Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është treguar i vendosur që të mos ketë zgjedhje të parakohshme në këtë vend, edhe pse vet e kishte paralajmëruar një mundësi të tillë. Ditë më parë, vet Zaev e kishte paralajmëruar mundësinë e zgjedhje, duke e ndërlidhur atë me marrjen e datës për negociatat e anëtarësimit në BE.
Pas mbledhjes së Këshillit Qendror të partisë së tij Social-demokrate, në Ohër, Zaev tha se është vendosur që të ketë vetëm riformatim të qeverisë, pasi sipas tij, zgjedhjet mund të rikthejnë nacionalizmin e radikalizmin në Maqedoninë e Veriut.
“Kemi vendosur kështu me qëllim që që të dërgojmë mesazhin te vendet anëtare të BE-së se nuk do të lejojmë edhe njëherë të kthehet nacionalizmi, radikalizmi dhe populizmi në Maqedoninë e Veriut. Nuk do të lejojmë që sërish të ndahet shoqëria dhe të konfrontohet me të gjitha shtetet fqinjët. Ne ia kemi arritur qëllimit, deri në fund të vitit besojmë se do të marrim datën andaj do të shkojmë vetëm në riformatimin e qeverisë, jo më shumë se të tetë ministrive”, ka deklaruar Zaev duke paralajmëruar edhe shkarimin e më shumë se 20 drejtorëve të institucioneve publike.
Ai këto vendime i ka marrë i pakënaqur me punën e tyre, ndërsa i kishte paralajmëruar që pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, më 5 maj, që përfunduan më një rezultat jo të mirë për partinë e tij, pavarësisht se fitoi kandidati i saj për president, Stevo Pendaroski.
Nga ana tjetër, opozita në një tubim partiak ka drejtuar akuza të shumta në adresë të qeverisë duke e akuzuar për paaftësi dhe tradhti të interesave kombëtare. Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO DPMNE-së paralajmëroi fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e reja, pa marrë parasysh se kur do të mbahen ato.
“LSDM dhe Zaev janë nisur në rrugën pa kthim kurse VMRO-ja çdo ditë po bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Fitorja e VMRO DPMNE-së, do të jetë fitore për Maqedoninë. Këtë ua premtoj”, ka deklaruar Mickovski në Shkup, në një manifestim të partisë së tij.
Ndryshe, vendimi i LSDM-së për të mos u mbajtur zgjedhjet besohet të jetë ndikuar edhe nga mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët një vendim të tillë të mundshëm, siç bëhet e ditur e kanë vlerësuar si të gabuar pasi në vend të zgjedhjeve, Maqedonia e Veritut duhet të përqendrohet në sferën e reformave që të mund të marrë datën në vjeshtë të këtij viti.