Boshko Jakshiç[i]
USAID-i nuk është më, gjë që nuk do të thotë se Kina do t’a mbushë menjëherë vakuumin, por është në rrugë e sipër. Pekini ofron ndihmë “pa kushte politike” dhe nuk humb kohë.
Ndërsa heq dorë nga politika e ndëshkimit të Moskës për shkak të agresionit kundër Ukrainës dhe kërcënon me dëbimin e palestinezëve në mënyrë që Gaza të shndërrohet “parajsë në tokë”, Donald Trumpi nuk bën dallime mes aleatëve dhe armiqve dhe me zemërgjërësi e në pjatë të argjendtë ndan dhurata për rregjimet shtypëse në mbarë botën.
Presidenti vendosi që për tre muaj të ngrijë financimet e donatorit më të madh në botë, USAID – Agjensisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar, të cilën e pati themeluar në vitin 1961 Xhon F. Kenedi si makinë të fuqishme nëpërmjet së cilës ShBA-të përhapin ndikimin e tyre për ruajtjen e lirisë. Por demokracia nuk është në agjendën e Trumpit, kësisoj me vënien në akull të USAID-it gëzoi autokraci të ndryshme të cilat përsërisin në mënyrë komplotuese se ajo organizatë, megjithëse është në majë të agjensive humanitare amerikane, është vetëm mbulesë për përzierje politike, “revolucione me ngjyrë” dhe shkatërrim të despotive të tyre. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, me sa duket, është në anën e tyre. Pohon se USAID-in e udhëheqin një tufë lunatikësh radikalë. Elon Masku, i ngarkuar për shkurtimin e shpenzimeve federale, e quan USAID-in organizatë kriminale.
Bash muzikë e ëmbël për veshët e liderve nga Rusia, Bjellorusia, Hungaria dhe Serbia, nëpërmjet Kinës, Azerbejxhanit dhe Iranit deri në Veneuelë, Nikaragua dhe Salvador. Me mbylljen e USAID-it i cili siguronte madje 40 përqind të ndihmës amerikane jashtë shtetit – në vitin 2023 ishte në shifrën 72 miliardë dollarë – autokratët fitojën erë në favor dhe shans të ri për t’i larë hesapet me të gjithë ata që i akuzojnë se janë, si edhe organizata e tyre, agjentë të huaj.
Përfaqësuesja për mediat e Ministrisë ruse të punëve të jashtme e përshkroi USAID-in si “gjithçka, vetëm jo ndihmë dhe zhvillim”, si “mekanizëm për ndryshimin e rregjimeve dhe rendeve”. Rusia USAID-in e ka dëbuar që në vitin 2012, duke e akuzuar Agjensinë se përpiqet që nëpërmjet huave dhe projekteve të ndryshme të ndikojë në proceset politike. Është e qartë se Vladimir Putini nuk e dëshiron promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë, vlera që përcënojnë diktaturën e tij, e për pasojë, ish presidenti Dmitri Medvedev, vendimin e Trumpit e përshkroi si lëvizje e mençur. Mjaft me financimin e kaosit, është dakord komentatorja e RIA Novosti.
Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Llukashenko i përshëndeti sanksionet e vëna ndaj USAID-it si përgjigje direkte e Trumpit për ftesën e tij drejtuar amerikanëve që të risetohen marrëdhëniet bilaterale. Trumpi jo vetëm që u ka dërguar një sinjal inkurajimi diktatorëve dhe absolutistëve por kërcënon direkt edhe fatin e mijëra aktivistëve të shqëorisë civile. Kërcënon mbylljen e organizatave si puna e “Njerëve të ndershëm”, e cila u përpoq t’i kundërvihej propagandës së rregjimit në Minsk.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, autoritar dhe populist i cili ka kohë që ka formuar me Trumpin një shoqëri formale për adhurim reciprok, festoi atë që e quajti fund të organizatës “globaliste (Xhorxh) Soros” –mentorin e tij të dikurshëm i cili më vonë i’u bë halë në sy dhe universitetin e të cilit e dëboi nga Budapesti.
“Mendoj se bota (Trumpit) i detyrohet mirënjohje të thellë për shkak të zbulimit dhe dhënies fund të rrjetit të errët”, deklaroi Orbani nëpërmjet platformës “X” dhe premtoi se Hungaria do të ndërmarrë masat e duhura për të eliminuar organizatat joqeveritare të cilat veprojnë në vend dhe marrin mjete financiare nga burime ndërkombëtare.
Në Serbi, pushteti i Aleksandër Vuçiçit, intimus politik i Orbanit, përsërit me këmbëngulje se pas protestave studentore që shkaktuan krizën më të thellë politike në dekadat e fundit qëndrojnë “punët e ndyra të CIA-s, USAID-it e të tjerëve” dhe është tejet mase i gëzuar për shkak të vendimit të Trumpit: “Krejtësisht i sigurtë se po vinë kohë të mira për popujt liridashës në botë dhe se Amerika do të jetë shumë më popullore sesa është sot në botë”.
Pushteti në Beograd merret intensivisht me financat e sektorit civil për një moment harroi se pothuajse e kanë pas falenderuar që “USAID-i e bën Serbinë më të bukur dhe më të begatë”, që i jep ndihmë ekonomike dhe zhvillimore dhe se që nga fillimi i bashkëpumit me USAID-in, ShBA-të kanë investuar në Serbi 1,2 miliardë euro. Kur, para katër viteve, u festua dhjetëvjetori i punës së Agjensisë në Serbi, u nënvizua se USAID-i ka kontribuar në përparimin e punës së administratave lokale, automjete sanitare, hapjen e vendeve të reja të punës, ndihmë bujqësisë, sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mediave për mbështetje në rrugën drejt integrimit europian. Ndërsa tani, një nga adhuruesit e “Trumpit serb”, deputeti i partisë në pushtet Vladimir Gjukanoviç, propozon që të hapet një hetim serioz në lidhje me të gjithë këto projekte. Tabloidët e rregjimit shkruajnë se bëhet fjalë për një organizatë famëkeqe.
Amerikanët bëjnë gati valixhet, ndërsa Kina, e cila si edhe Rusia përpiqet të promovojë botën autoritare dhe efikasitetin e ekonomisë së saj të centralizuar fort, gjithashtu e ka përshëndetur vendimin e Trumpit. Megjithëse nuk është në pozitë për të zëvendësuar dhëniet e ShBA-ve, tërheqja e USAID-it krijon hapësirë që Pekini nuk do t’a humbë që nga Nepali e deri në Indonezi, rajon aziatik të cilit vitin e kaluar Amerika i dha 860 milionë dollarë ndihma. Tërheqja strategjike e Amerikës është rast ideal që Kina të hidhet jo vetëm nëpërmjet fiancimeve por edhe nëpërmjet fuqisë së saj të butë. Megjithëse Agjensia kineze për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar China Aid operon ndryshe nga USAID-i dhe fokusohet më shumë në huatë dhe projekte infrastrukturore në kuadër të Iniciativës “Një shteg, një rrugë”, dhe jo partneritet me organizata lokale, të dy vendet kanë të njëjtin qëllim: zgjerimin e ndikimit të qeverive të tyre.
USAID-i nuk është më, gjë që nuk do të thotë se Kina do t’a mbushë menjëherë vakuumin, por është në rrugë e sipër. Pekini ofron ndihmë “pa kushte politike” dhe nuk humb kohë. Qëkur përshembull, administrata e Trumpit ngriu donacionet për Kamboxhian për heqjen e minave që të kujtojnë të kaluarën luftarake të Amerikës nëpër Azinë Juglindore, Kina e ka dyfishuar ndihmën.
Në Azerbejxhan, pushtetmbajtësi Ilhan Alijev ka urdhëruar që të mos rinovohet marrrveshja mbi bashkëpunimin, duke dyshuar në motivet politike të USAID-it. Mediat shtetërore në Iran nuk e fshehin kënaqësinë edhe përkundër forcimit të politikës së “presionit maksimal” kundër Republikës Islamike.
Ministri i punëve të brendshme të Venezuelës menjëherë shpalli planin për të hetuar punën e Agjensisë për të cilën pohon se ka financuar opozitën. Mediat në Nikaragua, nën kontrollin e familjes së presidentit Daniel Ortega, gëzohen se Trumpi e mbylli çezmën për ata të cilët i përshkruajnë si “terroristë”. Lideri i Salvadorit Nayib Bukele akuzon Agjensinë për financimin e grupimeve opozitare, organizatave joqeveritare me agjenda politike dhe lëvizjet destabilizuese.
Nuk është vënë në pikëpyetje vetëm demokracia. Është kërcënuar edhe aktiviteti kyç i USAID-it: ndihma. Organizatat humanitare paralajmërojnë për rreziqe të përhapjes së sëmundjeve dhe urisë. Kush dhe nëse, do t’i zëvendësojë humbjet për afro dy miliardë dollarë që USAID-i jepte si ndihmë për të uriturit për iniciativat në shëndetsi? Apo për arsimimin e vajzave të vogla në periferinë e Jugut Global?
A i ka hapur Trumpi, me këtë vendim të nxituar dhe të pemenduar mirë, hapësirë fuqisë financiare dhe fuqisë së butë të rivalit të tij më të madh Kinës, e cila do të dijë si t’a kapitalizojë në luftën për ndikim global në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine – zonat kyçe të aktiviteteve të deritanishme të USAID-it? Ndoshta jemi dëshmitarë të një autogoli spektakolar të shefit të Shtëpisë së Bardhë.
Ngrirja e ndihmave të USAID-it, krahas luftës globale doganore, janë paralajmërim për partnerët e amerikanëve se me kësi kapriçosh të Trumpit do të përballen në katër vitet e ardhshme.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/spektakularan-autogol-donalda-trumpa-1022352/