Zoran Meter-[i]
Trumpi e di mjaft mirë se strategjia e tij e “presionit maksimal” nuk mund të zbatohet te Putini (i cili nga ana e tij e njeh mirë) si ishte rasti p.sh. te presidenti kolumbian apo ai panamez. Këto gjëra mes fuqive bërthamore thjesht nuk ekzistojnë. Trumpi si biznesmen me eksperiencë, e di se me Putinin (si edhe me presidentin e çdo kompanie rivale, kur bëhet fjalë për biznesin) duhet të bëjë tregti. Dhe ka me çfarë.
Diçka e madhe po “luhet pas skenës”! Sëpaku nëse gjykojmë sipas ndryshimit të menjëhershëm të qëndrimit të zëdhënësit të presidentit rus Dimitri Peskov mbi zhvillimin e bisedimeve mes Rusisë dhe ShBA-ve, vetëm dy javë pasiqë Donald Trumpi mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë.
Rikujtojmë se është pikërisht Peskovi i cili në këtë periudhë, shumë herë para gazetarëve ka deklaruar se, nuk ka kurrfarë bisedimesh, e lëre më pastaj përparim mes dy palëve dhe se Moska pret propozimin e parë zyrtar nga ana e Donald Trumpit, sepse është ai që ka marrë detyrën e re dhe atij i takon të propozojë vizionin e tij për zgjidhjen e konfliktit ukrainas. Do të shtoja jo vetëm të atij konflikti, por edhe të gjendjes dhe dinamikës tejet të rrezikshme në raportet amerikano-ruse në vitet e fundit, madje në dhjetëvjeçarin e fundit.
Peskovi pohoi se nuk ka patur ende kurrfarë propozimesh zyrtare nga ana e Uashingtonit për bisedime mes Trumpit dhe presidentit rus Vladimir Putin, por, përsëriti se Putini është i gatshëm gjithmonë për bisedime me Trumpin, se pret ftesën e tij zyrtare, ose sëpaku bërjen publike të qëndrimit zyrtar të administratës së re për përfundimin e luftës ukrainase.
Deri tani një plan i tillë nuk është bërë publik, por konturet e tij të mundshme i kanë bërë me dije disa bashkëpuntorë të afërt të Trumpit – gjë të cilën Moska nuk deshi t’a komentojë zyrtarisht, por përsëriti me këmbëngulje kushtet e saj tashmë shumë të njohura për përfundimin e luftës së përmendur të cilat Putini i pati formular në fjalimin e tij para diplomatëve në Ministrinë ruse të punëve të jashtme në muajin qershor të vitit të kaluar.
Kujtojmë se foli për nevojën e fillimit mbi negociatat e ardhshme mbi realitete të reja të cilët përfshijnë edhe aneksimin nga ana e rusëve të katër rajoneve ukrainase në juglindje të vendit (mbi bisedimet në lidhje me statusin e Krimesë, Moska as dëshiron të flitet, dhe këtë ka kohë që në Perëndim dhe në Kiev e kanë të qartë këtë fakt, megjithëse nuk e thonë zyrtarisht). Gjithashtu, Putini atëbotë si kërkesë kryesore nënvizoi edhe statusin neutral ushtarak të Ukrainës, respektimin e të drejtave të popullsisë rusishtfolëse dhe kishës ortodokse urkainase nën Patriakanën e Moskës, dhe shenjoi si fakt kryesor atë se edhe në bisedimet paraprake të cilët delagacioni rus dhe ai ukrainas kishin rënë dakord që të zhvilloheshin në muajin prill 2022 në Stamboll, ishin vënë në dukje pikërisht këto teza si bazë nga e cila duhej nisur në bisedimet e ardhshme.
Duhet të heqin dorë nga territoret
Edhe diçka me rëndësi- Putini kërkon arritjen e marrëveshjes paqesore për përfundimin e luftës ukrainase, ndërsa ideja e Trumpit niset nga supozimi se Kievi, për hir të së vërtetës, duhet të heqë dorë nga territoret e pushtuara në territorin e Rusisë, por është e nevojshme të ngrihet ky konflikt, ndërsa Ukraina për një afat të gjatë (një periudhë nga 10 deri 20 vite) do t’a ketë të pamundur në hyjë në aleancën e NATO-s. Kjo për Moskën është plotësisht e papranueshme, sepse mendon se ngrirja e luftës do t’i mundësonte Ukrainës të armatoset akoma më shumë dhe me kalimin e kohës të fillonte operacionet për kthimin e territoreve të humbura nën sovranitetin e saj, ndërsa për perspektivat e mundshme që ajo të hyjë dikur në NATO është e tepërt të flitet se çfarë mendon kreu shtetëror rus për ketë, sepse edhe luftën e nisi pikërisht për këtë shkak.
Çfarë tha sot Peskovi?
Bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në zhillim e sipër dhe janë duke u forcuar, tha të mërkurën në konferencën për media zëdhënësi i Putinit. “Vërtetë ekzistojnë kontakte mes disa sektorëve të veçntë, dhe kohët e fundit madje janë intensifikuar. Por nuk mund t’u them asnjë detaj tjetër, nuk ka se çfarë të thuhet tjetër”, tha Peskovi duke i’u përgjigjur gazetarëve për pyetjen mbi atë që deklaroi Trumpi se Uashingtoni po bën bisedime aktive mbi luftën në Ukrainë me Kievin dhe Moskën.
Theksoj, Trumpi të dielën tha “bisedojmë… vetëm bisedojmë”, duke mos saktësuar se për ç’ka flitet saktësisht dhe cili nga pjestarët e ekipit të tij merr pjesë në bisedime me Moskën, ndërsa i pyetur nëse ka folur personalisht me Putinin ishte shumë enigmatik duke thënë: “Nuk dëshiroj t’a them këtë, zhvillojmë bisedime serioze mbi këtë luftë. Përpiqemi t’i jaim fund”.
A po bën Trumpi presion ndaj Putinit?
Sikur shkruan të mërkurën me 5 shkurt media amerikane NBC News në tekstin e Petër Nikolsit, Dana De Luce dhe Katerinë Dojll– raporti mes Trumpit dhe Putinit “ka dështuar dukshëm”…”megjithëse Trumpi duhet të zbulojë shtrirjen deri te e cila do t’a ushtrojë presionin ndaj Rusisë për të ndërprerë këtë luftë të mundimshme”.
“Qëkur ka marrë pushtetin, Trumpi pushoi së foluri për Putinin si “gjeni” strategjik dhe “i mençur”. “Në këtë ndryshim të dukshëm të retorikës, Trumpi në vend të kësaj paralajmëron se presidenti rus, të cilin dikur e pati quajtur “shumë të mençur” po e shpie vendin e tij në dështim duke zgjatur luftën”- nënvizojnë autorët e tekstit të mediave amerikane dhe sjellin në kujtesë kërcënimin e paradokohëshëm të Trumpit se Putini duhet të lidhë një marrëveshje, sepse në të kundërt po e asgjëson Rusinë, e cila është “në probleme të mëdha”. “Ai (Putini) do të duhet patjetër të lidhë një marrëveshje”, u tha Trumpi gazetarëve në Zyrën Ovale ditën e parë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë. “Mendoj se po e shkatërron Rusinë që nuk bën një marrëveshje. Mendoj se Rusia do të jetë në probleme të mëdha”. (Këtu do të kujtoja se Trumpi në rrjetin e tij social para pas kohësh e kërcënoi Moskën me sanksione të reja nëse nuk pranon një marrëveshje).
Sikurse shkruan më poshtë NBC News-i Trumpi në Forumin botëror të ekonomisë në Davos, tri ditë pas inaugurimit të tij, tha se Ukraina është e gatshme për bisedime. Po Rusia? “Për këtë duhet të pyesni Rusinë”, tha atëbotë.
“Duke dëgjuar Trumpin teksa flet për Putinin që prej një dhjetëvjeçari, kjo është gjëja më kritike që ka thënë ndonjëherë”, tha në një intervistë Micheal McFaul, ish ambasador amerikan në Rusi në administratën e Obamës.
Nuk është tamam ashtu si duket
Megjithatë, për mendimin tim, nuk është bash ashtu sikurse nënvizon media e lartpëmendur amerikane. Për hir të së vërtetës, Trumpi duhet të bëjë llogari edhe opinionin publik amerikan ku nuk guxon të duket si i dobët. Çfarëdo marrëveshje eventuale me Putinin ai do të jetë i detyruar t’i shfaqë opinionit publik amerikan suksesin apo fitoren e tij.
Nga ana tjetër, Moska refuzon kategorikisht çfarëdolloj marrëveshje dhe nga kushdo qoftë nga pozitat e forcës ose “nga lart”– sikurse duan të shprehen akoma. Një të drejtë të tillë as Xho Bajdeni nuk i’a dha vetes dhe as administratës së tij – plotësisht armiqësore ndaj pushtetit të Putinit, e me siguri nuk ka arësye që këtë t’a bëjë as Trumpi. Për më shumë, në pozitën që ka tani edhe në nivel politik në botë (kur është bërë e qartë se nuk ka dalë asgjë nga izolimi i Rusisë në bashkësinë ndërkombëtare, dhe as se sanksionet perëndimore nuk e kanë shkatërruar ekonominë ruse), e për më tepër në atë ushtarake – në fushëbetejat ukrainase ku për muaj me radhë rusët kanë iniciativën dhe me një dinamikë, si kurrë më parë pushtojnë territore të cilët i kontrollonte ushtria ukrainase në rajonin e Donbasit në Juglindje të vendit.
Trumpi e di mjaft mirë se strategjia e tij e “presionit maksimal” nuk mund të zbatohet te Putini (i cili e njeh mirë) si p.sh. te presidenti kolumbian apo ai panamez. Këto gjëra mes fuqive bërthamore thjesht nuk ekzistojnë. Trumpi si biznesmen me eksperiencë, e di se me Putinin (si edhe me presidentin e çdo kompanie rivale, kur bëhet fjalë për biznesin) duhet të bëjë tregti. Me fjalë të tjera, e dinë, si ai edhe Putini, se diçka duhet të jepet në rast të një marrëveshje bëhet fjalë ekskluzivisht për kompromise. Pa ata nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshje.
Ku mund të lëshojë Putini, çfarë mund t’i japë Trumpi dhe çfarë vjen më pas për BE-në?
Nga ana tjetër, Putini dëshiron me të vërtetë t’a mbyllë këtë luftë, por kurrsesi pa kushtet kryesore që kërkon Moska, sepse atëherë do të shenjohej si humbës para opinionit publik rus dhe për më tepër po të mbahet parasysh çmimin i lartë që i është dashur të paguajë Rusia për këtë luftë. Atëherë atje ku mundet dhe ndoshta do të bëjë lëshime është arritja e marrëveshjes mbi garancitë reciproke mes Rusisë dhe aleancës së NATO-s, gjë që do të thotë se Europa, ose më mirë Bashkimi Europian do të nevojitet të nisë një militarizim të përgjithshëm dhe krijimin e bedenave mbrojtës ndaj Rusisë, në një garë të çmendur armatimesh dhe gjithçka shkon sëbashku me të – krahas thirrjeve të përjetëshme mediatike mbi nevojën e të qënit plotësisht të gatshëm për një agresion të ri nga ana e Rusisë e cila, heret a vonë, do të vijë në raport me anëtarët e NATO-s dhe BE-së. Natyrisht, në këtë rast si NATO dhe as BE-ja nuk do të bëjnë lëvizje të rrezikshme që mund të shpien deri të konflikti.
Një skenar i tillë është i dukshëm edhe nga deklarata më të reja të krerëve të BE-së si puna e presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Lajen apo shefes së re të diplomacisë së BE-së, Kaja Kalas.
Bashkimi Europian do të pranojë të jetë vasali i Trumpit megjithëse kreu i tij në Bruksel, si edhe në të gjithë kryeqytetet e shteteve anëtare ka qënë ashpër kundër Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe ka bërë tifo haptazi për Xho Bajdenin apo më vonë për Kamala Harrisin.
Me këtë do të jetë i kënaqur edhe Trumpi edhe interesat kyçe amerikane në Europë. BE-ja do të blejë akoma më shumë armatime amerikane dhe energjentë ameriknë, ShBA-të do të tërhiqen ushtarakisht dhe qendra e gravitetit e tyre do të kalojë drejt Kinës, sepse BE-ja do të marrë rolin e policit dezhurn në raport me lëvizjet e ardhshme të Moskës kur të arrihet marrëveshje për Ukrainën.
Putini do të duhet të pajtohet me këto role të BE-së dhe NATO-s domethënë do t’a pranojë se stabilizimi afatgjatë i raporteve mes Rusisë dhe BE-së është i pamundur përveçse në masën që do t’a lejojë Uashingtoni i cili në këtë rast do të bëhet zoti i vërtetë i Europës (para së gjithash BE-së).
Megjithatë, Putini mund të marrë nga Trumpi shumë më tepër sesa rëndësia e humbjes afatgjatë të Europës gjë për të cilën opinioni rus është tashmë i përgatitur nga Putini dhe makineria e tij mediatike – si puna e heqjes së disa sanksioneve të ashpra që dëmtojnë edhe Perëndimin, shkrirja e aktiveve shtetërore ruse të ngrira, status jashtë blloqeve të “pjesës së mbetur” të Ukrainës dhe “lidhjen e saj” me sferat amerikano-ruse.
Marrëveshje mes Trumpit dhe Putinit për zgjedhjet në Ukrainë?
Jo pa shkak, dje, mediat ukrainase, por edhe disa nga ato amerikane, gëlojnë mbi marrëveshjen mes Trumpit dhe Putinit sipas së cilës Vollodimir Zelenski duhet të zhvillojë zgjedhje në Ukrainë, ndërsa Trumpi, dje krejtësisht haptazi, para gazetarëve dhe kamerave televizive në Shtëpinë e Bardhë tha as më shumë e as më pak veçse çfarëdolloj garancie amerikane për sigurinë e Ukrianës duhet të përforcohet me garancinë e Kievit se ShBA-të duhet të marrin të drejtën e shfrytëzimit të metaleve të rralla të Ukrainës të cilat ky vend i ka me bollëk, si puna e litjumit.
Kaq mbi presionet e Trumpit ndaj Putinit, mbi besueshmërinë e Bashkimit Europian të cilit i buzëqesh roli i vasalit të plotë amerikan (gjë të cilën do të përpiqet t’a nivelojë me ndryshimin e tërë strategjive të tij, të cilat do të harmonizohen me ato amerikane, gjë që Brukseli në publik do t’i interpretojë si interesa të reja europiane në kushtet e reja gjeopolitike), ose mbi kreun shtetëror ukrainas si atë që nuk vendos për asgjë me rëndësi për luftën në Ukrainë.
Sikur kam pas shkruar dikur në analizat e mia, jo shumë kohë pas fillimit të agresionit rus – humbësi më i madh i kësaj lufte do të jetë (dhe është) Urkaina dhe populli ukrainas, sepse superfuqitë bërthamore nuk mund të dalin të humbura në luftërat që i shpallin si ekzistenciale për veten e tyre.
Atqëbotë pata shkruar, dhe ende i qëndroj, se elitat ukrainase kanë bërë gabime të mëdha strategjike për shkak se lejuan vendin të hyjë në konflikt me fqinjin e madh dhe të fuqishëm lindor me të cilin kishin lidhje të thella historike – konflikt, i cili edhe ndodhi, por definitivisht edhe mundej dhe duhej evituar (Trumpi përsërit vazhdimisht se nuk do të kishte patur luftë nëse do të kishte qënë ai president dhe jo Bajdeni), dhe për të cilën atëbote ende mund të vendosnin elitat ukrainase. Tani nuk mund të vendosin më për asgjë gjë kryesore për të ardhmen e vendit të tyre, sepse gabimet strategjike janë bërë të pandreqshme. Pasojat e tyre të plota do të shihen vetëm pas vendosjes së paqes afatgjatë.
Natyrisht, nëse vjen puna deri te kjo paqe afatgjatë, sepse edhe përkundër të gjithave, kur bëhet fjalë për raportet amerikano-ruse, asgjë, ama bash asgjë, nuk mund të jetë e sigurtë. Do të jenë ata që do t’a determonojnë të ardhmen e botës, shumë më tepër se Kina e madhe dhe e fuqishme dhe roli i saj në proceset aktuale gjeopolitike.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.geopolitika.news/analize/zoran-meter-dramaticna-promjena-igre-gdje-ce-popustiti-putin-sto-mu-moze-dati-trump-i-sto-slijedi-po-eu/