Nga Ardit Gjinali
Errësirë autokratike në secilin kënd të Shqipërisë plot diell dhe energji njerëzore; një Shqipëri e qeverisur keq e më keq nën thundrrën autokratike që nëpërkëmb secilën vlerë dhe virtyt shoqëror- keqqeverisja e ulur përdhunshëm këmbëkryq duke e dërguar Shqipërinë në të tillin udhëkryq dramatik në fatet njerëzore dhe tragjik në të tillin të një shoqërie- e keqja që ka uzurpuar të tashmen duke u legjitimuar përmes qeverisjes dhe vijon secilën përpjekje të zezë për të diktuar të ardhmen nën diktatin e hyqmit absolutist ; absolutizmi që është origjina e zgjedhës shtet-pushtuese që tenton të pushtojë shpresën e shqiptarëve përmes instrumentit të harresës shoqërore të shumë-kërkuar, e tilla që do të humbte në honet e errësirës së imponuar që kërkon të mveshë dritën, errësojë diellin dhe të përgjumë qytetarin.
Shqipëria nuk është në gjumë….i tilli qytetar që bashkë-udhëton me zakonshmërinë e mundësive të rrëmbyera dhe halleve të shtuara nuk mund të gjejë gjumin e qetësisë së munguar nga kalvari i përditshmërisë drobitëse – përditshmëri e shenjuar nga arbitrariteti i ndërgjegje-harruarve që kanë humbur gjumin dhe rreken të imponojnë kllapinë e një shoqërie përmes reagimit të munguar- reagim i munguar dhe i shumë- dëshiruar që do të përcillte qetësinë e gënjeshtërt mbi ansamblin njerëzor të mëkatarëve pushtet-ushtrues- spiralja e mëkatit që endet në lëmshin e gatitur enkas për të penguar frymëmarrjen e një shoqërie, por robëron shpirtin e të tillëve pushtet-mbajtës që hakërrehen me forcën e pushtetit , e tilla forcë që ka rrëmbyer vetëdijen e njëjtëve për të kuptuar që kanë humbur fuqinë njerëzore që buron nga liria.
Nuk është asfare përsëritës apeli për rrezikun e instalimit tërësor të autokracisë, i tilli apel nuk është zymtësia , shkurajimi, optimizmi i munguar…..është apeli për një vëmendje të shtuar, vetëdije shoqërore të konsoliduar, angazhim qytetar të thelluar, vullnet njerëzor të palëkundur, besim të ndërsjelltë i mbrujtur me frymën e së vërtetës dhe të së drejtës, energji dhe shpirt të patjetërsuar të qëndresës, një shpresë që ndërtohet mbi bindjen që nuk do të mbetet e tillë…..një bashkim i madh, i tilli moral, shoqëror dhe politik për një Shqipëri të së nesërmes që nuk do të lejojë përsëritjen e së sotmes… për një ndryshim thelbësor të sjelljes, mendësisë dhe për një të ardhme që do të vendosë njeriun në qendër të qeverisjes, e tilla dëshmi që parathotë fytyrën njerëzore të qeverisjes së nesërme që do të ndryshojë të sotmen pa formë dhe me thelb të munguar.
Sot është koha të përballemi me rendin qeverisës që ka skllavëruar të tashmen e qytetarit; përballje me votë duke refuzuar të keqen dhe duke reaguar si njerëz të zakonshëm të këtij vendi që nuk pranojnë zakonshmërinë e së keqes dhe kërkojnë të vazhdojnë jetën në këtë vend. Errësira tremb të tillët ndërgjegje-humbur dhe shpirt-shitur, por nuk tremb dot shpirtin qytetar të shqiptarit që guxon dhe beson për ditë më të mira në një Shqipëri normale, qeveri normale dhe Kryeministër normal, gjithashtu. Koha për një zgjim të qënësishëm shoqëror për një besim të ri dhe për të thirrur ndryshimin është tani! 25 Prilli thërret për një bashkim të madh dhe një shpresë të re për të mbrojtur demokracinë dhe ndryshuar Shqipërinë përmes një shprese të re që po lind. Bashkë sepse ka ende shpresë….