Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kanë marrë pjesë të hënën(25.09) në homazhet për nder të rreshterit Afrim Bunjaku, i rënë në krye të detyrës, të mbajtura në Vushtri të Kosovës.
Së bashku me familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj ata i dhanë lamutumirën e fundit Rreshter, Afrim Bunjaku.
“Krah familjarëve, zyrtarëve të lartë e përfaqësuesve të trupit diplomatik në Kosovë i dhamë sot lamtumirën e fundit, Rreshter Afrim Bunjaku”, shkroi Hasani në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau dhe foto nga homazhet e mbajtura në Samadregj, Vushtri, Kosovë.
“Përulemi me nderim dhe respekt punës dhe kujtimit të heroit të Republikës, i cili sakrifikoi jetën e tij për sovranitetin e Kosovës”, theksoi më tej Hasani.
“Përulje dhe nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”, shkroi Balla në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau dhe foto nga homazhet e mbajtura në Samadregj, Vushtri, Kosovë.
Efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dha jetën në krye të detyrës pas një sulmi nga persona të armatosur në Leposaviç.
/Argumentum.al