Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga Brukseli, por u shpreh i shqetësuar me zvarritjen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Qendra për Politika Evropiane, me temën “Bisedimet Beograd-Prishtinë: A po kthehemi në rrugën e duhur?”.
Escobar tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin Ballkanin Perëndimor pjesë të Bashkimit Evropian.
“Ne do të mbështesim përpjekjet e Bashkimit Evropian për të sjellë Serbinë dhe Kosovën më afër bllokut dhe të punojmë me BE-në për të integruar pjesën tjetër të rajonit”. Kjo, tha ai, përshinë edhe sinjale të fuqishme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë zgjidhjen e mospajtimeve të Shkupit me Bullgarinë. Ai tha se kjo çështje duhet të zgjidhet menjëherë.
Escobar u shpreh i shqetësuar me ngecjet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Jam i shqetësuar më mungesën e besimit të publikut ndaj mesazhit se zgjerimi është i mundur. Jam i shqetësuar me mungesën e mesazhit të fortë nga Bashkimi Evropian”, tha ai.
Escobar tha se rajoni nuk duhet të jetë i përcaktuar vetëm nga çështjet politike.
“Qëllimi nuk është vetëm njohja e ndërsjellë, por edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Pikë”, tha Escobar, i cili vuri theksin tek Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila është nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.