Liderët e Bashkimit Europian dhe Kryeministrat e Norvegjisë, Islandës dhe Liechtenstein-it, kanë festuar 25-vjetorin e Zonës Ekonomike Europiane ditën e Premte. Gjatë një samiti ku do të diskutohet Brexit dhe marrëdhëniet me Kinën, liderët pozuan për fotografinë familjare, ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tuks, theksoi përfitimet e kësaj marrëveshjeje. Ai tha se Zona Ekonomike Europiane bashkon të gjitha vendet si partnerë të barabartë në tregun e përbashkët, duke përfituar akses në 4 liri; të mallrave, shërbimeve, punëtorëve dhe të kapitalit.
“Zona Ekonomike Europiane nuk është një transaksion afat-shkurtër, por një partneritet afat-gjatë, ku të gjithë kontribuojnë dhe të gjithë përfitojnë. Përballë rritjes së nacionalizmit, ku tensionet gjeopolitike krijojnë kërcënime për qytetarët tonë, ku keni qëndruar të palëkundur në anën e dijes, sundimit të ligjit, bashkëpunimit dhe integrimit të mëtejshëm”, tha Tusk.
Në Zonën Ekonomike Europiane, më shumë se 500 milionë njerëz janë të lirë për të udhëtuar, bërë biznes, investojnë dhe edukohen, ndërkohë që gëzojnë mbrojtjen më të sigurt konsumatore, standardet më të larta në punë dhe mjedisin më të pastër. E themeluar në vitin 1994, kjo marrëveshje i ofron akses në tregun e përbashkët europian, vendeve jo anëtare.