Zoran Meter[i]
Kohët për lojërat e shurdhëve dhe memecëve tashmë kanë kaluar dhe gjërat kanë filluar të shpërfaqen haptazi dhe realisht. Për diçka të tillë ekziston shpresa, sepse po fillojnë procese të reja gjeopolitike, megjithëse ende askush dhe asgjë nuk mund të garantojë në kuptimin e arritjes së suksesit përfundimtar. Në të vërtetë, ka patur shumë gënjeshtra, mashtrime, gjak dhe mosbesim gjëra të cilat nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit.
Fitorja e javës së kaluar e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale amerikane përfundimisht do të pasqyrohet edhe në modalitetet e rergullimit të situatës në Lindjen e Mesme duke patur parasysh simpatitë jo të fshehura të tij ndaj intresave të politikës së jashtme izraelite nga njëra anë, por, nga ana tjetër, edhe pragut maksimal të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, pas së cilës gjendja mund ta kalojë në kaos të plotë, të cilën askush nuk e dëshiron.
Por jo më pak e rëndësishme, kjo edhe për shkak të faktit se pikërisht për shkak të qëndrimit të hapur mbrojtës të Trampit dhe ShBA-ve, amerikanët nuk mund ta luajnë më rolin e ndërmjetësit tradicional në Lindjen e Mesme (zaten nuk ishin në gjendje t’a luanin as në kohën e administratës së tanishme në largim e sipër të Bajdenit), mes palëve në konflikt dhe interesave tejet të ndërlikuara të lojtarëve kryesorë të atjeshëm. Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një qëndrim tejet të hapur proizraelit nga i cili nuk kanë ndërmend të heqin dorë, sipas të cilit ata këtë vend duan t’a mbrojnë me çdo kusht nga armiqtë realë dhe potencialë – domethënë të gjithë, gjë e cila edhe në kohën e administratës aktuale është bërë me dije haptazi dhe fort. Po, është e vërtetë, palestimezëve në Rripin e Gazës u kanë dërguar ndihmë humanitare, por njëkohësisht izraelitëve u kanë dërguar armët më moderne me të cilat ata godasin po ata palestinezët. Diçka e ngjashme sikur palestinezëve t’u thonë “mbahuni burra!”, ndërsa izraelitëve “bini sa të mundeni”!
Megjithatë, plotësisht të vetëdijshëm për realitetet e reja të karakterit global dhe rajonal (hyrja e fuqishme e Kinës dhe e Rusisë në rajon dhe marrëveshjet veçanërisht të reja me Iranin por edhe në përgjithësi me vendet arabe: Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjyptin si dhe politika e afrimit të Arabisë Saudite me Iranin- deri vonë dy antagonistët më të mëdhenj rajonalë- e filluar që vitin e kaluar por pikërisht tani e intensifikuar, si edhe interesat specifike të Turqisë si anëtare e NATO-s që sillet në radhë të parë në mbrojtje të interesave të saj dhe e cila është konfliktuar egërsisht me Izraelin vitet e fundit), Uashingtoni nuk ka iluzione mbi mundësinë e vazhdimit të lojës së ShBA-ve si fuqi neutrale (megjithëse në këtë rajon nuk ka qënë kurrë plotësisht e tillë).
Meqënëse as Uashingtoni (as administrata e tanishme dhe as ajo e ardhshmja) përfundimisht nuk dëshiron t’i tërheqë ShBA-të në një konflikt të madh rajonal para së gjithash me Iranin, për shkak të ndjeshmërisë së bazave të tij të vendosura në rajon, por edhe faktit se Irani, gjeografikisht, demografikisht dhe ushtarakisht është një shtet i madh dhe i fortë me forca ndërmjetëse –proxy- të pakëndshme duke filluar nga Iraku nëpërmjet Sirisë dhe Libanit e deri në Jemen) është e qartë se Trampi me lëvizje të forta diplomatike do të kërkojë nga Izraeli vetëpërmbajtje të skajshme ushtarake, krahas dëshirës së tij të njëkohshme të formimit të parametrave të sigurisë dhe vendosjen e raporteve izraelite me Iranin në një kuadër të durueshëm.
Për këtë do të përdorë edhe presionet me futjen e sanksioneve të reja kundër Teheranit, por edhe me përpjekje për arritjen e një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, nga e cila, kujtojmë, se ShBA-të janë tërhequr në mënyrë të njëanshme gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018, duke premtuar se do të arrijë një “marrëveshje të re dhe më të drejtë”, gjë së cilës në fund nuk i’a arriti. Gjithashtu do të kërkojë mbështetjen e lojtarëve të tjerë të jashtëm që të ndikojnë, mbi të gjitha ndaj Iranit pa zbutjen e qëndrimeve të të cilit kurrfarë marrëveshje nuk mund të arrihet as do të mund të kënaqë kushte edhe interesat minimale kombëtare dhe të sigurisë të cilët Teherani i ka vënë para palës kundërshtare.
Të gjithëve përnjëherësh po u pëlqen Rusia
Në këtë kontekst, si një prej shteteve i cili vetvetiu imponohet si ndërmjetësi i mundshëm më me ndikim për rregullimin e gjendjes në Lindjen e Mesme, është Rusia. Dhe jo vetëm që imponohet, por edhe këtë gjë dhe për këtë qëllim e kërkojnë edhe një sërë lojtarësh të atjeshëm, përfshirë edhe vetë Izraelin. Tani për tani diplomacia në këtë drejtim zhvillohet në një heshtje të rreptë, larg dritave të skenës.
Asgjë e pazakontë dhe befasuese, nëse abstargojmë faktin se Rusia ende është e preokupuar në mënyrë parësore me Ukrainën dhe përpjekjet e deritanishme të pasuksesshme të bashkësisë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje në mënyrë që ta ndalojë atë konflikt të rrezikshëm, e le më pastaj të vendosë paqe të qëndrueshme. Por, duket qartë se një gjë e tillë pengon pakkënd. Janë në pyetje gjëra tjera shumë më me rëndësi se sa vetë Ukraina, dhe Lindja e Afërme përfundimisht është e tillë, edhe përkundër vëmendjes së përgjithshme mediatike të përqëndruar kryesisht në Ukrainë – por kjo ekskluzivisht për shkak të strategjisë dhe interesave amerikane në luftë me Rusinë të cilat shterruan dhe duhet qartë se ka ardhur koha për rirregullim ose madje edhe ndryshim të plotë, gjë për të cilën do të vendosë administrata e ardhshme e Trampit, sepse kjo aktualja, për shkak të ndryshimeve të tërë paradigmës pas zgjedhjeve presidenciale të javës së kaluar – nuk është më në gjendje të ndërmarrë kurrfarë lëvizje me rëndësi strategjike.
Që po ndodh diçka në këtë drejtim, dëshmon edhe lajmi i djeshëm i ardhur nga Izraeli. Sikurse njoftoi të dielën, me 10 nëntor, radioja izraelite Galei Tzahak, lajmin e së cilës e përcollën edhe mediat ruse, politikani izraelit Ron Dermer (ministër në qeverinë izraelite për planifikimin strategjik), i cili konsiderohet se person i besuar i Benjamin Netanjahut, ka kryer një vizitë sekrete në Rusi javën e kaluar. Sipas vëzhguesit politik izraelit Yanivu Kozinu, Rusia mund të luajë një rol kyç në vendosjen e paqes, kryesisht në kuptimin e stabilizimit të situatës në Liban dhe në pengimin e armatosjes së milicisë shiìte proiraniane Hejzbollah.
Zyra e ministrit izraelit për planifikim strategjik Dermer refuzoi të komentojë situatën, ndërkohë që, sipas lajmeve nga mediat, Ron Dermeri të dielën do të udhëtojë në Uashington për një vizitë katërditore me qëllim “bisedimet përfundimtare mbi paktin për Libanin”. Më parë është bërë me dije se Izraeli po shqytron mundësinë e ndërprerjes së përkohëshme të luftimeve në veri me synim evitimin e një Rezolute të Këshillit të Sigurimit. Burimet pohojnë se “ka ardhur koha që fitoret e arritura nga forcat izraelite të sigurisë të konsolidohen me një marrëveshje diplomatike”.
Fjalë domethënëse të Putinit në klubin e debateve Valdaj
Që po “gatuhet diçka e rrezikshme” në lidhje me temën në fjalë dëshmojnë edhe deklaratat e javës së shkuar të presidentit rus Vladimir Putin gjatë ditës së parë të mbajtjes së debatit ndrkombëtar të klubit Valdaj në Moskë, kur pas fjalës së hyrjes kaloi shumë orë duke i’u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve mbi temat aktuale globale.
Duke i’u përgjigjur pyetjeve të një gazetari të njohur alegjerian si dhe të një gazetari tjetër nga Arabia Saudite mbi temën e Izraelit dhe lidhjet e Putinit me Benjamin Netanjahun (konkretisht, a vazhdojnë të jetë ato lidhje përsëri miqësore apo nuk janë më të tilla) dhe për të ardhmen e rajonit të Lindjes së Afërme, udhëheqësi rus, me shumë kujdes, por në mënyrë të qartë, la të kuptohej se Rusia ka ndërmarrë një iniciativë të fshehtë diplomatike për ndalimin e konflikteve dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqesore e cila do të ishte në interes të të gjithë lojtarëve kryesorë të atjeshëm. Putini tha se ajo duhet të sigurojë edhe interesat kyçe të sigurisë për Izraelin, por edhe të marrë parasysh shqetësimin e justifikuar të Iranit. Tha se bëhet fjalë për një proces afatgjatë por tejet të ndjeshëm dhe se tani për tani vetëm “duket drita në fund të tunelit”, por akoma nuk mund të thuhet asgjë me siguri. Nga fjalët e Putinit, megjithëse këtë nuk e tha drejtpërdrejt, u dha të kuptohej se në këtë kontekst po mbahen edhe kontakte diplomatike mes Moskës dhe Uashingtonit.
Për këtë lajmi mbi vizitën e djeshme të fshehtë të zyrtarit të lartë izraelit (më saktë të besuarit të Netanjahut) në Moskë gjithsesi duhet ta konsiderojmë reale. Kohët për lojërat e shurdhëve dhe memecëve tashmë kanë kaluar dhe gjërat kanë filluar të shpërfaqen haptazi dhe realisht. Për diçka të tillë ekziston shpresa, sepse po fillojnë procese të reja gjeopolitike, megjithëse ende askush dhe asgjë nuk mund të garantojë në kuptimin e arritjes së suksesit përfundimtar. Në të vërtetë, ka patur shumë gënjeshtra, mashtrime, gjak dhe mosbesim gjëra të cilat nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit.
Që nuk ka më kohë dhe se gjërat po ndryshojnë me ritëm të përshpejtuar dëshmon edhe lajmi i djeshëm mbi vizitën e Shefit të Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Arabisë Saudite, gjeneralit Fayyad al-Ruwali në Iran. Atje ai u takua me kolegun e tij iranian gjeneralin Mohammed Bagheri dhe bisedoi për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve – gjë e cila deri para pak kohësh ishte e krejtësisht paimagjinueshme. Këta dy vende jo që nuk kanë menduar për bashkëpunim ushtarak, por jo rrallë kanë qënë buzë konfliktit mes tyre.
Në rajon dhe në botë janë vendosur partneritete të reja dhe po lidhen aleanca të reja. Po krijohen blloqe të reja ushtarake, politike dhe ekonomike. Rendi i vjetër ndërkombëtar definitivisht është i vdekur dhe t’ia adresohesh atij nuk ka më kuptim. Prandaj është afati i fundit që të vendosen rregulla loje të reja në mënyrë që realiteti i ri gjeopolitik që po lind të mos dalë nga kontrolli. Në të kundërt shumë shpejt gjërat mund të përfundojnë në një katastrofë me përmasa të papara.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/meter-o-tajnom-posjetu-netanyahuovog-pouzdanika-rusiji-pokusaj-stvaranja-dosad-nevidenog/