Dr Neven Cvetiçanin-Politika[i]
Të gjithë zgjedhjet, pavarësisht nëse bëhen në një sistem demokrtatik apo jodemokratik, i nënshtrohen një inxhinjeringu zgjedhor. Shëmbulli më i freskët për këtë janë Franca dhe Britania e Madhe, ku sapo kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare, rezultatet e të cilave janë më shumë rezultate të inxhinjeringut zgjedhor sesa shprehin vullnetin e popullit, term i cili vazhdon të mbetet abstraksion, të cilit gjithkush i jep formë ashtu si i shkon për shtat.
Britania e Madhe është pa kurrfarë dyshimi rendi politik më i qëndrueshëm në këto njëqind vitet e fundit, sepse anglezët dinakë gjithmonë kanë ecur hap pas hapi, pa revolucione të mëdha, dhe madje, edhe atëherë kur kanë qënë të detyruar t’i bëjnë, si puna e Revolucionit të famshëm të vitit 1688, i kanë bërë ata me doreza dhe tamam në atë shkallë sa është e nevojshme që gjërat të risillen në rendin tradicional kushtetues. Duke mbetur deri në ditët e sotme kombi politik më i mènçur (ose më dinaku, si të ketë ndokush dëshirë), arritën të ndërtojnë një sistem politik dhe zgjedhor i cili, në mënyrë të saktë si kronometër, shpie në rifreskim nga ata që janë tejnxehur dhe sjell në pushtet ata të freskëtit, të cilët përsëri do të tejnxehen pas disa vitesh, gjë më të cilën loja politike rinis nga fillimi. Këtu askush nuk mund të ketë fuqinë personale absolute, por fuqinë e kanë institucionet tradicionale, ndër të cilët ndoshta parlamenti dhe kurora mbretërore janë më të dukshmit, ndërsa ata që shihen më pak, dhe të cilët vigjëlojnë mbi fatin e kombit, janë ata që operojnë në mënyrë subtile dhe “me doreza”. Zgjedhjet që sapo përfunduan në Britani sollën laburistët në pushtet, jo se ata janë popullorë në mënyrë të veçantë, sepse në zgjedhje fituan vetëm 34 përqind të të gjithë votave, por sepse poli konservator është ndarë, punën kryesore në këtë ndarje e ka realizuar përsëri lepurushi i vjetër i dalë “nga doreza” Najxhell Farazhi duke i marrë me partinë e tij Reformiste votat e konservatorëve, me të cilat, në përputhje me matematikën, qerasi laburistët me shumën më të madhe të mandateve në parlament. Nuk është e vështirë të parashikosh se qeveria e tyre do të jetë popullore vetëm në fillim të mandatit kur do të kthehemi në harmoninë e fabrikuar të qeverisë klasikisht jopopullore dhe opozitës klasikisht premtuese, gjatë së cilës nuk është gjë e pamundur që ndokush të nxjerrë diçka nga sirtari për Farazhin e tejnxehur dhe ta sjellë në masën që nevojitet, sepse ai është ekzotikë politike dhe nuk është i parashikuar për rritje pa nevoja të mëdha. Englezët dinakë kësisoj kanë ndërtuar sistemin më të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe gjithfarë sistemi tjetër, me atë që, te ata, ka qënë gjithmonë e ditur se kush e korr barin dhe kush mbart ujin, dhe kanë mëkuar me shumë kujdes partitë e tyre politike tradicionale të cilat vazhdojë të qëndrojnë edhe atëherë kur në tërë Perëndimin ato rrënohen nën yryshin e populizmave të llojeve të ndryshme.
Komshinjtë e tyre matanë La Manshit, francezët gjithmonë të paqetë dhe të predispozuar për revolucione, pikërisht po mundohen me këtë populizmin e Marin Le Penit që ka marrë yrysh, por për fat të mirë Franca, në një sërë megallomanësh dhe revolucionarësh, ka patur gjatë historisë së saj edhe ndonjë shtetar të mirëfilltë i cili u ka lënë trashëgim një sistem të grasatuar mirë, i cili punon vetvetiu si me autopilot madje edhe atëherë kur brenda vendit dhe botës gjithçka rrënohet. Kolosi i fundit politik i këtij lloji në Francë ishte gjenerali legjendar Sharl de Gol, i cili formoi Republikën e Pestë aktuale në Francë si presidenti i saj i parë, duke i lënë asaj në kuptimin kushtetues dhe zgjedhor të ashtuquajturin “parlamentarizëm i racionalizuar”, i cili asnjë partie nuk i’a lejon të “marrë yrysh” tej mase pa nevoja të mëdha. Thelbi i këtij sistemi është sistemi kushtetues (gjysëm)presidencial dhe sistemi zgjedhor me shumicë të thjeshtë dhe me dy raunde, të cilin Makroni e shfrytëzoi në mënyrë mjeshtërore që nëpërmjet një inxhinjeringu zgjedhor të menduar mirë të zvoglojë rezultatin e së djathës ekstreme, më së pari duke shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pas atyre europiane dhe pastaj duke rilindur të majtën dhe duke bërë me atë, në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, një koalicion joformal në mënyrë që të shkaktonte humbjen e kandidatëve të grumbullimit Popullor të Le Penit. Ndoshta kjo digë që i është vënë së djathtës ekstreme është vetëm momentale, sepse, sipas të gjitha gjasave ajo do të vazhdojë të rritet, gjë e cila realisht do të varet nga ngjarjet zgjedhore në një shtet tjetër me të cilin Franca është e lidhur në mënyrë të veçantë që nga koha kur revolucionarët e njërës palë dhe tjetrës, turreshin sëbashku kundër aristokracisë para dy shekujve.
Natyrisht, këtu është fjala për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zyrtarisht fuqia më e madhe e Perëndimit dhe akoma fuqia më e madhe e botës, megjithëse jo edhe aq më e fuqishme sa ka qënë para një çerek shekulli, sepse bota që atëherë ka ndryshuar shumë. Ngjarjet dhe telashet e atjeshme zgjedhore aktuale për zgjedhjet presidenciale që përfundojnë në muajin nëntor nuk ka dyshim se do të ndikojnë në tërë botën, e në mënyrë të veçantë në Europë, politika e së cilës është ende jehonë e asaj amerikane. Nëse atje fiton Trampi, shanset e të cilit janë rritur ndjeshëm pas fitores së TV duelit me Bajdenin, ku dukej se është më i ri dhe më energjik se presidenti aktual jo katër vjet, por njëzet, do të ngrenë lart aksionet politike të Le Penit në Francë dhe në përgjithësi të djathtistëve të thekur në tërë Europën. Ky duel televiziv shkaktoi panik në radhët e demokratëve amerikanë të cilët tani po përpiqen sesi ta marrin me të mirë Bajdenin në mënyrë që ai të dalë nga gara dhe t’ia lërë vendin një kandidati më të ri dhe më të freskët, gjë për të cilën nuk ekzistojnë as mekanizma kushtetues dhe apo politikë, por varet nga dëshira e Bajdenit që të vetëdigjet në përfitim të partisë, gjë që është tejet e panjohur, dhe jo bash e zakonshme në Amerikë. Në çdo rast, inxhinjeringu që ka “bërë” Bajdeni tani punon kundër tij dhe do të jetë interesdante të shihet se shohin në Amerikë dialektikën e mëtejshme mes inxhinjerëve dhe prodhimeve të tyre deri dje të detyrueshme.
Sido që të përfundojë kjo, dhe sipas të gjitha shanseve do të përfundojë në mënyrë “elegante”, drejt “meremetimeve” të reja, sikurse do të jenë në fund të këtij vitit, do të shkohet gradualisht, sepse vetia e sistemeve demokratike, pa marrë parasysh nëse janë angleze, franceze apo amerikane, është se diskutimet dhe dilemat e brendshme zgjidhen në mënyrë elastike dhe elegante, kur nëpërmjet dueleve të ndryshme, matjeve, sondazheve dhe në fund zgjedhjeve konkrete përcaktohet se cili është më i freskëti për ta drejtuar kombin. Në këtë pasqyrë të vogël pamë se as sistemet demokratike nuk janë të çliruara nga inxhinjeringu zgjedhor, sepse vetë koncepti i sistemit implikon inxhinjeringun, por ai është aq subtil dhe pa prirje për ta tepruar, saqë mundëson elasticitetin e rendit, gjë që nuk e kanë sistemet politike autoritare, të cilët do të kenë fat nëse kanë liderë të aftë, por fatkeqësisht si rregull nuk i kanë.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] ttps://www.politika.rs/sr/clanak/622593/Pogledi/Slatke-muke-demokratije