Filip Shvarm–[i]
Vuçiçi thotë se problemi është zgjidhur. I ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve dhe tani vazhdon sipas planit të rregullt të trajnimit luftarak dhe aktiviteteve të tjera të përparimtarëve (Partia Përparimtare – partia në krye të së cilës është presidenti Vuçiç. Shën. i përkth.) Megjithatë, bllokadat komemorative po vazhdojnë të përhapen në tërë Serbinë. Në rrugë po dalin edhe nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa mbështetje për protestat vjen edhe nga Akademia e Shkencave dhe Millosh Bikoviçi (aktor i njohur serb. Shën. i përkth)
Ku qëndron problemi?
Problemi numur një – Vuçiçit nuk i beson askush. Nga stërpërdorimi, të vërtetat e tij alternative janë të lodhshme dhe irrituese. Pak a shumë si puna e bllokadës së reklamave nga Pink-TV. Në këtë kontekst nuk është në vendin e fundit as fakti se kërkesat e studentëve në thelb nuk janë plotësuar – as nuk dihet nga vinë paratë dhe gjithçka tjetër lidhur me rinkonstruksionin e Stacionit hekurudhor në Novi Sad, dhe ata vazhdojnë të sulmojnë me bllokada. Dorëheqjet e detyruara të peshqeve të vegjël dhe arrestimi i tyre sipas parimit të peshkatarëve amatorë sportivë (e zë peshkun, e fotografon, e puth dhe e lëshon përsëri në ujë) janë tejet larg së vërtetës.
Problemi numur dy – këta të rinj kanë hedhur shtat nën pushtetin e përparimtarëve. Ka kohë që janë pjekur dhe stërpjekur, e kësisoj kërkesat e tyre nuk është se i’a paraqesin Vuçiçit për zgjidhje. Thjesht i thonë – nuk jeni kompetent. Në përkthim: nuk duam të hedhim valle sipas muzikës së tij, shteti dhe rendi juridik, kurrsesi nuk guxojnë të jenë një njeri i vetëm. Nuk ka këtu naivitet, por ka pjekuri të madhe. Çmontimi i pushtetit përbindësh, fillon me kthimin e tij në kufinjtë kushtetues pa marrë parasysh cilat janë mbartësit e pushtetit. Kështu, mes tjerash, çlirohet shteti i zënë peng.
E treta dhe e fundit – protesta e studentëve kundër dahive (kështu janë quajtur feudalët e mëdhenj në kohën e pushtimit turk në Serbi-shën. i përkth.) është klithmë e shoqërisë së çuar në buzë të mbijetesës në sajë të aturitarizmit, korrrupsionit, kriminalitetit, partitokracisë, fodullëkut dhe moskompetencës së rregjimit… Pasojë e të gjithë këtyre janë pesëmbëdhjetë të vdekurit nga rënia e terracës së rinovuar të Stacionit hekurudhor në Novi Sad. Për këtë mbështetja e studentëve nuk është vetëm çështje e politikës, por edhe e etikës elementare të të gjithë neve.
ZGJIDHJE SIPAS MËNYRËS SË TIFOZËVE
Përparimtarët, ata të cilët mund të vendosin për ndonjë gjë këtyre ditëve, duken paksa të hallakatur. As ata nuk i besojnë Vuçiçit, por vazhdojnë edhe më tej të besojnë te ai. Prandaj, është e pritshme që si puna e kapos të ekipit tifozllëk-interes të gërmojë me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara për të vënë rregull në tribunë. Domethënë, të mbysë protestën, t’i kthejë studenët në bankat e shkollës ndërsa opinionit publik të ekzaltuar t’i vërë një leckë me kloroform në gojë.
Në këtë moment Vuçiçi vështirë se mund t’i përmbushë synimet e klientëve të tij. Si edhe çdo lider autoritar e mundon dilema nëse do të duket i dobët dhe me këtë do të demoralizojë të tijët si puna e tij, apo t’a shtërngojë rripin dhe me këtë të mobilizojë akoma më shumë oponentët dhe dhe të zgjerojë mbështetjen për studentët.
Meqënëse nuk është në gjendja t’a zgjidhë këtë dilemë, presidenti i Serbisë përdor një miksim kërcënimesh dhe përpejkjesh për blerje. Nuk e shkojnë për dore as njëra as tjetra. Sepse sadoqë të përpiqet, Vuçiçi nuk i ka kapacitetet t’i kuptojë studentët. Këtë e ka pohuar edhe vetë. Duke treguar për ditët e tij studentore në Fakultetin Juridik, tha se ai – ndërsa Goran Vesiçi (politikan serb i rreshtuar në vitet 1990, në fillim të karrierës politike, përkrah Zoran Xhinxhiçit, e më vonë përkrah Vuçiçit, deri këtë vit ka qënë Ministër i ndërtimit, infrastrukturës dhe komunikacioneve por u detyrua të japë dorëheqjen pas ngjarjes së Novi Sadit, ku vdiqën 15 veta. Shën. i përkth.) dhe të tjerët i “udhëhiqnin studentët” ai ngrohej në sallat e mësimit dhe mësonte pa ndëprerje. Por përse pati dalë rinia në fillim të viteve 90-të në protesta? Dihet, për shkak të kundërshtimit të luftës, sanksioneve, izolimit, varfërisë….
Si t’ia shpjegosh këtë Vuçiçit i cili nga salla e leksioneve u ul direkt në kolltukun sheshelian të Sekretarit të përgjithshëm (të partisë radikale, kryetar V. Sheshel. Shën. i përkth.)? Kurrsesi. As sot e kësaj dite nuk është në gjendje t’a kuptojë faktin se dikush lufton për interesin publik, nderin dhe drejtësinë pa asnjë interes personal. Përe këtë shkak synon matrapazllëkun –paksa akuzon studentët, u thotë se janë ushtarë në luftën hibride, diku u ofron para “nga shteti”, dikë tjetër e rrahin provokatorët përparimtarë dhe policia, paksa shprehet se u ka dhënë “gjithçka ka kërkuar” dhe u’a ka zgjidhur problemin e banimit…
Si edhe çdo udhëheqës autoritar i vërtetë me temperaturë të lartë, Vuçiçi e di mirë se çelësin e ndryshimeve e ka opinioni publik. Dhe që ky opinion po ndryshon me shpejtësi dhe nuk duhet ngacmuar kurrsesi më shumë, dëshmon edhe mbështetja që morën studentët nga Fakultetet, Universiteti, shkollat e mesme, shoqatat e ndryshme artistike, personalitete publikë, e shumë të tjerë të cilët deri tani kanë heshtur gjatë numurit më të madh të viteve të poushtetit të përparimtarëve.
Me këta të fundit ata nuk janë ndeshur deri tani asnjëherë. Gjithashtu, numuri më i madh i antarëve të partisë përparimtare është i etur për jetë normale; këtyre njerzve u kanë ardhur në majë të hundës fushatat e vazhdueshme, rendja për vota të sigurta, shumat e parave që u duhet të paguajnë për t’u punësuar, atmosfera e frikës dhe e nënshtrimit… Edhe ata janë në njëfarë mënyre nën terracën e cila rrezikon të bjerë.
SI T’IA BËJMË MË TEJ VËLLEZËR DHE KUSHURINJ
Edhe sikur studentët t’a ndërpresin bllokadën teksa po shtypet ku numur i revistës “Vreme” (19 dhjetor 2024), ata e kanë sendërtuar atë që është më e rëndësishmja. Kanë fituar frymën e solidaritetit, kurajos personale dhe mospranimit të gënjeshtrave, korrupsionin dhe, në përgjithësi mënyrën e mbrapshtë të drejtimit të vendit dhe, kjo frymë nuk mund të kthehet më në shishe. Ajo është operacionalizuar tashmë politikisht.
A mund t’a shfrytëzojë opozita? Nëse nuk gabojnë rëndë përsëri dhe qëllojnë këmbët e tyre – duhet të bëjnë sa më shumë. Në zgjedhjet e ardhshme ndoshta edhe nuk do të mund të marrin vota për veten e tyre si të tillë, por ka shumë mundësi që të bëjnë për vete një numur të madh votuesish që do të votojnë kundër përparimtarëve.
Serbia nuk duhet t’u nënshtrohet premtimeve të Vuçiçit. Megjithatë sa herë që shpreh ndonjë premtim Vuçiçi dëgjohet jehona e fishkëllimave studentore para presidencës, e ata (premtimet) u ngjajnë gjithnjë e më shumë karikaturave të karikaturistëve serbë Korkas dhe Petriçeviç.
Nuk kanë për të lëshuar pé as Vuçeviçi, Brnabiçi e të tjerët, Por, me kalimin e kohës, ata bëhen humbës dhe qesharakë si puna e atij drejtorit të gjimnazit “Jovan Jovanoviç Zmaj” të Novi Sadit , i cili në vend që të mbledhë forcat dhe të përballet me nxënësit, shkakton pështirosje publike duke qëndruar në gjunjë për orë të tëra në oborrin e shkollës.
Është tashmë e ditur se studentët i’a kanë hapurt dyert ndryshimeve në vend. Megjithatë, nuk është se ato janë diku aty pas kthesës. Gjithçka është duke ndodhur është fillimi i fillimit, por gjithsesi me vlerë të papërshkrueshme.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA