Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Tanja Fajon, zëvendëskryeministre dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë.
Gjatë bisedës u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e ruajtjes së kësaj fryme bazuar në interesat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane.
Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen që Sllovenia ka dhënë dhe jep për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe politikat e zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv i përbashkët i rajonit, u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se, në Shqipëri ky vizion ka nxitur transformimin përmes ecurisë së reformave.
“Ai, gjithashtu, i ka dhënë një shtysë të madhe synimeve tona rajonale për paqen dhe stabilitetin, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nismave të tjera me rëndësi për zhvillimin e Ballkanit”, u shpreh Presidenti Begaj gjatë takimit me ministren e Jashtme sllovene, Tanja Fajon.
Gjithashtu Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon.
Rama ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me Fajon në ambinetet e Kryeministrisë.
Fajon ndodhet në Tiranë në kuadër të konferencës e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, që çeli sot siparin 3-ditor të punimeve.
Në fjalën e saj, në punimet e panelit “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, Fajon theksoi se “Sllovenia do të përkrahë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Mendoj se tani është shansi më i mirë edhe një herë për të punuar fort për të zgjeruar Bashkimin Europian me vende të Ballkanit Europian. Shqipëria është në drejtimin e duhur tashmë”.
/Argumentum.al