Ivan Krastev[i]
Sociologët Beti Grejson dhe Moris Stajn në vitin 1981 bënë një studim, tashmë legjendar, mbi mënyrën sesi të njerëzit e dhunshëm i përzgjedhin shënjestrat e tyre potenciale. Sociologët në fjalë vendosën një video kamera në një trotuar në Nju Jork dhe filmuan njerëzit që ecnin nëpër të. Rregjistrimi më pas është shfaqur në një burg në Bregun Lindor të ShBA-ve, para të dënuarve që kryenin dënime për vepra të kryera me dhunë (plaçkitje e armatosur, përdhunime dhe vrasje) ndaj njerëzve të panjohur. Të burgosurit morën instruksione të vlerësonin secilin nga këmbësorët me numurat nga një – shënjestër për plaçkitje shumë të lehtë, deri në dhjetë – situatë e ndërlikuar.
Rezultatet ishin mahnitëse. Secili i burgosur kishte zgjedhur pikërisht të njëjtin individ i cili, sipas mendimit të tyre, përbënte një shenjestër premtuese. Vendimet e tyre nuk ishin të bazuara ekskluzivisht te gjinia, raca apo mosha e shtyrë, siç mund të pritej. Kishte kritere të tjera që ndikuan në vendimet e tyre. Kriminelët lexonin të folmen joverbale të trupit të kalimtarëve të rastit – si ecin, si e kthejnë kokën, si i lëvizin duart dhe kokën, sa duken me vetëbesim – dhe këto parametra i përdorën në përzgjedhjen e tyre. Synonin ata të cilët, sipas mendimit të tyre, silleshin si viktima.
Më erdhi në mendje ky studim teksa për mendoja mbi dilemat strategjike europiane për shkak të administratës së re në Shtetet e Bashkuara. Lëvizjet e mëparshme të ekipit të Trampit sinjalizojnë se presidenti i sapozgjedhur ka vendosur të demonstrojë fuqinë e tij jo vetëm duke i’u kundërvënë armiqve të amerikanëve, por edhe duke nënshtruar aleatët e Uashingtonit. Kërkesat e Donald Trampit për Groenlandën dhe Kanadanë, dhe tvitet e Elon Maskut që bën thirje për ndryshimin e rregjimit në Britaninë e Madhe, janë treguesit më të qartë të këtij gambiti. Trampi duket qartë se ka shpresë se me kërcënime të ashpra do t’i detyrojë aleatët e tij që t’i nënshtrohen.
Shtetet antare të BE-së kanë arsye të mira për t’u shqetësuar se mos qëndrimi i Uashingtonit mund të ndjekë idenë e deklaratës së paradokohëshme të ish presidentit rus Dmitri Medvedev, sipas së cilës “është e domosdoshme t’u ofrohet ndihmë të gjithë proceseve destruktive në Europë”.
Anketimi global i opinionit publik në fundin e vitit 2024, të cilin e zhvilloi Këshilli Europian për marrëdhënie me jashtë sugjeron se, kur të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, “një pjesë e madhe e botës do t’a presë me mirëseardhje Trampin”. Ndërsa europianët dhe koreanjugorët e shohin si fodull dhe të dhunshëm, shumica e të tjerëve besojnë se ai është i mirë për Amerikën dhe vendin e tyre dhe për paqen botërore.
Ndoshta kjo mbështetje është pasojë e mbështetjes spontane për fitimtarin. Kjo mund të përmbyset nëse bëhen të vërteta doganat me të cilat ai kërcënon, ose nëse vazhdojnë konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt.
Këtu po ndodh diçka më interesante. Mosrespektimi i hapur i Trampit të rregullave ndërkombëtare në botën perëndimore konsiderohet më i mirë se hipokrizia e padurueshme e administratës liberale paraardhëse. Nën Trampin, ShBA-të përfundimisht do të bëhen fuqi e madhe normale – imperialiste, por jo kryqtare. Nuk do të bëjë më sikur është më e mirë, por do të sillet nën supozimin se është më e fortë nga të gjithë vendet e tjera.
Megjithatë, anketimet e Këshillit të Europës për marrëdhënie me jashtë zbulojnë edhe disa prirje që flasin për mundësitë e Europës. Ndoshta bota joperëndimore do t’a presë Trampin me mirësëardhje, por shumë veta atje e shohin Kinën si hegjemoni i ardhshëm, dhe jo ShBA-të.
Pika kryesore e strategjisë globale të Trampit në vitin 2016 ishte ndarja e Kinës dhe Rusisë. Kjo nuk është më reale. Anketat që ka bërë Këshilli i Europës tregojnë se gjatë vitit të kaluar shoqëritë ruse dhe kineze, si edhe liderët e tyre, e konsideronin njëri tjetrin aleatë. Ndërsa Amerika është e gatshme të flakë aleatët e saj, Moska dhe Pekini zbulojnë përparësitë e partneritetit të tyre.
Megjithatë, megjithëse duket se Trampi e ka hequr nga tefteri Europën, shumë veta jashtë perëndimit e konsiderojnë atë tejet të fuqishme. Më e rëndësishme për Europën në këtë mjedis armiqësor është të mos sillet si viktimë. Shtetet europiane nuk kanë përse të shpejtohen, as t’i përulen presidentit të ri, por as edhe t’i kundërvihen. Duhet të ndajnë kohë për vendimin se çfarë duhet të bëjnë me megakompanitë amerikane teknologjike ose si t’i përgjigjen kërcënimeve për doganat. Duhet të hyjnë në mënyrë aktive në bisedime me Turqinë dhe fuqitë e tjera perëndimore mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën. E përballur me presionin që vjen nga Trampi, Europa duhet t’i përkushtohet vetes, dhe jo t’i kundërvihet Trampit. Atë kanë për t’a shqetësuar më shumë liderët e fokusuar te shoqëritë e tyre sesa ndaj administratës së re amerikane.
Kyçi i strategjive europianë duhet të bazohet në dijen se, në mënyrë paradoksale, 20 janari nuk është vetëm fillimi i mandatit të dytë të Trampit në postin e presidentit, por edhe kulmi i ndikimit të tij global. Pas këtij momenti, rruga ecën vetëm teposhtë.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA