Yuri Kim, ka marrë edhe aprovimin e fundit për të qenë ambasadore e SHBA në Shqipëri. Senati amerikan, në takimin e fundit për këtë vit, ka konfirmuar diplomaten Kim si ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë. Ajo u emërua nga presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.
Yuri Kim ka marrë përfundimisht dritën jeshile të Senatit Amerikan për të qenë ambasadore e SHBA-së në Shqipëri duke u zyrtarizuar në këtë detyrë.
Ambasadorja Yuri Kim, në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për bashkëpunim në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Po ashtu, ambasadorja e SHBA-së, Kim ka theksuar se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht Reformën në Drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kim tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.
Gjithashtu, premtoi se do të punonte për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. Ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor, ndërsa në Shqipëri do të pasojë Donald Lu.
Ajo flet gjuhën koreane, kineze (mandarinisht), japonisht dhe turqisht./ata