Kryetari i Partisë së Lirisë ilir Meta, në një intervistë televizive mbrëmjen e së shtunës tha se, Partia e Lirisë është për bashkimin e gjithë opozitës në zgjedhjet vendore.
“Nuk kemi nevojë për marrëveshje me PD-në, ne në asnjë rast nuk do nxjerrim një kandidat ku do të ketë kandidat PD, ne do mbështesim ata që do zgjedhë PD, nëse do kemi kandidat të caktuar në ndonjë bashki, ekziston dhe mirëkuptimi me degët e PD, këtë çështje do ta bisedojmë por do jenë raste të pakta sepse prioritet është rikthim i fuqishëm i PL në këshillat e bashkive dhe për këtë jemi të angazhuar totalisht”, deklaroi Meta.
Meta tha se, “nuk kam pasur e nuk kam besim tek zgjedhjet se kemi qenë e jemi në kushtet e një regjimi mafioz, Por edhe Millosheviçi iku me zgjedhje e protesta, zgjedhjet janë një betejë që nuk mund tu ikësh. Nuk mund të presim zgjedhje daneze në Shqipëri. Zgjedhjet do të bëhen në këto kushte”.
“Opozita do të luftojë deri në fund me çdo mjet e përballje se nëse e lëmë këtë fushë Rama nuk skuqet nga turpi se i vjedh e i merr me kërpëratat e [pushtet lokal. Zgjedhjet janë të pashmangshme dhe edhe nëse bojkotohen nga të gjithë partitë e tjera PL do të marrë pjesë. Nëse preket vota do ketë protesta”, u shpreh Meta.
Ai foli mes të tjerash edhe mbi protestat e pedagogëve për rritjen e pagave.
“Qeveria bën propozime qesharake që një pjesë e shtesës të plotësohet nga kontributet e studentëve, të cilët nga ana tjetër kërkojnë mbështetje. Ndjeshmëria është zero. Një njeri i papërgjegjshëm që nuk ka pasur problem shpopullimin madje preferon të ikin shqiptarët e të vijnë bangladeshasit, tashmë fajëson Europën që po na merr qytetarët se paga më të larta”, tha Meta.
Lidhur me lajmin se Prokuroria nuk nisi hetimet për Autoritetin e Dosjeve pas kallëzimit të bërë prej tij Meta tha se, nuk ka asnjë informacion të tillë se prokuroria nuk ka regjistruar një kallëzim të tillë.
“Avokati im, e shikon të pamundur nga ana proceduriale një gjë të tillë. Por jemi në kushtet e një drejtësie të marrë peng e nuk presim ndonjë gjë të madhe, por çështja do të konsumohet në të gjitha fazat, dhe në çdo rast do shkojë në gjykatën europiane, sepse është një falsifikim e manipulim i një autoriteti që ka për detyrë të respektojë ligjin. Çfarë do të bëjë Rama dhe ata që kanë orkestruar këtë falsifikim ordiner, ajo do shkojë në gjykatë europiane dhe do të ketë një vendim”, deklaroi ai.
Meta u shpreh se vendimi i Ramës për tërheqjen nga rritja e çmimit të energjisë, ishte meritë e opozitës e cila çmontoi mashtrimin e tij se rritja do bëhej për arsye të krizës në Ukrainë, Mongoli, etj.
“Kur do të fusë dorën në xhepat e shqiptarëve e gjen një krizë diku, por kjo nuk ka lidhje aspak, ka të bëjë me vjedhjet e bëra në OSHE, mbi 1milionë e ca euro që kanë qenë investim për uljet e humbjeve në sistem, një dështim i tërë, një falimentim, sot debitorët më të mëdhenj të OSHE është qeveria, në vend të paguajnë energjinë bëjnë shpenzime për çlodhje se lodhen shumë duke bërë tendera korruptivë. E ndjeu reagimin dhe do përpiqet përsëri ta bëjë në një moment të dytë”, theksoi Meta.
Ai tha se, paketa e ndihmës, është absurde, qesharake. 90% e përfitimit që vjen për shkak të rritjes së çmimit, e kalon për oligarkët, kalon për vete. Paketa e ndihmës është fare qesharake, me një kile vaj në muaj, apo rritje pensioni me dy kile vaj në muaj, është vetëm për propagandë.