Ditën e djeshme, qindra njerëz protestuan jashtë godinës së ministrisë së Shëndetësisë në Rumani, një ditë pasi një zjarr i madh përfshiu një nga spitalet kryesore të vendit, ku janë të shtruar pacientë të infektuar me COVID-19.
Protestuesit kërkuan dorëheqjet e Presidentit, ministrit të Shëndetësisë dhe shefit të urgjencave.
Të paktën pesë persona vdiqën në zjarrin, i cili shpërtheu herët të premten në katin përdhes të spitalit “Matei Bals” në Bukuresht dhe detyroi evakuimin e më shumë se 100 njerëzve.
Protesta u organizua nga Aleanca për Unitetin e Rumunëve, një parti politike e krahut të djathtë themeluar pak më shumë se një vit më parë nga udhëheqës, të cilët kundërshtuan martesat e të njëjtit seks dhe kanë mbështetur klerikët ortodoksë që sfiduan kufizimet gjatë pandemisë për të mbajtur ceremonitë fetare.
Protestuesit në demonstratën e së shtunës brohorisnin: “Ne nuk duam të drejtohemi nga hajdutë”.
Vlad Voiculescu, ministri i Shëndetësisë, tha të shtunën se shkaku i zjarrit të së premtes nuk dihet ende, por theksoi se hetimi po vazhdon.
“Ne jemi duke pritur për rezultatet për një numër arsyesh. Njëra është të zbulojmë se kush është përgjegjës”, tha ai.
“Nëse e dimë shkakun fillestar të kësaj, ne do të dimë se cilat masave duhet t’i jepen përparësi për të parandaluar që gjëra të tilla të ndodhin përsëri”, tha ai më tej.
Ministri ra dakord që Rumania duhet të përmirësojë infrastrukturën e saj mjekësore.
“Ne do të ndërtojmë spitale të reja. Nuk ka asnjë zgjidhje magjike për kthimin e një ndërtese të vjetër në një të re. Ne kemi nevojë për spitale të reja”, u shpreh ministri