Intervistë me Genti Beqiri, konsulent dhe ish-drejtor ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)
Rritja e pranisë hungareze në sektorët strategjikë ngushton hapësirat për investitorët nga vendet e Europës Perëndimore.
Genti Beqiri, ish-drejtor i Agjencisë Shqiptare të Investimeve (AIDA) thotë për “Monitor” se forcimi i marrëdhënieve politike dhe ekonomike me shtete si Turqia apo Hungaria, që kanë marrëdhënie problematike me boshtin tradicional të Bashkimit Europian, mund të interpretohet si një tentativë për të luajtur një lojë të dyfishtë.
Ai mendon se vështirësia për të tërhequr investitorë strategjikë nga vendet e Europës Perëndimore është një element që do të ndikojë në negativisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Megjithatë, ai shprehet se hapësirat për një zgjerim të mëtejshëm të investimeve hungareze janë të kufizuara, edhe për faktin se ky vend nuk shquhet për një traditë të madhe industriale që mund ta zgjerojë jashtë kufijve të vet.
Çfarë domethënie ka rritja e investimeve hungareze në sektorët strategjikë?
Prej vitesh, qeveria hungareze ka shfaqur interes të lartë për të mbështetur investimet jashtë vendit. Që në kohën kur kam qenë tek AIDA, ata kanë pasur një zyrë ekonomike relativisht aktive në Ambasadën e Tiranës.
Kishin një staf të madh, krahasuar me ambasadat e tjera të atij niveli, bënte dallim. Nga ana tjetër, bankat e zhvillimit, si “Exim Bank”, por edhe fondet e bankave të investimeve kineze ishin mjaft aktive në marrëdhënie me Hungarinë.
Po flasim për një periudhë para 5-6 vitesh, por frytet e kësaj pune po duken gjithnjë e më shumë gjatë këtyre viteve të fundit. Në sfond, është e qartë se Orban, që të bëhet popullor dhe të forcojë pushtetin, i luan të gjithë gurët për politika investimesh.
Nuk është e lehtë të jesh në vijën ndarëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe të kesh probleme me Brukselin. Këtu hyn strategjia e tyre për të luajtur me disa porta dhe unë jam i sigurt që ata kanë edhe një lloj nxitje nga Rusia në këtë kuptim. Është në interesin e Rusisë që Bashkimi Europian të jetë sa më i dobët dhe i përçarë.
Kanalet financiare të lidhura me politikën janë aktive. Hungaria dhe Austria kanë qenë tradicionalisht kanale të lëvizjes së kapitaleve mes Lindjes dhe Perëndimit dhe kanë treguar gjithmonë një lloj elasticiteti dhe e kanë mbyllur njërin sy për lëvizjet e kapitalit nga fondet me origjinë të dyshimtë.
“Wizz Air”, bankat, telekomunikacionet janë aktive, kanë mbështetjen e qeverisë, kanë financime dhe është normale që tentojnë tregje të reja. Në nivel politik, duket se ka pasur kontakte të vazhdueshme dypalëshe, vizita të ministrave. Ata kanë gjetur kanalet e investimit privat, por nuk mendoj se një orientim i tillë është shumë në interes të Shqipërisë.
Mendoni se ka një strategji politike pas këtij ekspansioni?
Pa diskutim. Në Hungari, qeveris një forcë konservatore, nacionaliste, e cila e sheh zgjerimin ekonomik si një instrument të politikave të veta. Për shembull, shpërthimi i “Wizz Air” në tregun e aviacionit është i vështirë të shpjegohet vetëm me aftësinë sipërmarrëse, aty ka një mbështetje politike.
Mendoni se për Shqipërinë është një gjë e mirë një prani kaq e gjerë hungareze në sektorë strategjikë?
Në një analizë ekonomike, çdo investim i ri është një gjë e mirë, që sjell përfitime për ekonominë. Megjithatë, duke parë perspektivën dhe aspiratën tonë europiane, mendoj se do të ishte në interesin e Shqipërisë të kishte më shumë investime nga vendet e Europës Perëndimore, sepse për të hapur dyert politike duhet të kalosh nga kanalet ekonomike.
Për këtë arsye, e shoh me një lloj rezerve një prani kaq të gjerë të Hungarisë në sektorët strategjikë. Rritja e peshës së Hungarisë ngushton hapësirat për investimet nga vendet që përbëjnë bërthamën e BE-së. Ky është sigurisht është një problem yni. Edhe për shkak se jemi një ekonomi e vogël, por edhe për shkak të problemeve të mëdha me shtetin ligjor dhe korrupsionin, nuk kemi arritur të tërheqim shumë investime strategjike nga vendet e Europës Perëndimore.
Mendoni se qeveria shqiptare po luan me dy porta me BE-në tradicionale, duke forcuar marrëdhënie me shtete si Turqia apo Hungaria?
Karakteristikat e qeverisjes së këtyre dy shteteve janë të ngjashme. Sigurisht që mund të lexohet edhe kështu. Nëse këto transaksione do të miratohen përfundimisht, do të thotë se ka një mbështetje ose konsensus politik. Rritja e pranisë hungareze në sektorët strategjikë na vendos disi në sferën e ndërmjetme të influencës mes BE-së dhe Lindjes.
Deri në fund të Luftës së Ftohtë, kishim një ndarje të qartë mes Lindjes dhe Perëndimit. Tani, pozicionimet dhe aleancat janë më shumë ekonomike. Kjo shpjegon se shumica e investimeve të mëdha vijnë nga kanalet politike.
Mund të ketë sektorë të tjerë ku ekzistojnë potenciale për rritjen e investimeve hungareze?
Kam vërejtur se ka një lloj lëvizje në industrinë e lehtë të llojit fason, që po zbret nga vendet e Europës Qendrore tek rajoni ynë. Në fakt, vetë Hungaria nuk është ndonjë vend që ka traditë të madhe të industrializimit. Industria mbështetet kryesisht në sektorin automotiv, në asemblimin e produkteve elektroshtëpiake të kompanive të Europës Perëndimore.
Këta sektorë mund të kenë një lloj interesi për të ardhur në vende si Shqipëria. Por, sigurisht këtu shoh shumë sfida, sepse Shqipëria po vuan nga mungesa e krahut të punës. Rënia e ofertës në tregun e punës do të shkaktojë edhe rritje të kostos së punës, duke e bërë më të vështirë zgjerimin e sektorit fason. Mund të hamendësoj edhe ndonjë afrim në sektorin e turizmit, duke qenë se Hungaria tani duket se ka para, qoftë nga kanalet qeveritare, apo nga ato të Lindjes.
Përtej aktiviteteve të mësipërme dhe disa kompani të shërbimeve që po zgjerohen edhe në Shqipëri, Hungaria nuk shquhet për ndonjë gjë tjetër, nuk ka ndonjë industri të rëndësishme autoktone. Nga ana tjetër, edhe tregu shqiptar nuk ofron kaq shumë alternativa për investitorët e huaj.
Ndaj, besoj se investimet hungareze të paktën për një afat të shkurtër, do të ngelen këto që janë. Më tej, në varësi të ecurisë së kompanive që po hyjnë, mund të ketë zhvillime të mëtejshme./Monitor