Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, ka dhënë një intervistë për gazetën Shekulli, ku bën një paralajmërm të fortë. Sipas tij, nuk do ketë negociata nëse nuk hetohet dhe ndëshkohet krimi zgjedhor.
“Shqipëria e gjen veten në një krizë të rrezikshme politike. Kjo është e keqe për perspektivën e vendit në Bashkimin Evropian. Prandaj, është detyrë e të gjitha partive pro-evropiane në qeveri dhe opozitë, që të afrohen njëra me tjetrën dhe të jenë të përgatitur për të bërë kompromise reale. Nëse të dyja palët nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë, ata vënë në pikëpyetje perspektivën e vendit të tyre për në Bashkimin Evropian. Dhe në të njëjtën kohë ata vetëm do të forcojnë ato forca që duan të nxisin nacionalizmin dhe të ndjekin planet për Shqipërinë e Madhe. Për më tepër, kjo do të nxiste vetëm vendet e treta për të ndërhyrë edhe më shumë në çështjet shqiptare. E gjithë kjo mund të çojë në konflikte të reja, trazira apo edhe shpërthime në Ballkan. Ta themi hapur: planet për një Shqipëri të Madhe do të çojnë në fundin e perspektivës së Shqipërisë në BE! Kjo është arsyeja pse qeveria dhe opozita kanë një përgjegjësi për të kapërcyer krizën menjëherë. Edhe nëse qeveria Rama ka shumicën në parlament, ajo duhet të jetë e përgatitur për të bërë kompromise reale. Ne jemi të përgatitur për të ndihmuar në kapërcimin e krizës, nëse të dyja palët kanë vullnetin për ta bërë këtë,” tha Wadephul.
“Shqipëria ende ka nevojë të bëjë përparim të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të pranimit. Mund të shohim se qeveria tashmë ka bërë përpjekje. Zbatimi i ligjeve është veçanërisht i rëndësishëm. Ligjet shqiptare, për shembull, ndalojnë blerjen e votave. Megjithatë, nuk ka ndjekje penale nga zyra e prokurorit publik dhe nuk ka arrestime kundër atyre personave të cilët kanë dëshmuar se kanë blerë votat me anë të regjistrimeve të përgjimit. Nëse nuk ka progres të vërtetë këtu shumë shpejt, grupi im nuk do të jetë në gjendje të pranojë hapjen e negociatave të pranimit. Sepse kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit dhe është ajo që duhet të garantohet,” theksoi zyrtari gjerman.