Editorial i ARGUMENTUM
Analiza e zgjedhjeve të 25 Prillit është dhe do të jetë në krye të rendit politik të të ditës, me emocionet dhe reflektimet e rastit.
Deri tani, lidershipi i kampit opozitar po rreket të na mbushë mendjen se humbi kryesisht për shkak të zullumeve të shumicës qeverisëse të njohura tashmë për publikun. Pa mohuar këto dyshime për të cilat ajo është në të drejtën e vet të përgatisë dosjet përkatëse dhe t’i dërgojë për hetim, le ta themi qysh në fillim se opozita « po flet pas pilafit » Sepse, të gjitha të këqiat që po përmend, ajo i dinte shumë kohë më parë; për më tepër, lufta dhe fitorja ndaj tyre ishte « kali i betejës » dhe në fushatën e 25 Prillit. Madje, lidershipi i PD/LSI u përbetua se do të fitonte me çdo kusht e në çdo rrethanë, duke krijuar FRYMEN e NDRYSHIMIT pas grumbullimit të pakënaqësive ndaj Edi Ramës.
Në fakt, fushata zgjedhore e opozitës po vlerësohet nga të gjithë si pozitive, mobilizuese, europiane dhe me alternativa konkrete. Mirëpo, dhe sikur « vepër arti » të ishte, kjo fushatë një mujore dhe në kushtet e pandemisë nuk mund të kompensonte kursesi problemet dhe shqetësimet e mëdha politike dhe organizative që PD dhe LSI kishin krijuar me duart e tyre dy vitet e fundit. Ndaj, që të jetë praktikisht e dobishme, analiza e 25 Prillit duhen vënë « pikat mbi « i » në strategjinë dhe taktikat ku gaboi dhe çaloi opozita në këto 2 vitet e fundit, por dhe me dritë – hijet dhe të kësaj fushate zgjedhore.
Le t’i përmendim shkurt 10 shkaqet kryesore të disfatës së opozitës më 25 Prill :
Së pari, gafa më e madhe politike ishte djegja e mandateve parlamentare në Janar 2019. Asnjë justifikim nuk « pi ujë ». Deputetët nuk kanë djegur mandatet as në Reichstagun e Hitlerit dhe as tani në Venezuelë nën Maduron. Ca më keq të braktisësh sistemin parlamentar pa pyetur për ata që të kanë dhënë votën dhe pa konsultime me faktorin ndërkombëtar. Bëj gjithçka, por brenda sistemit !
Së dyti, sikur të mos mjaftonte me aq, opozita bojkotoi në mënyrë absurde zgjedhjet vendore më 30 Qershor 2019, duke humbur një shans të madh për të treguar forcën e saj bindëse dhe për t‘i çelur rrugën fitores në zgjedhjet e përgjithshme. Kësisoj, opozita shkoi në 25 Prill në një terren që e kishte djegur vetë me dorën e saj. Mirëpo gafa të tilla kushtojnë shumë politikisht dhe te faktori ndërkombëtar për një periudhë të gjatë kohore, sa të rifitohet besimi i humbur te ta. Së treti, opozita u tregua aventuriere e vërtetë kur dy vite më parë filloi shumë protesta masive, por të dhunshme, duke tmerruar dynjanë ; pas disa muajsh, në vend të « korrigjonte shinjestrën » e t’i vijonte në mënyrë paqësore dhe me fantazi, ajo hoqi dorë nga protestat si mjet i fuqishëm presioni.
Së katërti, ajo i ndryshonte qëndrimet e saj sipas sezonit, motit dhe humorit të saj politik; fillimisht u betua se nuk do të shkonte në zgjedhje me Edi Ramën, se me të demek nuk mund të bëheshin zgjedhje të lira, se donte qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme, se nuk ulej në një tryezë me Gjiknuri etj ; mirëpo, as njera nga këto nuk ndodhi; kjo kompromentoi rëndë forcën dhe seriozitetin e saj brenda, e sidomos jashtë vendit. Kjo shpjegon pjesëmarrjen e ulët në votime në disfavor të opozitës.
Së pesti, megjithë ndryshimin pozitiv të kursit të saj dhe riafrimin e faktorit ndërkombëtar me krijimin e Komitetit Politik në Janar 2020, opozita u tregua sylesh dhe tejet anemike në reagimet e saj pas ndryshimeve të njëanshme kushtetuese më 31 Korrik 2020, që praktikisht çvleftësuan kompromisin e 5 Qershorit. Vetëm Presidenti i Republikës reagoi duke dërguar ankimin në Venecie por tepër vonë, në tetor, pa asnjë shans rikuperimi. Kjo ndodhi mbasi opozita i besoi në mënyrë të verbër faktorin ndërkombëtar, duke zëvendësuar luftën politike me metoda diplomatike.
Së gjashti, muajt e fundit, mbasi i ezauroi pa rezultat taktikat e tjera, nisur dhe nga disa afera qeveritare, opozita kaloi në eufori të pabazuar, duke e konsideruar të mirëqenë, madje formalitet fitoren e saj të madhe. Mirëpo, i kishte « bërë hesapet « pa hanxhinë » dhe kjo i kushtoi shumë.
Së shtati, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë për të cilin ajo bëri shumë zhurmë e bujë, jo vetëm nuk shtoi asgjë në kandar, por i konsumoi shumë kohë dhe energji lidershipit të PD-së, derisa u kthye në bumerang. U vërtetua dhe njëherë se nuk ke përse kopjon nga parti të vendeve me tradita shekullore në demokraci, kur ke përvojën e vendeve fqinje, madje dhe tënden këto 30 vitet e fundit; ndaj, nuk ka përse të ecim në « shtigje të pashkelura »që nuk të shpien gjëkundi.
Së teti, megjithëse fushata në përgjithësi ishte pozitive, asaj i mungoi besueshmëria te elektorati sidomos ai gri.Kjo si për shkak të faktorëve të lartpërmendur por dhe gabimeve përpara dhe gjatë fushatës. Opozita gaboi duke i futur të « gjithë aleatët në thesin e saj » Ca më tepër me emra liderësh « partish taksi » siç njihen të bërë bajat në 30 vitet e fundit e që nuk premtonin asgjë. Do të ishte shumë më e udhës që ato parti të kishin listën e tyre, si aleat i PD-së pas zgjedhjeve. Kësisoj, ato parti do të mbanin votat e tyre, por ndërkohë dhe elektorati do të ishte më i nxitur të votonte për PD dhe sidomos për figurat e reja ; ndonëse këto të fundit « numëroheshin me gishtat e dorës ». Për pasojë, u krrijua një aleancëë partish, jo mbi bazën e vlerave dhe parimeve, por të konvejencës politike anti-Rama. Për pasojë, PD nuk bindi dot në masë kur kërkonte ndryshim me figura të vjetëruara dhe të kompromentuara. Vërtet PD fitoi disa vota me to, por ama nuk dihet se sa humbi, si efekt i mungesës së besueshmërisë. Kësaj të fundit i shtohet dhe rikandidimi i pakuptueshëm i Berishës ; nëse do ta nderosh për kontributin e tij, jepi dekorata, zgjidhe dhe kryetar nderi, por jo deputet. Vetëm te PD jonë ndodh një gjë e tillë, askund tjetër në botë, madje, as në vendet diktatoriale.
Së nënti, mungoi një bashkërendim i drejtë dhe efikas me LSI-në lidhur me zonat e ndryshme zgjedhore. Jo pak ndikim që opozita i anashkaloi ishin largimet e shumë antarëve dhe disa ish deputetëve të LSI-të konsideruar si « makina votash » te PS-ja. Ndërkohë, fushata u kthye në protagonizëm të tepëruar dhe ekskluziv të liderit Basha, pa nxjerrë në pah figurat e reja. Dhe këtu ajo ishte inferiore përballë dyshes Rama – Veliaj.
Veç kësaj, PD dhe LSI duhet të ishin treguar më të qarta dhe të prera lidhur me rolin e Presidentit në këtë fushatë si dhe deklarimet/qëndrimet e tij, të cilat më shumë dëmtuan se sa ndihmuan. Kësisoj, njerëzit merreshin më shumë me kërcënimet e Presidentit se sa me alternativat e opozitës. Për pasojë, « në vend t’i vinte vetullat opozitës, Presidenti i nxorri sytë asaj por dhe vehtes së vet » Kostoja e veprimeve të tij do të vazhdojë të rëndojë mbi opozitën dhe tani kur kanë filluar procedurat e shkarkimit të tij.
Së dhjeti, nuk ndikoi për mirë dhe nihilizmi total i opozitës lidhur me punën e qeverisë, duke mohuar dhe denigruar gjithça, çdo aspekt të punës së saj, çka në fakt nuk përputhet me realitetin e sidomos menazhimin e pasojave të tërmetit dhe të COVID – 19; në vend të mohimit total, mund të vlerësoheshin disa aspekte, por duke premtuar se në pushtet opozita do ta bënte dhe më mirë atë menaxhim.
Së fundi, analiza e këtyre dhe faktorëve të tjerë mund të ndihmojnë për të shmangur gabime të kësaj natyre dhe dukuri të tjera me pasoja në të ardhmen. Ndryshe, nëse opozita e sidomos PD-ja do të vazhdojë të merret vetëm me « zullumet « e të tjerëve, mos të habitemi kur ajo të humbasë dhe betejat e tjera politike, duke filluar me zgjedhjet vendore më 2023. Natyrisht kjo kërkon paraprakisht zgjidhjen e krizës së lidershipit të PD-së që është përvijuar e pritet të thellohet më tej ditët e ardhëshme.
© Argumentum