Shefi ekzekutiv i Facebook-ut Mark Zuckerberg njoftoi se kompania e tij do të riemërtohet duke u quajtur Meta, në një përpjekje për të përfshirë vizionin e saj për të ardhmen mbi realitetin virtual, atë që zoti Zuckerberg e quan “metavers”. “Metavers” është një mjedis i realitetin virtual ku përdoruesit mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në një hapësirë thjesht dixhitale.
Skeptikët e shohin këtë lëvizje, si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga të ashtuqujtuarat “Facebook Papers”, një dokument i rrjedhur e bërë publik nga një konsorcium organizatash mediatike, që përfshin edhe agjencinë “Associated Press”. Shumë nga këto dokumente, të bëra publike për herë të parë nga një ish-punonjëse e Facebook-ut, Frances Haugen, kanë zbuluar sesi kjo kompani ka injoruar apo minimizuar paralajmërimet e brendshme për pasojat negative dhe shpesh të dëmshme në të gjithë botën, të mënyrës se si veprojnë algoritmet e kësaj platforme sociale.
“Facebook është platforma botërore e mediave sociale dhe ato po akuzohen për krijimin e diçkaje që është e dëmshme për njerëzit dhe shoqërinë”, thotë konsulentja e marketingut Laura Ries. Ajo e krahasoi ndryshimin e emrit të Facebook-ut me rastin e riemërtimit të kompanisë “Beyond Petroleum”, për t’i shpëtuar kritikave rreth dëmeve të shkaktuara në mjedis. “Ata nuk mund të largohen nga rrjeti social me një emër të ri të korporatës dhe të flasin për një metavers të së ardhmes“, shtoi ajo.
Çfarë është metaversi?
Zoti Zuckerberg e ka përshkruar atë si një “mjedis virtual”, ku njerëzit mund të futen brenda, në vend që ta shohësh vetëm nëpërmjet një ekrani. Në thelb, është një botë e komuniteteve virtuale të pafundme, të ndërlidhura, ku njerëzit mund të takohen, punojnë dhe luajnë, duke përdorur kufje, syze apo pajisje të tjera që krijojnë një realitet virtual.
Zoti Zuckerberg thotë se ai pret që “metaversi” të arrijë tek një miliard njerëz brenda dekadës së ardhshme.