Një grup deputetësh të Partisë Socialiste i kërkuan parlamentit shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shkak të shkeljeve, që sipas tyre, ai i bëri Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.
Kërkesën e konfirmoi kryetari i grupit parlamentar të partisë socialiste, Taulant Balla, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve, ku u miratua program i parlamentit në vazhdim.
“Para dhe gjatë fushatës zgjedhore Presidenti ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkesa e deputetëve i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi, i cili e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më 8 korrik” – tha zoti Balla.
Kërkesa e socialistëve do të shqyrtohet në komisionin e ligjeve, dhe më pas mund të ngrihet një komision hetimor.
Presidenti Meta reagoi menjëherë për këtë nismë, duke e quajtur një “shashkë”, që synon të shmangë hetimin e krimeve zgjedhore.
Ai theksoi se “asgjë nuk ka përfunduar” dhe është detyrë e gjithë subjekteve politike ta ndjekin procesin zgjedhor deri në fund.
“Të përqëndrohemi në mbylljen e procesit zgjedhor. Të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit” – tha zoti Meta.
Gjatë nismës së parë të socialistëve kundër zotit Meta, Komisioni i Venecias vlerësoi se shkeljet e Presidentit nuk ishin të asaj shkalle sa të justifikohej shkarkimi i tij.
Por zoti Balla tha sot se Opinioni i parë i Komisionit të Venecias do të ishte i mjaftueshëm për shkarkim edhe në nismën e dytë.
Mandati i rregullt i Presidentit Meta përfundon në korrik të vitit të ardhshëm.
Presidenti mund të shkarkohet me dy të tretat e votave në parlament për shkelje të rënda të parashikuara në Kushtetutë.
Nuk është e qartë nëse parlamenti aktual, të cilin zoti Meta e quan si antikushtetues për shkak të mandateve të djegura dhe moszëvendësimit të plotë të tyre, i ka apo jo votat e mjaftueshme për shkarkimin e tij.
Po ashtu mbetet për t’u parë nëse dy muajt e mbetur deri në fillim të korrikut do t’i mjaftojnë këtij parlamenti për të ndjekur gjithë procedurat e parashikuara për shkarkim.
Nëse po, vendimi i parlamentit do të duhet të shkojë më tej në Gjykatën Kushtetuese, të cilës i takon me Kushtetutë një vendim përfundimtar.