Me 62 vota pro, 46 kundër dhe asnjë abstenim u zgjodh dje para mesnatës qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do ta drejtojë Dimitar
Kovaçevski.
”Legjitimiteti i Qeverisë është i pakontestueshëm. Konfirmoj se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024. Deri atëherë do të punojmë me përkushtim për mbarëvajtjen e ekonomisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve”, deklaroi kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski në fjalimin para zgjedhjes së qeverisë së re.
Ai shtoi se beson se opozita do të jetë konstruktive dhe do të bashkëpunojë në interes të miratimit të vendimeve më të mira për vendin dhe qytetarët.
Kovaçevski do të ketë katër zëvendëskryeministra, Artan Grubi (BDI)- zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet mes Bashkësive, Sllavica Gërkovska (LSDM)- zëvendëskryeministre për Luftën Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Bojan Mariçiç (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane dhe Fatmir Bytyçi (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështjet Ekonomike.
Oliver Spasovski (LSDM) u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme, Slavjanka Petrovska (LSDM) ministre e Mbrojtjes, Nikolla Tupançevski ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski (LSDM) ministër për Transportet, Lupço Nikollovski (LSDM) ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Jovana Trençevska (LSDM) ministre për Punë dhe Politikë Sociale, Bisera Kostadinovska Stojçevska (LSDM) ministre e Kulturës, Goran Milevski (PLD) ministër i Pushtetit Lokal, Bekim Sali nga Alternativa ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri (BDI) ministër i Arsimit dhe Shkencës, Bujar Osmani (BDI) ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi (BDI) ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi (BDI) ministër i Ekonomisë, Naser Nuredini (BDI) ministër i Mjedisit, Admirim Aliti nga Alternativa ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratën dhe Xhemail Çupi nga Alternativa ministër pa portofol përgjegjës për Diasporën
Kush është Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut?
Dimitar Kovaçevski është lideri i ri i LSDM-së, i cili u zgjodh në zgjedhjet e fundit brenda partiake, pas dorëheqjes së Zoran Zaev.
Sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të qeverisë, 47-vjeçari Dimitar Kovaçevski u lind në Kumanovë. Është doktor i shkencave ekonomike, profesor i asociuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit të Biznesit në Universitetin “American College” Shkup. Ai është ligjërues në studimet universitare, pasuniversitare dhe doktorale dhe është autor i punimeve të shumta shkencore në fushën e ekonomisë dhe menaxhmentit të botuara në revista shkencore dhe konferenca ndërkombëtare, raporton Alsat.
Karrierën e filloi në “Makedonski Telekom” Shkup si bashkëpunëtor financiar dhe koordinator për rregullimin dhe harmonizimin e kontrollit financiar (1998-2005), dhe më pas u gradua në një sërë pozitash menaxheriale, drejtor i marketingut dhe menaxhimit të shitjeve (2005-2008), drejtor i Komunikimeve të Marketingut (2008-2010), drejtor i Komunikimit (2010-2016) dhe drejtor i Shitjeve Rezidenciale (2016-2017).
Ai ishte pjesë e komitetit ndërkombëtar të markave dhe komitetit ndërkombëtar të komunikimit të Deutsche Telekom (2008-2016). Më pas u bë drejtor ekzekutiv i “One-Vip Macedonia”, “A1 Macedonia”, pjesë e grupit “Telekom Austria” (2017-2018). Është pjesë e krijimit të një kompanie startup të teknologjisë së lartë për prodhimin dhe zhvillimin e elementeve për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme (2018-2020).
Gjatë karrierës së tij profesionale ka punuar në një sërë projektesh korporative për integrimin e proceseve të biznesit me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe profitabilitetit të kompanive. Ai është pjesë e ekipeve të projektit për implementimin e sistemit të integruar SAP për menaxhimin e operacioneve materiale dhe financiare dhe sistemit të integruar CRM për menaxhimin e klientëve.
Shkollimin e mesëm e filloi në gjimnazin “Goce Dellçev” në Kumanovë dhe e kreu në shkollën e mesme “Waterville Elizian” në Moristown, Minesota, SHBA. Në vitin 1998 u diplomua në Universitetin “St. Cirili dhe Metodius, Shkup, Fakulteti Ekonomik, dhe magjistroi në të njëjtin fakultet në vitin 2003. Studimet e doktoratës për ekonomi i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Malit të Zi në vitin 2008, ku ka doktoruar në ekonomi.
Ai përfundoi trajnimin e tij profesional në Shkollën e Biznesit në Universitetin e Harvardit në vitin 2011, Kolokiumin Evropian të Sipërmarrjes në Universitetin Teknik të Mynihut, ku u bë student i EFER EEC në 2015, Shkolla e Menaxhimit në Roterdam në Universitetin Erasmus në Holandë në vitin 2016 dhe Shkolla e Biznesit EADA në Barcelonë, Spanjë në vitin 2017.
Karrierën akademike e filloi si asistent profesor në Universitetin e Nju Jorkut në Shkup (2009-2012), dhe vazhdoi si profesor asistent në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit të Biznesit në Universitetin “American College” Shkup (2012-2018). Në vitin 2018 u zgjodh profesor i asociuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe Menaxhimit të Biznesit në Universitetin e Kolegjit Amerikan.