Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Bjellorusisë, zhvilluan sot më 10 qershor forumin online të biznesit “Perspektivat e bashkëpunimit dypalësh”.
Më shumë se 50 sipërmarrës nga të dy vendet ishin pjesë e këtij forumi, për të cilët u la e hapur mundësia e bashkëpunimit mes sektorëve përkatës.
Nënkryetari i DHTI së Bjellorusisë, zoti Meleshkin Denis, i cili ishte dhe moderator i eventit që në krye të herës bëri një ftesë të hapur për bashkëpunimin të bizneseve të të dy vendeve duke bërë gjithashtu dhe një prezantim të Dhomës së Bjellorisë. Ai garantoi nga ana e tij se Dhoma do të jetë e vënë në shërbim të biznesit për të vendosur kontaktet e duhura apo për të asistuar në çdo ndihmë që sipërmarrja ka nevojë.
Këshilltari ekonomik i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Bashkim Sykja në fjalën e tij përshëndetëse duke folur në emër të kryetarit zotit Nikolin Jaka u shpreh se: “Gjithnjë e më shumë Shqipëria po vlerësohet nga Bjellorusia jo vetëm si një destinacion atraktiv turistik, por edhe si një mundësi konkrete bashkëpunimi në fushën e biznesit dhe investimeve”.
Sipas tij hapja e zyrës së përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Bjellorusisë në Tiranë, është një tregues i qarte i interesit të sipërmarrjes Bjelloruse për Shqipërinë.
Nga ana tjetër zoti Sykja u shpreh se “synojmë të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet dy dhomave të tregtisë dhe industrisë, për të nxitur tregtinë, eksportet dhe investimet në sektorë prioritarë të ekonomisë”. Duke ju qartësuar sipërmarrësve bjellorusë lehtësirat dhe mundësitë që afrohen për të bërë biznes në vendin tonë, ai bëri një ftesë të hapur për bashkëpunime konkrete mes sipërmarrësve të të dy vendeve.
Përfaqësuesi i Dhomës së Bjellorusisë në Shqipëri, zoti Aleksandër Gjurbavija në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh i gatshëm për të qenë prezent për të gjitha nevojat që ka biznesi dhe për të vendosur kontaktet e duhura mes palëve të interesuara.
Në forum u bë prezantimi i mundësive që secili vend afron. Ishte përfaqësuesja e Agjencisë Kombëtare për Investime dhe Privatizim të Republikës së Bjellorusisë që bëri prezantimin e mundësive potenciale që vendi i saj afron.
Nga ana tjetër zonja Aris Tasho, Drejtore e Zyrës së Marrëdhënieve më Jashtë të DHTIT, ishte ajo që bëri një prezantim të Dhomës dhe klimës së investimeve në Shqipëri.
Zoti Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, pjesë e këtij forumi në fjalën e tij u shpreh se ekzistojnë të gjitha mundësitë për bashkëpunime në fushën në të cilën përfaqëson, duke kërkuar që Dhomat e Tregtisë apo dhe shoqatat e biznesit të jenë bashkëpunuese që tu vijnë në ndihmë biznesit për t’i orientuar drejt se ku dhe si të investojnë.
Zonja Ilda Kasa përfaqësuese e kompanisë “Happy Tours”, në fjalën e saj u shpreh për sektorin e turizmit në Shqipëri duke bërë ftesë të hapur për palën tjetër që të vijnë e të shijojnë bukuritë shqiptare.
Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë së të dy vendeve janë në hapat e parë të bashkëpunimit, hap që u konkretizua më këtë forum të parë dhe që më pas do të vijojë me marrëveshje konkrete mes tyre.