Vlado Vurushiç[i]
Vladimir Putini i ka bërë Aleksandër Vuçiçit një ofertë historike, por nëse refuzon ftesën e Putinit për të vizituar Rusinë, skandali është i paevitueshëm, rekomandojnë nga Moska.
Gazeta proqeveritare ruse “Vzgljad’ në një koment të sajin e këshillon haptazi Vuçiçin se mosshkuarja e tij eventuale të Putini do të ishte skandal i madh i cili mund të lëkundë raportet ruso-serbe, por edhe “skandal brenda vetë Serbisë”. Me këtë e paralajmërojnë Vuçiçin se ata kanë “njerëzit e tyre” të cilët mund të “gatuajnë ndonjë çorbë”.
Paralajmërimi mbi “skandalin në Serbi” është kërcënimi më i madh i hapur deri tani që i vjen Vuçiçit nga Moska. Sikurse dihet, gjatë vizitës së para pak kohëve të bashkëpuntorit të Vuçiçit, Aleksandër Vulin, të cilin edhe mediat proqeveritare ruse e quajnë “palë ruse” në qeverinë serbe, nga presidenti Putin, erdhi ftesa për presidentin serb që të marrë pjesë në samitin e afërt të BRICS-it në Kazan. Por, me të marrë këtë ftesë të ndërlikuar nga Putini, Vuçiçi, sipas zakonit të tij të vjetër, filloi t’i bijë rrotull.
Spërdredhjet e Vuçiçit
Zvarritja rreth shkuarjes në Rusi filloi sepse Vuçiçi mori mesazhin nga Brukseli se “kësaj here nuk bëhet shaka”. Për këtë deklaroi menjëherë se “kemi mjaft vizita me rëndësi, sikur thonë fëmijët – rrëmujë në gjashtëmbëdhjetëshe”, gjë me të cilën aludoi se tashmë ka “marrëveshje të mëparshme” dhe se kurrsesi nuk ka mundësi të shkojë te Putini në Kazan. “Faleminderit njerëzve nga BRICS-i për ftesën dhe presidentit Vladimir Putin. Kemi edhe Nju Jorkun, e tashmë e di se në koridoret e OKB-së do të bisedoj më së paku me gjashtë presidentë dhe më sëpaku me shtatë, tetë kryeministra”, tha Vuçiçi. Një ditë më pas shkoi në kazermën e Loznicës, për t’u qetësuar paksa, por atje e gjeti ambasadori rus në Serbi Aleksandër Bocan-Harçenko, i quajtur me lezet si “Guvernatori i Putinit për Ballkanin”, i cili, me sa duket, i përshpëriti në vesh se nuk do të ishte gjë e mirë që të “refuzohej Putini”, në një kohë që shumë shpejt do të jetë në tryezë “oferta e gazit” për Serbinë. Sepse në muajin mars të vitit 2025 mbaron afati i marrëveshjes për gazin (e përshtatshme) dhe i kujtoi se momentalisht vetëm Bjellorusia e paguan gazin më pak se Serbia, por gjithçka mund të ndryshojë. Gjë pas së cilës Vuçiçi deklaroi se gazetarët e kanë kuptuar gabim sepse ai “nuk e ka refuzuar Putinin”, por saktësisht ka thënë “do të shohim” dhe se i dha vetes një muaj kohë për t’u menduar.
Samiti në Kazan
Kujtojmë se samiti te Putini do të mbahet nga 22 deri me 24 tetor. Kazani kësisoj po bëhet “kazan i valuar” për Vuçiçin. Gazeta “Vzgljad” thekson se për Vuçiçin mund të jetë shumë e sikletshme nëse Putini e ka ftuar në samit që Serbia të përfshihet në BRICS, gjë që nuk është e pamundur. Atëherë Vuçiçi do të gjendej në terren të minuar. Por, për Moskën ka rëndësi që Vuçiçin ta tërheqë në samitin e BRICS-it në mënyrë që të krijohej përshtypja se ata “po i marrin dikë” Europës, sidomos kur është fjala për një shtet kandidat për anëtar të BE-së. Në Serbi gjithsesi është shfaqur iniciativa që vendi të kthehet për nga BRICS-i, e të mos harrojmë se mbështetja për BE-në në Serbi ka rënë nën 40 përqind. Duket qartë pra se Vuçiçi tani gjendet në një pozitë të sikletshme, ose sikurse mund të themi ka “rënë në dhëmbët e darës”, sepse i bëjnë presion nga Brukseli dhe nga Moska e cila nuk dëshiron që vetëm t’i shkelë syrin. Gazeta “Vzgljad” thekson se kësaj here Vuçiçi do të duhej ta pohojë shkuarjen ose “të tërhiqet e të mos fyëje askend” dhe mendojnë se kjo “do të jetë e vështirë”. “Vuçiçi lëkundet vazhdimisht, ai është akrobati ekulibrist më i mirë në Europë, kësisoj do të jetë interesante të shohim sesi do t’i dalë kësaj here, sepse në këtë rast nuk është e lehtë t’i kënaqë të dyja palët, edhe Perëndimin edhe Moskën”, mendon Vzgljad.
Dy kërcënime
“Do të përgjigjemi rreth datave 10-15 tetor”, tha Vuçiçi pasiqë mori dy kërcënime: nga Brukseli që të mos shkojë dhe nga Moska që as të mos i shkojë ndërmend të mos shkojë. Gazeta moskovite proqeveritare “Vzgljad” vë në dukje se ftesat drejtuar një shtetari tjetër nuk bëhen “ashtu kot”, por gjithçka është rregulluar që më përpara në mënyrë që të evitohen situatat e pakëndshme. Kujtojmë se Vuçiçi në një nga “fjalimet drejtuar popullit”, mbajtur para një muaji e dinte se “do të jetë i ftuar në samitin e BRICS” dhe për këtë ka folur që më përpara edhe Ivica Daçiçi gjë të cilën e kanë të rregjistruar edhe kamerat. “Vzgljad” nënvizon se ftesa të tilla shpallen publikisht vetëm pasi të jetë harmonizuar gjithçka, e për më shumë një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë me Vladimir Putinin, i cili gjithsesi nuk refuzohet. Portali rus përmend se Vuçiçi ndoshta edhe do të vijë, por “mama e ka këshilluar-jo”, me “mamën”, Vzgljadi ka parasysh Ursula von der Leyen-in. Ajo, sikurse nënvizohet, tashmë i’a ka dërguar paralajmërimin në lidhje me këtë Vuçiçit, gjë që e vë në një situatë mjaft të sikletshme, mendojnë në Moskë.
Vuçiçi dhe Putini nuk janë takuar prej një kohe të gjatë, qëkur filloi agresioni në Ukrainë. Putinit nuk i erdhi mirë që Serbia blen armë perëndimore, e ai i jep gaz me çmim më të lirë se në treg, e kësisoj ka tema për të diskutuar kokë më kokë. Rusia ka frikë se mos Serbia u largohet, megjithëse Vuçiçi vazhdimisht u betohet se “nuk do t’i vendosë sanksione”, dhe se “Serbia nuk do të heqë dorë nga Rusia dhe Kina”, por po ashtu nuk mund të anashkalojë njëfarë pakënaqësie në Bruksel me këtë politike serbe. Përveç kësaj, për Rusinë ka rëndësi që Vuçiçi të shkojë në Kazan dhe për këtë i pëlqen gjithnjë e më pak “afrimi” i tij me BE-në (nuk janë të kënaqur me vizitën e kohëve të fundit të kancealrit gjerman Olaf Sholc dhe presidentit francez Emmanuel Makron në Beograd), pa marrë parasysh “premtimet” e vazhdueshme të Vuçiçit të cilat i përsëriti edhe Aleksandër Vulini para Putinit- se Serbia, për kurrfarë kushtesh nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë, as do të hyjë në NATO, megjithëse është nën presionin e vazhdueshëm të Perëndimit.
Ka një muaj kohë
Një muaj kohë që i dha vetes, sikurse mendojnë në Moskë, “Vuçiçi ka shumë mundësi që t’i shpenzojë duke u menduar nëse duhet të udhëtojë për në Kazan ose jo, por edhe në tregti me Perëndimin”. Mbetet në pikëpyetje nëse shkuarja e tij në Kazan nuk do t’i merret për keq, njëlloj si puna e mosvënies së sanksioneve që prej dy vitesh e gjysmë. “Por, një muaj, është afat i shkurtër sepse në këtë rast bëhet fjalë për atë se i pamposhturi Vuçiç do të duhet t’ia kalojë edhe vetvetes, ose sëpaku të bëjë njëfarë zgjidhje”, konkludon Vzgljad në bërë një paralajmërim të qartë për presidentin serb dhe se kohës së qëndrimit në shumë karrike i ka ardhur fundi.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/putin-je-vucicu-dao-povijesnu-ponudu-ako-odbije-skandal-je-neizbjezan-imat-ce-problema-i-u-srbiji-15499974