithmonë e sigurt është se Sali Berisha po e tha fjalën, e mban. Unë i besoj programit të PD dhe fjalës së Sali Berishës. I besoj markës Made in Albania, sepse e di që kjo është e mundur. Qeveria në fuqi nuk e ka përparësi fermerin, nuk e do fshatarin e thjeshtë. Është e dhënë pas kullave, jo pas serrave”.
Ai tha se “unë kërkoj që shteti të më trajtojë si investitor, sepse unë investoj gjithçka që kam – djersën, kohën, kursimet e mia dhe të familjes. Kam dëgjuar që Sali Berisha thotë: “Fermeri është investitori strategjik i Shqipërisë”. E shoh që më në fund dikush po na dëgjon. Nafta pa taksa, TVSH zero për bujqësinë, subvencione për çdo fermer, ndihmë për të shitur prodhimet tona – këto nuk janë luks”.
Ndërkohë një tjetër folëse, Artjola Tabaku u shpreh se çmimet e apartamenteve në Tiranë u dyfishuan në vetëm 5 vite.
“Jam Artjola Tabaku dhe prej vitesh jetoj me qira! Jo se është turp të jetosh me qira – aspak! Është nder, sepse ia dalim vetë, me djersë dhe mund! Punojmë nga mëngjesi deri në darkë”, tha Tabaku.
“Planet i kishim që të kursenim disa vite për të mbledhur 20% të shumës së një apartamenti modest dhe pjesën tjetër ta merrnim me kredi në bankë. Mendonim se do ia dilnim. Por jo! Çmimi i një apartamenti modest gati u dyfishua në vetëm 5 vite!”, tha ajo.
Sipas Tabakut, “apartamente ka më shumë se kurrë! Por, popullatë – më pak se kurrë!”.
“Por familjen time të vogël e detyron të shohë drejt emigrimit. Me qira këtu, por pa shkolla dhe spitale. Me qira në Gjermani – por me shkolla dhe spitale! Kur dëgjova programin “Një çati për çdo çift”, mendova: “Ndoshta këtij rrethi vicioz do t’i vijë fundi!” Çdo çift i ri ka nevojë për mbështetjen e një kredie 30.000 euro me 0 interes që të arrijë të mbulojë 20% të shumës së një apartamenti. Unë me partnerin tim kemi nevojë!”, tha Tabaku gjatë fjalës së saj.
Më tej, mësuesja Alketa Lugaj u shpreh se “suksesi i nxënësve mbështetet kryesisht në ndihmën prindërore dhe kurset private, jo në cilësinë e shkollave publike”.
“Një nga arsyet e përkeqësimit të arsimit është politizimi i skajshëm. Drejtuesit e shkollave janë kthyer në komisarë politikë, patronazhistë që qëllim kryesor kanë shantazhimin e mësuesve për të siguruar vota dhe për të mbushur sallat me mësues e nxënës në takime politike”, tha Lugaj.
Ajo tha se “programi i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës mishëron idealet e një arsimi modern dhe të drejtë. Me vizion, ambicie dhe dhembshuri kombëtare, paketa për arsimin është dëshmi se për shpresën duhen dije. Për shpresën duhet pasion. Për shpresën duhet dhembshuri. Buxheti për arsimin do të shkojë në 5% të PBB. Paga mesatare e mësuesit: 1300 euro/muaj. Paga minimale e pedagogut: 2000 euro/muaj. Shkolla 9-vjeçare pa klasa kolektive. Mbështetje sociale për familjet. Bursa për shpenzimet e jetesës. Shqipëria fillon nga dhembshuria. Askush më shumë se mësuesit nuk e mishëron atë. Pa të, nuk rrisim breza të së ardhmes. Me të, bëhet Shqipëria madhështore. Me dije, me dinjitet, me shpresë!”.
Ndërsa drejtuesi i fushatës së Partisë Demokratike Chris LaCivita, tha se shqiptarët duhet të votojnë PD për ta bërë Shqipërinë madhështore sërish.

“Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë”, tha LaCivita.
“Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme? Votoni për dr. Berishën. Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë”, tha LaCivita.
Berisha: Nisim betejën e fitores për Shqipërinë Madhështore
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit nga sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet, u shpreh se “sonte nisim betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri”.
Berisha u shpreh se “sot mblidhemi me një betim solem para Shqipërisë për ta nxjerrë atë nga kthetrat e këtij regjimi”.
“Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste”, theksoi ai.
Sipas tij, “në këto 12 vite janë fshirë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë”.
“Ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë. Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi. Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura”, theksoi ai.
Berisha më tej shtoi se “sot, një në dy familje nuk ka një fëmijë në vatrën e vet, por e ka në rrugët e botës. Sot 700 mijë pensionistë qajnë pothuajse çdo ditë me lot të ftohtë mjerimi. Sot mijëra e mijëra të sëmurë nuk marrin ilaçet dhe mbështeten në mëshirën e sëmundjes në shtratin e spitaleve tona. Sot, qindra mijëra familje shqiptare nuk marrin drejtësi. Sot qindra mijëra biznese falimentojnë njëra pas tjetrës, qindra mijëra vende pune shkatërrohen nga narkoeurot e trafikantëve të Edi Ramës. Sot sirenat për të ndryshuar Shqipërinë bien në të katër anët e dheut. Sot Shqipëria pret me padurim ndryshimin, projektin më të bukur që ka njohur në histori, projektin e Shqipërisë Madhështore”.
Berisha tha se PD është parti që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO dhe nxori Shqipërinë nga terri dhe errësira.
“Është partia që çau malet dhe bashkoi kombin me Rrugën e Kombit. Është partia që dyfishoi rrogat dhe pensionet dhe e nxori Shqipërinë nga humnera e varfërisë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Kjo parti është partia që liberalizoi vizat e shqiptarëve, suksesin e tyre të jetës, i nxori nga izolimi evropian. Kjo parti është partia e projekteve më të mëdha, më të mëdha në historinë e Shqipërisë, por edhe në rajon edhe më gjerë, si TAP dhe Kaskada e Devollit”, u shpreh Berisha.
Më tej, kreu i PD tha se “kjo parti ka paraqitur një program në të cilin jo më vetëm vepra të caktuara, por Shqipëria e tërë do jetë madhështore”.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Ne mblidhemi sonte me një betim solemn para Shqipërisë për ta nxjerrë atë nga kthetrat e këtij regjimi
Të dashur demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, qytetare dhe qytetarë të Tiranës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju burrave dhe grave fisnikë, njerëz të mrekullueshëm që e keni bërë sot këtë shesh më të bukurin e Shqipërisë, më të bukurin në Europë.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta kandidatëve të Aleancës së Shqipërisë Madhështore, të rinjtë, të reja, burra dhe gra, krenaria jonë, krenari për kombin.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta zotit Chris LaCivita, kryetari i Komitetit të Partisë Republikane, bashkëarkitektit të rikthimit më të madh, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në historinë e njerëzimit, rikthimit të presidentit Donald Trump.
Në jetën time kam mbajtur shumë fjalime, por sonte jam më i emocionuar se asnjëherë kur ju shoh ju, njerëz të lirë, burra dhe gra fisnikë, që i keni dhënë sot këtij sheshi energjinë dhe entuziazmin e fitores sonë.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e shpirtit tuaj.
Është Shqipëria e dashurisë tuaj për të.
E dashurisë për familjen.
E atdhetarisë tuaj.
E idealeve të lirisë.
Miq, imagjinoni për një moment krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë.
Imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrbjen, Ilir Beqajn, por ka në krah edhe McGonigalin.
E shumë e presin.
Edi Rama, sonte e ke të vështirë natën.
Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore.
Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri.
Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë.
Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste.
Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë.
Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare.
Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur.
Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju.
Ja ku jemi sot, të bashkuar si asnjëherë.
Ja ku jemi sot, të ngritur si Feniksi nga hiri në zenit për të shkuar drejt fitores.
Miqtë e mi, ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë.
Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi.
Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura.
/Argumentum.al