Zyra për shtyp e Parlamentit Evropian përditësoi deklaratën e 3 eurodeputetëve David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis duke zbutur qëndrimin e tyre për sa i përket zhvillimeve politike në Shqipëri.
Në deklaratën e shpërndarë për shtyp pasditen e së enjtes eurodeputetët citoheshin të thoshin se prisnin nga shumica parlamentare që të miratojë ndryshimet e nevojshme “pa cenuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor”.
“Çfarëdo ndryshimi ndaj marrëveshjes, pa arritur më parë konsensus me të gjitha partitë e tjera politike, do të vinte në rrezik mbajtjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, e për rrjedhojë do të ngadalësonte procesin e integrimit evropian,” – thuhej në deklaratën e së enjtes, deklaratë në të cilën theksohej se “çdo ndryshim i marrëveshjes pa arritur konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë mbajtjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe kështu të ngadalësojë procesin integrues”.
Mirëpo mbrëmjen e së enjtes deklarata u hoq dhe paraditen e së premtes u përditësua me një qëndrim më të zbutur për sa i përket fjalisë ku flitej për “rrezikimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare”.
“Është me rëndësi të arrihet marrëveshje, mbajtja e dialogut dhe konsensusit me gjithë partitë politike, në mënyrë që të mbahet konferenca e parë negociuese për anëtarësim dhe kështu të vazhdohet procesi integrues,” – thuhej në deklaratën e përditësuar, raporton euronews albania.
Përgjegjësja e zyrës së shtypit, Snjezana Kobescak Smodis, i tha Euronews Albania se deklarata e së enjtes nuk kishte qenë “versioni final” dhe ishte “hedhur gabimisht online”. Ajo theksoi se “kjo ishte arsyeja e vetme dhe se mesazhi mbetet i njëjtë dhe i qartë, që marrëveshja e 5 qershorit duhet të implementohet plotësisht”.
McAllister kryeson Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Santos është raportuese për Shqipërinë ndërsa Kefalogiannis kryeson delegacionin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Në deklaratën e tyre ata kujtojnë se çdo shtet është i lirë të përmirësojë sistemin elektoral sipas kontekstit dhe konsensusit kombëtar të vetë, mirëpo, rekomandohet që çdo ndryshim i sistemit elektoral të bëhet me mirëkuptim, transparencë (shtuar në deklaratën e përditësuar) duke nisur nga 1 vit përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Ne besojmë se Shqipëria do ta respektojë këtë rekomandim dhe do të punojë përpara për arritjen e një rezultati të qëndrueshëm në reformat kyçe të vendit. PE është e përkushtuar ta mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin drejt integrimit në Evropë dhe është gati të punojë me parlamentin shqiptar për të ndërmjetësuar dialogun dhe për të ndërtuar konsensusin thelbësor për reformat në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe llogaridhënies të cilat janë të nevojshme për të ardhmen evropiane të vendit ,” – thuhet në deklaratën e europarlamentarëve.
Shqipëria ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në 2014.
Këshilli vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 25 mars 2020, në kuadër të propozimeve të Komisionit mbi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.
Në qershor të vitit 2020, Komisioni prezantoi draftin e kuadrit negociues, i cili në momentin që do të finalizohet, do të përdoret për të negociuar hyrjen në BE të dy shteteve të Ballkanit.
Vendet anëtare të BE-së duhet të miratojnë këto dokumente dhe presidenca e Këshillit do t’i prezantojë në fillim të hapjes së negociatave. Publikimi i raportit të Komisionit Europian për 2020 është shtyrë deri në vjeshtë për shkak të pandemisë COVID-19.
Aktualisht në Shqipëri palët politike kanë shfaqur sërish ndasi për sa i përket reformimit të kodit zgjedhor.
Pas marrëveshjes së arritur mes partive kryesore më 5 qershor, shumica socialiste dhe opozita parlamentare kanë nisur procedurat edhe për ndryshime kushtetuese, ndryshime të cilat hapin pjesërisht listat e kandidatëve, përcaktojnë prag zgjedhor dhe ndalojnë koalicionet parazgjedhore.
Këtë nismë e kanë kundërshtuar ashpër opozita dhe Presidenti të cilët thonë se “ndryshimet kushtetuese prishin marrëveshjen e 5 qershorit”. Por shumica socialiste e ka përkrahur atë me arsyetimin se “ajo e demokratizon më tej procesin zgjedhor” dhe se në këtë mënyrë “arrihet konsensus edhe me opozitën parlamentare”.