Vlado Vurushiç[i]
Protestat studentore në Serbi kanë hyrë në një fazë kritike. Pas grumbullimit shumë të fuqishëm emocional të 1 dhe 2 shkurtit në Novi Sad, kur grumbulluan simpatitë e hapura jo vetëm të Serbisë por edhe të rajonit, dhe kur studnetët e Beogradit dhe Novi Sadit u mblodhën si bërthamë kundër rregjimit të Aleksandër Vuçiçit, shumë veta shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhë më tej, sepse tashmë e kanë përjetuar kulmimin e protestës së tyre dymujore. Por, megjithëse ekstaza ëqshtë në kulm, dhe shpresa është rikthyer në Serbi, Aleksandër Vuçiçi dhe rregjimi i tij japin ende shenja jete dhe qëndrimi në pushtet. Pas një grumbullimi të tillë, kur studentët beogradas marrshuan në këmbë deri në Novi Sad, gjë me të cilën bashkuan një pjesë të mirë të shoqërisë serbe, pritej goditja përfundimtare sepse shtrohet pyetja se sa gjatë mund të mbajë ky shpërthim protestues.
Rregjimi, më sa duket, nuk vihet në pikëpyetje, ndërsa është më se evidente se Aleksandër Vuçiçi nuk largohet vullnetarisht nga pushteti. Ai nuk do të veprojë si puna e Ficos në Sllovaki për shkak të humbjes së shumicës në parlament, ai mund të bjerë ose me largimin e tij vullnetarisht, gjë që është e vështirë të besohet, ose të detyrohet t’a bëjë një gjë të tillë – qoftë nëpërmjet masës së protestuesve dhe i braktisur nga levat e pushtetit të tij të tërhiqet si Millosheviçi, qoftë duke i’a mbathur në Rusi ose Hungari, gjë për të cilën, kohët e fundit po përshpëritet nën zë nëpër Beograd. Gjykuar nga të gjitha gjasat, ai nuk ka për t’u tërhequr ashtu kollaj para masës së protestuesve, të themi me dorëheqje ose nëpërmjet “pensionimit politik”. E vetmja zgjidhje në mënyrë që i tërë ky aktivitet të mos shkojë dëm është që, si në Sllovaki apo në Gjeorgji, protetstat të përcaktohen qartazi politikisht. Atëherë mund të dihet se kush është dhe për çfarë është dhe, kush është dhe kundër kujt është.
Studentët tani për tani paralajmërojnë një gumbullim të ri, akoma më kumulativ, njëfarë kreshendo kyçe – protesta në Beograd me 15 shkurt, në Ditën e Shtetësisë së Serbisë, e cila festohet në përkujtim të Kryengritjes së parë serbe të vitit 1804. Por nga ana tjetër, edhe rregjimi ka paralajmëruar manifestime të mëdha me rastin e asaj dite, kështuqë tani për tani është në pikëpyetje se çfarë do të bëjë si njëra palë ashtu edhe tjetra në dhjetë ditët e ardhshme. Pra është evidente se studentët detyrimisht duhet ta “politizojnë” revolucionin e tyre në mënyrë që ai të mos shfryhet dhe të përfiket.
Deri tani, studentët nuk deshën t’i politizonin protestat dhe as pranuan opozitarët afër tyre. Të gjitha protestat e opozitës deri tani, rregjimi i ka shpërndarë me dhunë, në ndryshim nga protesta aktuale e studentëve, me të cilën Vuçiçi po vepron me doreza, duke shpresuar se ky zjarr rinor, ashtu siç ka lindur në mënyrë spontane, ashtu edhe do të përfiket. Kjo me sa duket është e vetmja shpresë e Vuçiçit, para se të dilet me kërkesa politike, sikurse në Sllovaki apo në Gjeorgji, ku pozicionet janë plotësisht të qarta.
Për hir të së vërtetës, kryengritja studentore, sadoqë ata pohojnë se nuk ka konotacione politike, është politike që ç’ke me të sepse ndryshe nuk ka si të jetë. Studentët luftojnë kundër rregjimit duke thënë se dëshirojnë që “institucionet të bëjnë punën e tyre me përgjegjësi dhe në mënyrë të paanshme” duke kërkuar zgjidhjen e problemit të tragjedisë në Novi Sad, si dhe thonë se duhen ndëshkuar të gjithë personat përgjegjës pavarësisht nga funksioni i tyre. Por nga ana tjetër, ata e kanë të qartë këtë kur shprehen se të gjithë “institucionet janë nën kapelen e Vuçiçit”. Çfarë do të thotë kjo? Në mënyrë që institucionet të fillojnë e të bëjnë punën e tyre, duhet t’i largohen kontrollit të Vuçiçit, e si është e mundur një gjë e tillë pa largimin e tij? E kjo do të thotë vetëm një gjë- duhet të dalin me kërkesa të qarta politike, sadoqë një gjë e tillë është frikësuese për studentët, tezë së cilës i ikin si djalli nga temjani. Por, nëse mendojnë të arrijnë ndonjë gjë, duhet të kenë një agjendë politike, dhe këtë për shumë çështje, jo vetëm në kuadrin e zgjidhjes së tragjedisë së Novi Sadit.
Kryengritja duhet përcaktuar politikisht, në mënyrë që të dihet se çfarë dëshirojnë dhe cilët janë prioritetet. Momentalisht, kryengritja po grumbullon masa gjithnjë e më të gjëra njerëzish, por me agjenda politike të ndryshme, sikurse ishte dikur me rastin e përmbysjes së paraardhësit të Vuçiçit Sllobodan Millosheviçit. Sjellim në kujtesë se, pas rënies së Millosheviçit, erdhi në pushtet Zoran Xhinxhiçi, por në krye të një koalicioni tejet të gjërë dhe heterogjen, e për pasojë reformat e domosdoshme u bllokuan dhe u bojkotuan nga brenda. Është e qartë se shumë politikanëve opozitarë serbë u përshkëndit në mendje fati i keq i Xhinxhiçit. Pikërisht me këtë kartë luan edhe Vuçiçi. Ai përpiqet të mbjellë përçarje. Ky është rreziku më i madh. Ai ka ftuar studentët dhe profesorët të mërkurën me 5 shkurt për bisedime në të cilat, sikurse thotë, janë “për të mirën jo vetëm të të rinjve por të tërë shoqërisë”. Por duket se do të na duhet të presim mesin e muajit shkurt që të dimë diçka më shumë. Pas kësaj do të ketë përgjigje të sakta. Për hir të së vërtetës kurrë nuk i dihet. Ndoshta edhe më parë. Është Serbi kjo.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/srbija-je-u-totalnoj-ekstazi-ali-vucic-nece-otici-dragovoljno-prosvjedi-ulaze-u-kriticnu-fazu-krucijalni-datum-15-veljace-15549404?cx_linkref=jl_home_vijesti_prva_pasica