Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjodhën dhe pikëzuan 15 më të mirët e atyre që do të jenë pjesë e SPAK.
Mes tyre tre vendet e para i zunë Altin Dumani kryeprokuror i Apelit për Krimet e Rënda, zoti Anton Martini prokuror i Krimeve të Rënda dhe zonja Elisabeta Imeraj kryeprokurore e Tiranës.
Mes të pikëzuarve spikasin emra prokurorësh që kanë qenë pjesë e njësive task force në hetimin e korrupsionit në vite. Miratimi i kësaj liste tashmë do të thotë se do të pritet vettingu për shumicën prej tyre.
“Miratimin i kësaj liste nga KLP nuk e krijon automatikisht Prokurorinë e Posaçme vetëm kur kandidatët tanë shpresojnë t’i kalojnë të dyja shkallët e vettingut ne do të jemi në gjendje t’i emërojmë ata, t’i ngremë në përgjegjësi në detyrë, secilin prej tyre në Prokurorinë e Posaçme”, tha Gent Ibrahimi.
“Të kalojnë me sukses procesin e vettingut, t’i rikthejnë nderin prokurorisë shqiptare atje ku i takon, të rikthejnë besimin e shqiptarëve te drejtësia”, tha Aldred Balla, anëtar i KLP.
Prej atyre 15 kandidatëve të pikëzuar nga KLP si më të mirët e pretendentëve janë konfirmuar në detyrë shtatë prej tyre, mes të cilëve vetëm Arben Kraja ka marrë vendim të formës së prerë nga vettingu.
Ndërkohë që të tjerët që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit presin që vendimi mos të apelohet. Ndërsa për Prokurorinë e Krimëve të Rënda Besnik Muçi vendimi i konfirmimit në detyrë është apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Tetë të tjerë presin që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit t’i njoftojë për seancë dëgjimore.
” Kjo është një iniciativë shumë e guximshme e atyre që kandidojnë për këtë strukturë kaq të rëndësishme dhe për të futur shtetin shqiptar në shinat e ligjit”, tha Nurihan Seiti, anëtar i KLP.
Në listën me 22 kandidatë nuk munden të marrin pikë maksimale prokurorët Dritan Prenci dhe Vladimir Mara të cilët janë konfirmuar në detyrë, por që gjatë intervistimit pavarësisht dosjeve të forta që ata kanë, ata ishin prezantuar para KLP me çështje që nuk kishin marrë vendim të formës së prerë.
Nuk u kualifikuan edhe emra të tjerë sikurse kryeprokurorja e komanduar Donika Prela apo Besim Hajdarmataj./t.ch