Boshko Jakshiç[i]
Trumpi pohon “Amerika e Para”, por kjo nuk do të thotë “Amerika e vetmuar”.
Donald Trampi pas katër vitesh rikthehet përsëri në Shtëpinë e Bardhë ndërsa bota pyet cila do të jetë diplomacia e tij e cila do të ketë ndikim vendimtar në realitetet e reja globale, rrymat politike dhe diplomacisë, luftërave dhe pajtimeve, tregtisë dhe çmimeve të energjentëve….
Shumë gjëra janë ende në sferën e së panjohurës duke patur parasysh paparashikueshmërinë e mirënjohur të Trampit, dhe shpesh, edhe mendimin jokoherent, por, pas mandatit të parë, gjithsesi është e mundur të diktohen disa konture të vendimeve të cilët absolutisti do t’i dërgojë nëpërmjet platformës “X” nga Zyra Ovale.
Trampi, në periudhën 2016-2020, ishte presidenti i parë pas Xhimi Karterit i cili nuk hyri në luftëra të reja nëse përjashtojmë bombardimin e Sirisë në vitin 2017. Koncepti i tij është “paqe nëpërmjet fuqisë”, moto kjo e Xhorxh Uashingtonit dhe e Ronald Reganit. Ai eviton konfliktet, por bën me dije se nuk do të tërhiqet nëse ndokush përpiqet seriozisht ta kërcënojë slloganin “Amerika e para”. Rivalët i këshillon të friëksohen nga fuqia amerikane. Trampi pohon se sllogani “Amerika e para” nuk do të thotë “Amerika e vetmuar”, megjithëse gjatë mandatit të parë ka shfaqur përbuzje për multilateralizmin.
KINA Kina është temë e rrallë rreth asaj se Trampi do ta marrë stafetën nga Xho Bajdeni. Do t’a ashpërsojë luftën tregtare që ai vetë ka iniciur në vitin 2018. Që tani kërcënon me tarifa doganore për mallrat kineze në nivelin 60 përqind. “Dogana është fjala më e bukur në fjalor”, shprehet ai.
Megjithëse Kina është kreditorja dhe garanti më i madh i Amerikës, Trampi niset nga ajo se ekonomia e dytë e botës nuk është vetëm kërcënim tregtar por edhe i sigurisë në rajonin e Pacifikut që është prioriteti i tij absolut. Një politikë e tillë mund të ketë një efekt bumerang edhe për vetë Amerikën, për të cilën Kina është tregu më i madh burimor, por edhe për ekonominë globale.
Emërimi i pritshëm i dy pasuesve të politikës agresive nda Kinës, senatorit Mark Rubio si sekretar shteti dhe Majk Waltzit si këshilltar për sigurinë ëshë lajm i keq për komunistët në Pekin. Trampi ka thënë fjalë të mira për Si Gjin Pingun, por e konsideron rrezikun më të madh që nga koha e Mao ce Dunit- jo për shkak të autokracisë, por për shkak të aleancës strategjike me Rusinë dhe praktikës së biznesit që i ka bërë ShBA-të të varura nga mallrat e lira kineze.
Përmbysja më e madhe në raport me Bajdenin mund të ketë lidhje me Taivanin. Trampi do t’i kërkojë Tajpehut të paguajë më shumë për mbrojtjen e tij, gjë që nuk do të thotë se do ta ulë mbështetjen, si edhe as për aleatët e tjerë në rajonin e Pacifikut.
Linja e komunikimit me Kinën nuk do të ndërpritet.
RUSIA Politika ndaj Rusisë do të jetë njëfarë testi për diplomacinë e Trampit. Ai pohon se, qëkur është larguar në vitin 2020 nga Shtëpia e Bardhë, ka biseduar shtatë herë me Vladimir Putinin. Raporti ndaj shefit të Kremlinit është në funskion të përpjekjeve gjeostrategjike që Moskën ta largojë nga Pekini, por edhe pohim i gatishmërisë pragmatiste për ta respektuar realitetin e botës së re në të cilën hegjemonia amerikane dobësohet, ndërsa Rusia dhe Kina nuk i fshehin ambicjet për të qënë lider të jugut global.
Trampi nuk do të lejojë përparimin e ndikimit rus në Europë dhe për këtë do të mbështesë aleatët europianë dhe të NATO-s – duke evituar gjithmonë konfrontimin direkt me Rusinë. Do të jetë një politikë e kalibruar pa eufori ideologjike që dinte t’a shpërfaqte edhe Bajdeni.
UKRAINA Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e ka takuar Trampin në muajin shtator dhe, që atëherë, nuk ka pushuar së mbuluari atë me komplimente dhe ishte ndër të parët që e përgëzoi për fitoren, megjithëse kishte arësye më shumë se të gjithë për t’u shqetësuar. Trampi dhe zëvendëspresidenti i tij JD Vance mendojnë se Ukraina ka pjesën e saj të përgjegjësisë për invazionin rus dhe kritikojnë financimin amerikan të luftës që deri tani i ka kaluar 180 miliardë dollarët.
Trampi pohon se do t’i nevojiten 24 orë që të arrijë paqen, por kjo duket joreale njëlloj si edhe plani i Zelenskit për fitoren. Sipas asaj që dihet, Trampi liderët e Kievit do t’i kërcënojë me ndalimin e ndihmës, ndërsa shefin e Kremlinit me rritjen dramatike të kësaj ndihme për Ukrainën, nëse nuk arrihet paqa. Plani parashikon krijimin e zonës së demilitarizuar përgjatë linjës së tanishme të frontit, si dhe premtimin se Ukraina nuk do të kërkojë antarsimin në NATO. Plani është i afërt me idetë e Putinit, por absolutisht i papranueshëm për Zelenskin. Çfarë do të bëjë Trampi me të, këtë askush nuk e di me siguri.
EUROPA/NATO Përveç pushtetit në Kiev, fitorja e Trampit më shumë shqetëson europianët. Ai nuk ka simpati për Europën dhe po ashtu nuk është nga fansat më të mëdhenj të NATO-s. Dhe anasjelltas. Herë herë ky është mosineteresim, herë herë armiqësi e hapur. Rritet rreziku i konfliktit tregtar mes ShBA-ve dhe BE-së. Në kontinent frikësohen më shumë nga ajo se largimi i çadrës mbrojtëse në rastin e tërheqjes së Trampit nga NATO-ja- gjë për të cilën ai ka folur në mandatin e parë – mund të lëkundë seriozisht themelet e Unionit. Nuk është harruar kërcënimi i Trampit se do t’i lejojë rusët të bëjnë “çfarë dreqin të duan” me ata vende që nuk e paguajnë faturën e tyre. Të gjithë e mbajnë mend deklaratën e vitit 2018 kur Malin e Zi e përshkroi si komb të çmendurish konfliktozë për të cilët akush nuk ka ndërmend të hyjë në luftën e tretë botërore.
Trampi do të vazhdojë të këmbëngulë që shpenzimet për mbrojtjen të ndahen në mënyrë të njëtrajtshme dhe do të kërkojë që përqindja të shpenzimeve për mbrojtjen të rritet në tre përqind. Në këtë moment, tetë nga 32 anëtarët e NATO-s nuk e përmbushin këtë kriter.
“Europa e jonë është sot në koma dhe mund të vdesë”, paralajmëroi në muajin prill të këtij viti presdienti francez Emanuel Makron. Në botën “Amerika e para” kjo nuk përjashtohet.
LINDJA E AFËRME Nëse luftërat në Gaza dhe në Liban nuk përfundojnë para inaugurimit të Trampit me 22 janar 2025- gjë që është pak e mundshme – Lindja e Mesme do të jetë prioritet me rëndësi të madhe të politikës së jashtme amerikane. Që gjërat të jenë të qarta: mbështetje akoma më e madhe për Izraelin dhe vazhdim i politikës së “presionit maksimal” ndaj Iranit, i cili, edhe për shkak të afrimit të tij me boshtin Msokë-Pekin do të jetë vatër e agresivitetit të politikës së jashtme të Trampit. Ka mundësi që Trampi në mënyrë indirekte ta inkurajojë Izraelin për të sulmuar Iranin. Në muajin tetor ai deklaroi se duhet që “Izraeli ta godasë i pari nuklearisht, dhe për të tjerat të mendojë më vonë”.
BALLKANI PERËNDIMOR Dy janë adresat në Ballkanin Perëndimor ku fitorja e Trampit është pritur me eufori: Serbia dhe Republika Srpska. Aleksandër Vuçiçi, në bisedën telefonike “të shkëlqyer, të përzemërt dhe me përmbajtje” me Trampin, u mburr se Serbia e ka pritur me entuziazmin më të madh në Europë fitoren e tij. Millorad Dodiku thotë se “kthimi i Trampit në Amerikë do të thotë kthim i arësyes”.
Trampi në të gjitha anët e botës po grumbullon nacionalistët populistë me tendenca shprehimisht autoritare. Për këtë shpresat janë të mëdha. Beogradi e glorifikon Trampin jo sepse ka bërë ndonjë gjë për Serbinë, por sepse është i gatshëm të dëgjojë argumentet. Llogariten edhe arranxhimet ekonomike sepse për shefin e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë këto deal-e kanë rëndësi. Këtë e ka treguar edhe në vitin 2020. Me Marrëveshjen e Uashingtonit kur deshi t’i përdorë dollarët për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithçka u mbyll me atë që Izraeli i njohu Kosovën. Çfarë do të ndodhë nëse Trampi tërheq forcat e KFOR-it nga Kosova, gjë për të cilën është folur gjatë mandatit të tij të parë? Kush do t’i mbrojë serbët e Kosovës?
Problemi i dytë serioz është në horizont. Beogradi ka “miqësi të çeliktë” me Kinën dhe është plotësisht në anën tjetër të qëndrimeve të ashpra të Trampit për Pekinin. Çfarë mund të ndodhë nëse Trampi, në stilin e tij të njohur paralajmëron: Zotërinj, nëse dëshironi partneritet me ShBA-të, çlirohuni nga Kina. Merre ose lëre. Tensione në horizont.
Trampisti Dodik shpreson për ndryshime të rëndësishme të politikës amerikane ndaj Bosnjë e Hercegovinës, por gabohet. Trampi nuk ka për ta ndryshuar politikën e mbështetjes për Marrëveshjen e Dejtonit e cila zgjat që prej tri dekadash.
A thua është harruar dhe nuk është rregjistruar me kujdes një salto morale paraardhëse e Dodikut? Ai dikur ishte darling-u i Madlein Olbrajtit, por më pas u kthye në mënyrë prej servili drejt Putinit. Trampi mund t’ia lejojë vetes që të koketojë me shefin e Kremlinit, por kjo nuk do të thotë se do të amnistojë një lojtar të vogël si Dodiku dhe t’a heqë nga lista e zezë. Ndoshta Trampi, në atë paparashikueshmërinë e tij, edhe e bën një gjë të tillë, por kjo do të jetë në kuadrin e një marrëveshje me Putinin në të cilin Dodiku as që do të pyetet fare.
Më kot Dodiku u shpejtua t’a përgëzojë Trampin dhe të qëndrojë në radhë duke pritur ndonjë dhuratë nga Shtëpia e Bardhë. E vendos veten më kot në të njëjtin rrafsh dhe solidarizohet me Trampin në rolin e viktimës. Është truk i njohur tashmë. Nga altari i viktimave, Dodiku përpiqet të japë vetëm një mesazh: nëse amerikanët zgjodhën një njeri të përndjekur, ka mundësi të më ruajnë edhe mua.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/trumpov-mir-kroz-snagu-998113