Zëvendëskëshilltari amerikan për Siguri Kombëtare Jon Finer, ka biseduar ditëve të fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alesandar Vuçiq, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
Në komunikatë është thënë se Finer e ka mirëpritur gatishmërinë e Kurtit që të punohet drejt krijimit të kushteve për zgjedhje të reja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, edhe sot ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit, e bëri sot në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
“Situata në veri të Kosovës duhet të de eskalohet, për këtë është e nevojshme që të mos ketë më protesta të dhunshme, ata të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët duhet të përballën me drejtësinë, e që në të ardhmen të kemi zgjedhje të lira, ku qytetarët e shprehin lirshëm vullnetin e tyre”, tha ai, raporton RTKlive.
Sipas tij, veriu i Kosovës, ka nevojë për zgjedhje të lira, por nevojitet paraprakisht sundim të ligjit, si dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë.