Boshko Jakshiç-[i]
Amerika është në krizë. Trampi është rrezik për demokracinë, por ka të drejtën për t’u zgjedhur. Ata që e kundërshtojnë këtë të drejtë janë njëlloj të rrezikshëm për demokracinë.
Kronikat e historisë janë të mbushura, që nga Jul Cezari, me emra mbretërish, perandorësh, presidentësh dhe kryeministrash të cilët i kanë zemëruar kaq shumë kundërshtarët ose individët fanatikë saqë ata vetë kanë përfunduar si viktima të ideve të tyre. Atentatet janë bërë pjesë përbërëse e historiografisë politike qëkur në shekullin e 11-të u shfaqën asasinët, pjesë e sektit shiìt, vrasës nga Lindja e Afërt dhe brigjet persike të detit Kaspik. Emrin e morën nga fjala “hashashistë”, sepse, detyrimisht, para vrasjes, thithnin një sasi hashashi.
Me kalimin e shekujve taktika nuk ka ndryshuar aspak. Që nga trashëgimtari i frontit të Austro-Hungarisë Franc Ferdiandni, mbreti i Jugosllavisë Aleksandër, Mahatma Gandi, Martin Luter Kingu, Indira Gandi, Benaqzir Buto, Jitzhak Rabini, Olaf Palme, Shinzo Abe…
Në Amerikë kanë vrarë katër presidentë. Dikur, si në rastin e Abraham Linkolnit, këto kanë qënë përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e historisë dhe politikës. Herë herë, si në rastin e Ronald Reganit kanë qënë vepër e individëve të sëmurë mendërisht.
Tomas Mathew Crooks nuk ishte “hashashist”. Ishte i rregjistruar si republikan. Motivin përse nëpërmjet nishanit të pushkës i’u drejtua shefit të partisë së tij e mori me vete në varr, por dihet se ideja për të vrarë Donald Trampin u shfaq në mesin e një shoqërie të ndarë në mënyrë të rrezikshme në të cilën dhuna ka bërë shtëpinë. Në Amerikën, e cila e quan veten me krenari lider i botës së lirë, ka gjithnjë e më pak tolerancë, e gjithnjë e më shumë amerikanë të armatosur. Një pakicë shumë e zëshme shfrytëzon me mjeshtri rrjetet shoqërore dhe teoritë e komplotit që të mbështesë dhunën, e cila ka qënë pro ose kundër ndonjë kandidati presidencial. Trampi ishte presidenti i parë në historinë e ShBA-ve që refuzoi të njohë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Inkurajoi në mënyrë indirekte pasuesit e tij që të sulmojnë në Capitol Hill ku shfaqën një shpërthim të paparë vandalizmi dhe zemërimi.
Politikanët, më shumë se kurrë, duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur zgjedhin fjalët, por Trampi glorifikoi gjuhën e urrejtjes. U bëri thirrje zgjedhësve që të votojnë për të dhe të mundin “të gjithë gënjeshtarët, mashtruesit, përdhunuesit, perversët, hajdutët dhe fantazmat”. Tani u bën thirrje të njejtëve njerëz të jenë të bashkuar dhe të shfaqin karakterin e vërtetë të amerikanëve. “Ky është rast i mirë për të bashkuar vendin, madje tërë botën”.
Thirrje bën edhe presidenti Xho Bajden i cili menjëherë pas më pas, si xhentelmen, kontaktoi Trampin, sulmin e quajti si të “sëmurë” dhe bëri thirrje për “unitet dhe qetësim të pasioneve”. Problemi i shefit të Shtëpisë së Bardhë është se ka gjithnjë e më pak asish që dëgjojnë fjalët e tij të humbura në mënyrë konfuze në demencë.
Tjetër punë është nëse liderët e demokratëve dhe republikanëve këtë ngjarje të pakëndshme do të shfrytëzojnë për të ulur tensionet dhe dobësuar ndarjet e ashpra në shoqërinë amerikane. Kjo mbetet të shihet. Atentatorët janë individë, herë të paguar, herë veprojnë si “ujqër të vetmuar”, por shumë rrallë janë jashtë mjedisit shoqëror. Kur përsëritet gjithnjë “ai atje” dëshiron të shkatërrojë vendin dhe popullin e tij, se përpiqet të imponojë vlera të huaja apo “dekadente”, del një “patriot me snajper” i cili e gjuan gjarpërin në kokë.
A do të kishin ndryshuar rrjedhat e historisë nëse nuk do të kishte patur atentatorë të suksesshëm? Sikur ajo këmba masive e tavolinës në shpellën e Ujkut të mos e kishte shpëtuar Adolf Hitlerin në muajin korrik të vitit 1944, a do të kishtë përfunduar lufta ndonjë vit më parë dhe kësisoj do të ishin shpëtuar shumë jetë njerzore? Sikur në vitin 1963 të mos ishte vrarë Xhon F. Kenedi, a do të kishte hyrë Amerika në luftën e Vietnamit? Sikur Regani të ishte vrarë, a do të kishte një marrëveshje me Mihail Gorbaçovin mbi ndalimin e Luftës së Ftohtë?
Ndoshta. Historiani i lavdishëm Kristofer Klark ka shpikur konceptin e “lunatikëve” për të shpjeguar rrugën nga njëra katastrofë në tjetrën. Pa Luftën e Parë Botërore nuk do të kishte ngritje të mëvonshme të nazizmit, revolucionit bolshevik dhe stalizizmit. Politikanët europianë atëbotë, si lunatikë, ecën drejt humnerës. Kur u zgjuan ishte vonë.
Ndoshta shumë veta mendojnë sot se jetojmë në kohën e lunatikëve, në kohën kur politikanët qëllojnë me fjalë, akuzohen nder vedi, dhe jo pak europianë mendojnë se gjithçka është e mundur, përfshirë edhe luftën e madhe me Rusinë.
Atentati kundër kryeministrit sllovaj Robert Fico në muajin maj të këtij viti ishte i motivuar politikisht. Si edhe, duke gjykuar nga të gjitha gjasat, sulmi kundër Trampit i cili shkakton shqetësim ndërsa ai vetë nuk meriton dhembshuri njerzore. Trampi gjatë mandatit dhe pas zgjedhjeve të vitit 2020 pohonte me kokëfortësi se është viktimë e përndjekjeve politike dhe gjyqësore dhe e gjuetsisë së shtrigave. Me sulmin fizik ndaj tij mori edhe vërtetimin.
Po ravijëzohen linja të reja fronti që mund të shndërohen në një luftë shumë të ndyrë me rastin e këtij incidenti, i cili gjithsesi do të formësojë fushatën për zgjedhjet e nëntorit. Politikanët gjithandej nëpër botë do të kishin një rejting të ulët sikur situata të tilla të mos i përdornin- për veten e tyre. Në erën e propagandës incidenti i 24 korrikut shumë shpejt u shndërrua në një dhuratë për fushatën zgjedhore.
Nuk janë më mirë as mediat. Fox News-i raportoi mbi Trampin si simbol të fuqisë dhe kurajos amerikane duke i’a kthyer kusurin CNN-së, The New York Times-it dhe The Washington Post-it për fushatën shumëvjeçare kundër Trampit, gjë e cila kërcënoi themelet e gazetarisë së lirë.
Estabilishmenti liberal gjuan gjithandej. Trampi është rrezik për demokracinë, por ka të drejtë të zgjidhet. Ata që e kundërshtojnë një gjë të tillë janë të rrezikshëm për demokracinë.
Ish presidenti vërtetë ka shfaqur një shkallë mbresëlënëse pranie shpirtërore. Rejtingu i Trampit po rritet. Fotoja me grushtin e shtërnguar, me gjakun në fytyrën e tij, mund të bëhet ikona e tërë fushatës dhe, pothuajse me siguri, do t’ia hapë dyert e Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që të përpiqet ta bëjë Amerikën të madhe – dhë më pak demokratike.
Nuk është e vetmuar Amerika në nevojën për t’u përcaktuar qartazi ndaj dukurisë së dhunës politike. Çdo përpjekje për marrjen e jetës është akt për dënimin më të lartë. Politikanët duhet të zvoglojnë rreziqet, në mos për gjë tjetër, atëherë për veten e tyre. Ekstremizmi duhet eleminuar, por kjo nuk duhet të shfrytëzohet për mbytjen e zërave të ndryshëm dhe kritikën legjitime.
“Shpresoj se kjo çmenduri urrejtje që po përhapet në mbarë botën të ndalohet dhe të ekzistojnë respekt më i madh për qëndrime të tjera, shikime të tjera”, porositi, me rastin e sulmit, presidenti Aleksandër Vuçiç. “Kam besimin se ne në Serbi do të arrijmë të ruajmë gjykimin dhe ta kuptojmë se sa e rëndësishme është paqa, sa rëndësi ka stabiliteti dhe ta shtyjmë vendin të ecë përpara”- shtoi ai.
Po, po. Duhet ta ruajmë gjykimin, por në mendimet dhe qëndrimet e njerëzve ndikojnë politikanët. Nëse ndezin urrejtje ndaj “elitave të gënjeshtërta liberale” që mendojnë se “u është dhënë e drejta e Zotit të gjykojnë për gjithçka”, shumë lehtë mund të rekrutohet ndonjë nga populli mbi karakterin e të cilit ekziston një “linjë e njohur violente”, sikurse ka thënë Jovan Cvijiçi.
Lunatikët nuk bëjnë deklarata.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/era-mjesecara-969933