Boshko Jakshiç-Politika[i]
Ndërsa Millorad Dodiku në Banja Lluka jepte mesazhin se në këtë territor qëllimi kryesor është shteti serb dhe vija e tanishme e ndarjes së Republikës Srpska me Federatën e Bosnjë e Hercegovinës me kalimin e kohës do të shndërrohet në kufi, ndërsa thërriste “Rroftë Serbia, Rusia dhe bota ortodokse”, mbi territorin e Republikës Srpska fluturuan dy avionë luftarakë amerikanë F16, duke zgjeruar kësisoj, si përgjigje ndaj “aktiviteteve secesioniste”, vendosmërinë e ShBA-ve për sigurimin e integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës.
Edhe një herë data 9 janar u bë shkak për konfrontime që vërtetojnë brishtësinë e Bosnjë e Hercegovinës pas afro tri dekadash që nga nënshkrimi i paqes në Dejton. Pushteti feston “Ditën e entitetit serb”, në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës këtë ditë Gjykata kushtetuese e BH e ka shpallur jokushtetuse, ndërsa amerikanët theksojnë se nuk është problem festimi, por sepse kjo datë është e lidhur me një festë fetare ortodokse- gjë me të cilën diskriminohen kroatët dhe boshnjakët.
Kësisoj dita e Shën Stefanit, ditë kur në vitin 1992 u shpall republika srpska dhe filloi lufta civile, u shndërrua në shkak për akuza të ndërsjellta. Dodiku, për kushedi të satën herë, aktualizoi problemin e shkëputjes – në janar, në një afat prej disa orësh, nëse Përfaqësuesi i lartë Kristjan Shmid imponon Ligjin për pronat shtetërore, sipas të cilit entitetet shpronësohen nga drejtimi i burimeve shtetërore. Ministri federal i policisë Ramo Isak deklaroi në mënyrë ekspres se do ta arrestojë Dodikun një minutë pas këtij vendimi. Kërcënon me kthimin në kushtetutën e vjetër të Bosnjë e Hercegovinës sipas së cilës nuk ka as entitete dhe as prefektura, por vetëm BH unitare – gjë kundër së cilës kanë pas luftuar jo vetëm serbët po edhe kroatët.
Ndërsa Dodiku në konferencën përkujtimore i bëri karshillëk shtetësisë boshnjake, shkatërroi rendin ligjor kushtetues, ngriti lart kriminelët e gjykuar të luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, deklaroi: “Thuajeni përfundimisht se në Srebrenicë nuk ka patur genocid”, konkludoi se kroatët dhe boshnjakët i detyruan serbët të bëjnë Republikën Srpska në mënyrë që “ti ndanin nga dheu amë-Serbia”, ndërsa ShBA-të i akuzoi se po bëjnë “luftë hibride” kundër Republikës Srpska, avionët gjuajtës amerikanë mbifluturuan mbi Tuzlla dhe Brçko, por mund të dëgjoheshin edhe në Banja Lluka.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të qëndrojnë mënjanë nëse vihen në pikëpyetje marrëveshja e Dejtonit dhe institucionet e Bosnjë e Hercegovinës” këshillohet në deklaratën e ambasadës amerikane në Sarajevë. Dodiku i dënoi mbifluturimet, por më tej u përpoq të bëjë shaka se ata kanë “kontribuar në festimin e përvjetorit”.
Nuk është koha për të bërë shaka, megjithëse mbetet pikëpyetje se sa fluturimet e F16 janë sinjal i mjaftueshëm i vendosmërisë amerikane. Përsëritja e tezës sipas së cilës “synimi i popullit serb është shteti serb në këto territore” është e rrezikshme. Jo vetëm sepse disa besojnë se me këtë realizohet plani rus për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe pengimi i hyrjes së Bosnjë e Hercegovinës në NATO, por edhe sepse testohet politika e Serbisë dhe e presidentit të saj. Aleksandër Vuçiçi, në shenjë solidariteti me paradën paraushtarake dhe fishekzjarret në Banja Lluka, organizoi lëshim fishekzjarresh edhe në Beograd dhe në kryeqendrën e Republikës Srpska dërgoi një delegacion të nivelit të lartë, por gjithsesi nuk shkoi personalisht.
A është ky fakt një dëshmi se, përkundër spektaklit patriotik zhurma e matanë Drinës (Drina-lumi që ndan Republikën Srpska nga Republika e Serbisë. Shën. i përkth.) nuk ka themele në real-politikë? Sa gjatë do të qëndrojë Dodiku me aventurizmin e tij politik dhe të këmbëngulë në politikën të cilën Vuçiçi vetëm mund ta mbështesë me fishekzjarre, sepse narrativi për shkëputje gjithsesi nuk i intereson. Për Vuçiçin Kosova është poligon i mjaftueshëm për tensionime me Perëndimin, nuk i nevojitet aspak Republika Srpska e Dodikut. Aq më pak përrallat për kompensimin e Serbisë për humbjen e Kosovës – që krahas Veriut të Kosovës të marrë edhe Republikën Srpska- gjë që do të ishte prelud për luftë.
Dodiku pohon se serbët në Republikën Srpska janë “mendërisht të integruar” me Serbinë dhe do ta mbështesnin pavarësinë eventuale të Republikës Srpska. A do ta pranonte këtë Vuçiçi? Pozicioni fatmirë i Dodikut është fakti se Vuçiçi nuk guxon të rrezikojë që të duket sikur po i jep mbështetje të plotë serbëve në Republikën Srpska. Dodiku e shfrytëzon me mjeshtëri këtë duke u shfaqur në të gjithë tubimet e rëndësishme politike nëpër Beograd, duke krijuar kësisoj idenë se presidenti i Serbisë është në çdo moment me atë. Kjo është pamje tejet idilike.
Vuçiçi flirton me Moskën, por atij, Dodiku haptazi proputinist nuk i nevojitet aspak në kohën kur amerikanët për tentojnë të rikthehen në Ballkan, megjithëse pa një koncept të qartë dhe vendosmëri të madh që Bosnjë e Hercegovina e tranishme të reformohet seriozisht. E njëjta gjë vlen edhe për Bashkimin Europian. Perëndimi nëpërmjet Dejtonit ndërpreu luftën dhe kjo gjendje me kalimin e kohës është fosilizuar duke e shndërruar Bosnjë e Hercegovinën në një shtet në gjendje të ngrirë. Me një numur të tillë kantonesh, qeverish dhe ministrash, shteti është bërë shumë i shtrenjtë. Duhen paguar tejet shumë funksionarë. Popullsia po largohet. Perëndimi nuk është i gatshëm të rrezikojë ndryshime dhe formim të realiteteve të reja, por është i vendosur të ruajë status kuonë. Kjo do të thotë se gjatë gjithë kohës do t’i përgjigjet kërcënimeve të Dodikur me shkëputje të cilat lideri i Republikës Srpska i përsërit gjithë kohës me mjaft zell. Me parë do të thoja se kjo baltosje e Bosnjë e Hercegovinës si shtet i dështuar është pjesë e marketingut të tij politik për të qëndruar në pushtet.
Dodiku vërtetë mund të jetë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit, mund t’i dhurojë shefit të diplomacisë ruse ikona me prejardhje të dyshimtë dhe të krenohet me numurin e takimeve me Putinin, por gjithsesi ai është pragmatist i madh, në mënyrë të veçantë nëse kjo i sjell përfitime për të. Dikur ai iu pat kundërvënë Radovan Karaxhiçit dhe ishte i llastuari i Madlen Ollbrajtit. Pastaj u kthye për nga Moska dhe nëpërmjet kërcënimeve për shkëputje dhe rirregullim të Marrëveshjes së Dejtonit – faktikisht rirregullim të Ballkanit – çon ujë në mullirin rus duke e shndërruar Republikën Srpka në pengesë kundër hyrjes së Bosnjë e Hercegovinës në NATO.
Për amerikanët Dodiku është bërë si copa e kuqe në luftën me dema. Lënë mënjanë etiketën diplomatike duke i dhënë mesazhe liderit të Republikës Srpska, por edhe Vuçiçit, se nuk ka lojëra me integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës. Asgjë nga ëndërrat për “botën serbe” që promovon senatori i posaemëruar i Republikës Srpska, drejtori i deri para pak kohëve i Agjensinsë serbe të sigurisë dhe rusofili i deklaruar Aleksandër Vulini. “Amerika nuk do t’i shohë me qetësi përpjekjet e mundshme për ndarjen e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovina”, ky është mesazhi i qartë i ambasadës së ShBA-ve në Sarajevë, në të cilin shtohet se, Dodiku gabon rëndë nëse mendon se “ShBA-të do qëndrojnë mënjanë teksa ai po e shtyn Bosnjë e Hercegovinën në konflikt”. Rezistencë me të gjithë mjetet.
Perëndimi mund të jetë i butë ndaj Vuçiçit, duke pritur zhvillimin e krizës kosovare, por i bën me dije se nuk ka asgjë nga zgjerimi i Serbisë matanë Drinit. Kjo nuk është në interesin e presidentit serb. Kalendari i kërcënimeve të Dodikut për shkëputje është plotësuar, por reagimet kanë ndryshuar. Në muajin dhjetor deklaroi se ndarja e Republikës Srpska nga Bosnjë e Hercegovina mund të ndodhë në muajin janar. Tha se ka miq gjithandej nëpër botë të cilët në këtë rast do ta pengojnë ndërhyrjen ushtarake ndërkombëtare. Nuk dihet se cilin kishte parasysh. Mundet Putinin dhe Viktor Orbanin, meqënëse forcat hungareze kanë marrë këtë muaj, nga Austria, kryesimin e forcave ushtarake të BE në Bosnjë e Hercegovinë (Eufor). Por gjithsesi, vështirë se llogarit mbështetjen e Vuçiçit.
Të gjithë ëndërrat e turbullta mbi ndarjen e Bosnjës mes Serbisë dhe Kroacisë janë të pakuptimta. Kësaj nuk ia arritën Sllobodan Millosheviçi me Franjo Tugjmanin. A thua mendon ndokush se munden ta bëjnë Zoran Millanoviçi, Dodiku dhe lideri i kroatëve të Bosnjës, Dragan Çoviçi? Lufta tregoi sesa katastrofale janë të gjitha kombinacionet e një dysheje kundër të tretit.
ShBA-të dhe BE-ja e kanë dënuar mosrespektimin e Gjykatës kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe kërcënuan me ndëshkime nëse pushteti i Republikës Srpska feston “Ditëb e entitetit”. Duke gjykuar sioas ensperiencave të deritanishme nuk do të ketë asgjë. Bash njëlloj sikurse Dodiku nuk ka për ta realizuar synimin e tij të përsëritur disa herë mbi shkëputjen e Republikës Srpska.
Në Bosnjë edhe në të ardhmen disa do të jenë më afër Perëndimit, disa më afër Rusisë, ndërsa Bosnjë e Hercegovina si një e tërë do të jetë më larg Bashkimit Europian, në të cilin, sikurse thonë, të gjithë duan të hyjnë.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/593878/Pogledi/Prkos-na-zemlji-prkos-u-vazduhu