Jovana Gligorijeviç-*
Agoi 16 marsi, e ashtuquajtura “një ditë më pas”. Megjithatë, pas çfarë? Pritmëritë ishin të ndryshme, disa u përmbushën e disa jo. Mbetën të zhgënjyer vetëm ata që prisnin të pamundurën. Të gjithë tjerët, e kjo është shumica e madhe, e dinë se asgjë nuk ka marrë fund, se 15 marsi nuk pritej, as mund të ishte 5 tetori ( aluzion për 5 tetor 2000 – dita kur, pas demonstrata të fuqishme, S. Millosheviçi dha dorëheqjen. Shën. i përkth).
Përse? Para së gjithash sepse kemi të bëjmë më një kundërshtar tejet më iracional sesa atëherë. Pas shfaqjes me studentët 2.0 (aluzion për “studentët që duan të mësojnë”, mbështetës të rregjimit. Shën. i përkth) në Parkun e pionierëve (ku sikurse doli dje, Studentët 2.0 është emri i koduar për shkopaxhinjtë e paguar), sjelljes së zetorëve subversivë, krijimit të realitetit paralel me studentë paralelë, qytetarë dhe bujq, është e qartë se kemi të bëjmë me një njeri që ka shkelur tejet thellë në iluzionet e veta.
Megjithëse Sllobodan Millosheviçi ishte një prej njerëzve më të tmerrshëm që kanë ecur ndonjëherë mbi këtë tokë, nuk ka qënë pas zhytur kaq thellë në një universin e tij paralel. Aleksandër Vuçiçi jetoi për tri dekada në furrën politike të njerëzve më të fuqishëm dhe më të çmendur se ai, derisa arriti te copa e tij e pushtetit. Të mos mendojmë se ai do të dorëzohet kaq lehtë. Është përgatitur për një kohë të gjatë për këtë që ka aktualisht. Më gjatë se askush tjetër ndonjëherë.
Kjo na shpie te konkluzioni: kundër tij nuk mund të ketë një revolucion si ai i 5 tetorit. Pesë tetori ndodhi në kushtet e zgjedhjeve të vjedhura, ishte mbrojtje e fitores zgjedhore të Vojisllav Koshtunicës dhe me dije të qarta mbi atë se kush duhej ta merrte pushtetin. Gjithashtu nbdodhi dhjetë vite pas ardhjes në pushtet të rregjimit kriminal të Millosheviçit. Përsërisim: megjithëse Aleksandër Vuçiçi ka pushtetin absolut që nga viti 2012, ai është trajnuar në vitet nëntëdhjetë.
Pra, sikur ajo e pardjeshmja të shkonte në drejtimin që nuk shkoi, çfarë do të ndodhte? Nëse e dimë se përdorën “topin zanor”, çfarë mendoni, çfarë tjetër do të kenë patur të përgatitur? Ata janë të këqinj. Vërtetë janë pakicë, por janë të këqinj. Nëse ndokush ka pritur që studentët në bllokadë do të rriheshin me krijesat nga parku i pionierëve, ai është gjithashtu në anën e pakicës së keqe. Sepse ky është një skenar që ata nuk e duan dhe i cili nuk u nevojitet.
Studentëve nuk u duhej një gjë e tillë. Jo, pas tërë atyre ditëve të kaluara në bllokadë, pas gjithë atyre marrsheve, pas gjithë atyre shkeljeve me makina dhe thyerje nofullash me shkopinj. Katër muajt janë të pastër si loti dhe të pandotur. Tani të lejonin të ndoteshin? Përse? Sepse disa mes nesh janë të padurueshëm ose nuk e kuptojnë momentin? Epo nuk është e mundur.
Përveç kësaj kush të rrihej? Cilin të nxirrnin përpara? Vajza dhe djem 19-20 vjeç, të cilët tashmë kanë hedhur në lojë gjithçka kanë patur në mënyrë që të ndryshojnë shoqërinë, sistemin dhe vetveten? U zihet për të madhe se nuk duan të ndryshojnë pushtetin. Epo nuk duan pra, sepse kjo nuk është e majftueshme për ta. Ndyshojnë gjithçka në mënyrë që ky lloj pushteti të mos shfaqet më kurrë.
Ne jemi shoqëri e cila i kemi lejuar vetes dy diktatura për vetëm tri dekada. E dimë sesi erdhëm deri këtu. Zgjidhjet e vjetra doli se janë joefikase. Për këtë tani kemi një gjeneratë e cila ofron diçka të re. E reja është ende e panjohur, e deri diku edhe moskputimi është i qartë. Por vetëm deri diku ama.
I lejuam vetes dy diktatorë për 30 vjet. Ky është thelbi i problemit tonë. Nuk ekziston një zgjedhje e shpejtë për këtë. Dhe për këtë 15 marsi nuk kishte si të ishte pesë tetori. Sepse pesë tetori tani është i pamjaftueshëm. Duhet më ngadalë, duhet më me mençuri. Duhet më me themel.
Dje nuk është se ndodhi fundi, sepse ky është vetëm një fillim i ri.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA