Boshko Jakshiç-[i]
Nëse Aleksandër Vuçiçi nuk dëshiron të jetë Viktor Janukoviçi i cili në vitin 2014 u rrëzua nga pushteti nëpërmjet “revolucionit me ngjyrë” në Ukrainë, do të jetë Aleksandër Llukashenko i cili me kallashnjikovë mbyti demonstratat prodemokratike në Bjellorusi në vitin 2020.
Vit i ri, arrogancë e pamatë e rregjimit. Serbia, pas një serie protestash masive do të kursehet nga prostestat deri pas festës së Krishtlindjeve ortodokse, pas së cilës do të vazhdojë dueli mes pushtetit dhe opozitës rreth rezultatit të votimeve të 17 dhjetorit, epilogu i të cilit më së shumti varet nga fakti nëse Perëndimi do të mbështesë më energjikisht asgjësimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Rivalët e Partisë përparimtare serbe në pushtet, nëpërmjet shumë provash pohojnë se zgjedhjet parlamentare janë vjedhur nëpërmjet makinacioneve të ndryshme, dhe se është ndryshuar vullneti zgjedhor në Beograd i cili është vatra të e fortë e opozitës. Në prag të Vitit të ri, me 30 dhjetor, në kryeqytet u organizua një miting i madh me slloganin “Nuk i njohim”.
Presidenti Aleksandër Vuçiç, nën emrin e të cilit pushteti udhëhoqi fushatën elektorale të listës “Seërbia nuk duhet të nbalojë”, i quajti në mënyrë provokative zgjedhjet si “më të lirat deri tani”, duke pohuar se ato u zhvilluan krahas “kritikave më të pakta se kurrë”. Duke u tallur me mendjemadhësi me opozitën, për të cilën thotë se e ka bërë fushatën me parullën “Urrej Vuçiçin”, shprehet për veten e tij se është më popullor se aktori legjendar Bata Zhivojinoviç, të cilin e adhurojnë me qindra miliona spektatorë në Kinë, për shkak të rolit të tij në filmin “Valteri mbron Sarajevën”. (Për këtë film të rregjizorit sarajevas Hajrudin Krvavac aludon edhe titulli i këtij shkrimi. Shën. i përkth.). Pastaj frikësoi popullin me mesazhin se demonstruesit përgatisin “të keqen, kaosin dhe dhunën” dhe se “sipas urdhërit nga Perëndimi do të shkatërrojnë Beogradin”.
Me dhjetra mijëra njerëz e demantuan me dinjitet. U penguan provokacione që nuk kanë pas ekzistuar më parë, gjë që pushteti e përdori për arrestimin e studentëve të akuzuar se “shkatërojnë rendin kushtetues”. Të shtunën u mblodhën njerëzit nga ProGlas (“proglas”- serbisht shpallje, glas- votë, në këtë rast ka kuptimin shpallje dhe pro votës. Shën i përkth.), një grup intelektualësh të cilëve iu bashkuan 200.000 njerëz, si edhe liderët e opozitës, studentë, sektori civil. Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese treguan “kartonë të kuq” për institucionet shtetërore meqënëse Komisioni qendror i zgjedhjeve i kishte refuzuar si “të pa baza” të gjitha vërejtjet që kanë të bëjnë me shkeljen e procesit zgjedhor.
“Ky vend është i rrëmbyer dhe i pushtuar. Disa njerëz nuk kanë as cilësi njerzore dhe kurrfarë cilësish të tjera e kanë marrë peng, për dhjetë vite e asgjësuan dhe e shpunë në situatën që gjysma e Serbisë nuk ka kurrfarë komunikimi me ne opozitarët dhe nuk mund të na dëgjojnë”, thotë Dragan Gjillasi, lider i Partisë së lirisë dhe të së drejtës e cila është shtylla e opozitës qytetare të bashkuar në koalicionin “Serbia kundër dhunës”.
Tani është periudhë qetësie. Tre liderë opozitarë ndërprenë grevën e urisë, por plani është që protestat të vazhdojnë edhe pas festave të krishtlindjeve. Ky është një nga tre frontet e rezistencës së ardhshme. Lufta tjetër është ajo nëpërmjet institucioneve, megjithëse një gjë e tillë duket si e kotë në situatën e tanishme, opozita dëshiron të tregojë se Serbia duhet të jetë shteti i institucioneve, rregullave dhe procedurave. Pjesa e tretë e planit është bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare.
Deri tani misione të ndryshme të vëshgimit të zgjedhjeve, të cilët erdhën me ftesë të parlamentit dhe qeverisë, dhe jo të opozitës, kanë shprehur dyshime serioze për legjitimitetin e procesit zgjedhor, kanë konstatuar shumë parregullsi dhe i kanë kërkuar qeverisë ti hetojë seriozisht. Meqënëse përparimtarët nuk shfaqin kurrfarë synimi që të merren me zgjedhjet për të cilat mendojnë se janë mbyllur me fitoren e tyre, opozita kërkon formimin e komisionit ndërkombëtar i cili nuk duhet të merret jo vetëm me çështjen e njohjes apo mosnjohjes së rezultateve të zgjedhjeve por duhet të kërkojë edhe ndryshime në procesin zgjedhor, në media, lista zgjedhore dhe gjithçka tjetër.
“Ne nuk kemi mundësi të kemi akses në listën zgjedhore, institucionet tona nuk kanë mundësi për të bërë hetime sepse janë nën kontrollin e Aleksandër Vuçiçit”, thotë një prej liderve të opozitës Radomir Llazoviç.
“Zgjedhjet në Serbi janë kompetencë e institucioneve shtetërore” ia kthen me cinizëm Aleksandër Vuçiçi i cili ka shumicën në parlament dhe ka vënë nën kontrollin e tij shumicën e mediave duke e kthyer kësisoj Serbinë në një shtet të robëruar. “Nuk më bëhet vonë çfarë thonë mediat dhe qeveritë e huaja, le të merren ata me veten e tyre dhe me problemet e tyre, sepse disa prej tyre kanë më shumë probleme se ne”.
A është e gatshme Europa të kritikojë ashpër dhe ti bëjë presion Vuçiçit në kohën kur prej tij pritet të përmbyllë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të veprojë sipas planit europian i cili, mes tjerash, parashikon edhe se Serbia nuk do ta kundërshtojë hyrjen e Kosovës në të gjithë institucionet nbdërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha asgjensitë e saj? Deri tani Bashkimi Europian i ka dhënë prioritet absolut krizës kosovare dhe për vite me radhë ka toleruar rritjen e pushtetit gjithnjë e më autoritar të Vuçiçit, i cili tani shënon ngritje të reja të fodullëkut agresiv, pengimit të çfarëdo kritike dhe fyerje të rivalëve politikë.
Ka shenja që tregojnë se BE-ja mund të heqë dorë nga raporti mirëdashës ndaj presidentit të Serbisë të cilin më së shumti e ka pas promovuar ish kancelarja Anxhela Merkel. Kritikat më të ashpra tani po vinë pikërisht nga Berlini.
“Një fushatë e tillë zgjedhore ishte e paparë deri tani. Përveç kësaj, deri tani ishte problem edhe ajo që opozita nuk vepronte me shkathtësi dhe nuk kishte një mbështetje kaq të vendosur të popullit”, thotë deputeti i Bundestagut Josip Juratoviç nga partia Socialdemokrate në pushtet e Olaf Sholcit. “Vuçiçi në këto zgjedhje përfundimisht ka humbur çdo besueshmëri jo vetëm në BE dhe në Perëndim por edhe në përmasa globale. Njeriu i cili bën politikë në këtë mënyrë dhe po kështu udhëheq një vend, nuk mund të jetë partner i besueshëm për askënd”.
Ndërsa Serbia është në njëfarë pushimi para Krishtlindjeve, Perëndimi ka dalë nga periudha e lavdisë dhe tani priten reagime efikase të cilat, mes tjerash, do ti bëjnë ballë edhe akuzave që vinë në mënyrë konstante nga Moska sipas të cilave opozita po përgatit një Maidan sipas skenarit ukrainas.
Moska ka paralajmëruar Beogradin se shërbimet speciale perëndimore po përpiqen të ndikojnë në punët e brendshme të Serbisë, dhe amnbasadori rus mjaft aktiv përsërit se “Për Perëndimin ka rëndësi që Serbia të rreshtohet si shtet i dëgjueshëm” dhe ti bashkohet sanksioneve kundër Rusisë. Procesi i destabilizimit, sipas vlerësimit të tij, do të ecë gradualisht duke patur parasysh situatën e pasigurtë në tërë Ballkanin. Në mënyrë të veçantë më e dobëta është Kosova, ku “gjakderdhja nuk përjashtohet”.
“Bashkimi Europian tani i thotë Serbisë se duhet ti vendosë sanksione Rusisë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës e Metohisë, pas së cilës Beogradi do të bëhet pjesë e Unionit”, deklaron shefi rus i diplomacisë Sergej Lavrov duke shtuar se ky është “presion ndaj Serbisë” sipas matricës që Perëndimi përdori në Ukrainë.
“Serbia nuk është një grusht thekër që ta çukisin sorrat”, deklaron i inkurajuar kësisoj kryetari i partisë përparimtare të Serbisë Millosh Vuçeviçi. “Nuk ka kurrfarë revolucioni në Beograd”, pohon Vuçiçi. Nëse Aleksandër Vuçiçi nuk dëshiron të jetë Viktor Janukoviçi i cili në vitin 2014 u rrëzua nga pushteti nëpërmjet “revolucionit me ngjyrë” në Ukrainë, apo do të jetë Aleksandër Llukashenko i cili me kallashnjikovë mbyti demonstratat prodemokratike në Bjellorusi në vitin 2020? Përgjigjen e saktë ndaj kësaj pyetje duhet ta japë Perëndimi kur të thotë të tijën për zgjedhjet në Serbi me 17 dhjetor 2023.
Ndoshta europianët dhe amerikanët pas shumë viteve të humbura do të kujtohen se demokracia në Europë mbrohet edhe në Ballkanin Perëndimor dhe se çdo lëshim që u bëhet autokratëve dhe nacionalistëve është gjuajtje në këmbët e veta.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/valter-okupira-beograd-920245