Editorial i ARGUMENTUM
Në zgjedhjet e tanishme, të tri partitë kryesore politike me aleatët e tyre shkojnë me arritje, rezultate, por dhe me dritë hije, dështime dhe skandale, si protagoniste dhe përgjegjëse për gjithçka të mirë dhe të keqe. Për herë të parë në 30 vitet e fundit, PS-ja kërkon mandatin e tretë radhazi. Është në të drejtën e vet, në Europë ka disa parti që kanë fituar dhe katër mandate rradhazi.
Por, problemi në rastin tonë nuk është vetëm Pse, por Si dhe me Se kërkohet ky mandat unikal; me fjalë të tjera, me çfarë alternativash dhe argumente konkuruese përballë kundërshtarëve politikë.
Siç po shihet, fushata e PS-së ka më shumë negativitet, nihilizëm, denigrim dhe mohim deri në sulme dhe stigmatizime pêrsonale të kundërshtarit, demonizimi i tij si mishërimi i të keqes deri te personifikimi i rrezikut të kthimit prapa. Në vend të alternativave të reja bindëse, prononcimet e liderit të saj Rama mbizotërohen nga batutat, barcaletat, kunjat, thumbat, insinuatat dhe stigmatizimet fyese ndaj kundërshtarit politik, diçka e paparë në Europë dhe gjetkë. Duke tentuar të « pronësojë » gjithçka të mirë, e duke ia « faturuar » të keqen dhe dështimet kundërshtarit, të tjerëve dhe natyrës. Dhe më i papranueshëm është ekskluziviteti që ajo po i jep vehtes si alternativa e vetme në të gjitha fushat, edhe aty ku ka dështuar në mënyrë spektakolare, si negociatat me BE-në, për të cilat nuk ka folur fare, kriminalizimin, korrupsionin, emigrimin masiv, e deri te gjoba e kripur « Becchetti » me 110 milionë Euro.
Për pasojë, dashur pa dashur të lind pyetja: kur qenka kështu, atëhere përse nuk i shtyn ose t’i heqim fare zgjedhjet, madje përsa na duhet pluralizmi politik? Me një lider që të vetët e krahasojnë me një jashtëtokësor, me Skënderbeun » me Diellin dhe me vetë Zotin? Pa të cilin nuk ka shpëtim, vaksina, nuk marrim dot fymë, kur i ngrejnë dhe këngë, dhe e urojnë si dikur « të rrojë sa ky dhe ai mal » ? Apo kur pretendohet se PS është familje e madhe ku e gjejnë vendin të gjithë, si dikur PPSH-ja! Mirëpo, pas gjithë këtij hyjnizimi të vehtes të ndjekur nga llumi, balta dhe zifti ndaj opozitës, t’i shtrish asa dorën e bashkëpunimit disa ditë përpara zgjedhjeve, kjo vështirë se bind njeri!
Më tej, kjo shumicë është munduar të krijojë imazhin se ka bërë pothuajse gjithçka në 8 vite në të gjitha fushat e infrastrukturës; por nuk flet fare për demokracinë, për shoqërinë civile, median, shtetin e të drejtës, interimin europian. Aq sa të duket se jemi në zgjedhje bashkiake, me premtime vetëm për shtëpi, shkolla, rrugë, spitale!
Pastaj, mirë ÇKE BËRË, por pse nuk thua asnjë fjalë me përjashtim të ndonjë fraze « sa për të larë gojën » se çfarë NUK KE BËRË dhe pse! Sepse një mandat i tretë rradhazi nuk jepet për sytë e bukur të liderit apo partisë, as kompensim dhe « kohë shtesë » për punët që ke lënë në mes apo që ke nisur tani në mbarim të mandatit. Nëse i ke lënë punët përgjysëm për paftësitë e tua atëhere leja në dorë elektoratit që të gjykojë nëse do të japë dhe një mandat tjetër; veç jo duke telendisur opozitën si shkaktare të dështimeve të tua, edhe pse ajo nuk ka patur asgjë në dorë veç fjalës! Kur ti ke qenë « vetë Ali dhe vetë Kadi » !
Gjithashtu, nuk mund të jesh bindës, kur këtej shan e kërkon ta « çosh për skrap LSI-në », diçka e papranueshme në demokraci, por nga ana tjetër ish ministra të saj i vendos në vende të sigurta duke mënjanuar të tutë, vetëm për ca vota më shumë! Duke e kthyer dhe politikën në futboll të vërtetë me « transferta lojtarësh » Mirëpo kjo mund të ketë efekt bumerang te njerëzit e tu dhe kështu fitores tënde « në vend t’i vesh vetullat do t »i nxjerresh sytë »
Nga ana e saj, PD-ja pas tetë vitesh në opozitë ka po aq, madje dhe më shumë të drejtë të kërkojë mandatin e tretë pas 8 vite në opozitë. Me arritje dhe dështime tashmë të njohura deri te largimi absurd nga Kuvendi dhe pushteti lokal në dy vitet e fundit. Çka i dha mundësinë shumicës « të gjejë shesh dhe të bëjë përshesh » Gjithsesi, bie në sy se këtë radhë ajo ka nxjerrë mësimet e duhura nga pësimet e të kaluarës. Me racionalitet, me programme të qarta qeverisje në të gjitha fushat dhe në atë të demokracisë, antarësimit në BE, takime kokë më kokë dhe bashkëbisedime masive me elektoratin; lideri i saj Basha dhe të tjerë kanë denoncuar fort dështimet sipas tyre të qeverisë, por pa zhargone agresive dhe fyese, pa sharje dhe ofendime.
Mirë do të ishte të mos tregohej dhe ajo aq nihiliste, duke mohuar gjithçka. Ndoshta dhe me një qëndrim më i prerë dhe distancues ndaj gafave dhe gabimeve të saj në të kaluarën. Edhe pse kjo nuk ka pse kalon në ekstremis nga shumica, sepse për ato gabime, opozita është ndëshkuar nga elektorati më 1997 dhe më 2013, sikurse ka marrë dhe besimin e tij më 1992 dhe 2005.
Ndaj opozita shkon në pozita të barabarta si sfiduese në këto zgjedhje, pa e paragjykuar e ca më tepër pa e përjashtuar askush nga synimi për pushtet. Natyrisht që e kaluara e saj si dhe ajo e PS-së ndikon në shkallën e besueshmërisë zgjedhore; por vendimtare mbetet gjykimi i alternativave të saj politike dhe nevojë për ndryshim cilësor pas 8 vitesh të kësaj mazhorance të amortizuar edhe moralisht. Ndonëse « në gërma » premtimet e saj mund të ishin më pak bujare, në « frymë » ato qëndrojnë sepse mobilizojnë njerëzit.
Një avantazh tjetër i madh për të opozitën është përkrahja dhe mbështetja publike nga e djathta e qendrës europiane, e cila është në pushtet në shumicën dërmuese të vendeve dhe në forumet europiane. Kjo i mungon PS-së, « simotrat » vërtet « numërohen me gisht » vetëm në 5 – 6 vende, por dhe atje në koalicion me partnerë të tjerë.
Kësisoj, PD-ja shkon më 25 Prill me objektiv të fitojë dhe ajo mandatin e tretë në pushtet. Veçanërisht dy javët e fundit bien në sy se falë dhe tureve intensive të liderit të saj në gjithë vendin duket se ia ka arritur qëllimit për të krijuar « FRYMEN » e duhur të ndryshimit, pavarësisht nga kufizimet e shkaktuara nga COVID – 19.
Ndërkohë, edhe komuniteti ndërkombëtar tashmë si i thonë fjalës, nuk di « kujt t’ia prishë dhe kujt t’ia ndreq » Gjithsesi, fakti që në 30 vitet e fundit ajo i ka dhënë si shumicës dhe opozitës nga dy herë mbështetjen e nevojshme e qetëson dhe e bën të tregohet e kujdesshme, aq më tepër duke parë kusuret e e të dyave; gjatë vitit të fundit, është parë qartë një farë afrimi e opozitën, falë besueshmërisë së saj të shtuar brenda vendit dhe në planin gjeopolitik. Ndaj, të gjitha obsionet janë të hapura.
Ja pse, 25 Prilli do të jetë vërtet « E treta e vërteta. Ndonëse, rëndësi më të madhe nuk ka fituesi i zgjedhjeve, por demokracia, respektimi i standardeve të njohura, që më në fund, në 30 vjetorin e zgjedhjeve të para pluraliste ta plotësojmë dhe këtë detyrim, që është dhe kusht themelor për çeljen e negociatave dhe gjithë procesin e antarësimit në BE.
© Argumentum