Boshko Jakshiç[i]
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk arriti t’a bindë shefin e Kremlinit për të pranuar ndërprerjen e plotë të luftimeve në Ukrainë në tokë, ajër dhe det për një periudhë prej 30 ditësh, por të dyja palët edhe ndërprerjen e kufizuar, për të cilën ranë dakord, e interpretojnë si hap drejt ndalimit përfundimtar të konfliktit.
Donald Tramp dhe Vladimir Putini patën në agjendën nëntëdhjetë minutëshe bisedën e shumëpritur, me propozim të Uashingtonit, mbi ndërprerjen e luftimeve në të gjithë frontet, i cili paraprakisht kishte marrë edhe miratimin e Kievit, ku nuk e fshehin se duan fundin e luftës sa të jetë e mundur më parë. Putini, me të gjithë pohimet për tonin miqësor të dy liderve “të cilët kuptohen dhe i besojnë njëri tjetrit”, sikurse transmetoi Kremlini, dukshëm evitoi t’i thotë “njét” paqes së plotë e kësisoj, më shumë si dhuratë Trampit, pranoi variantin e kufizuar: ndëprerja e sulmeve në objektet energjitike dhe infrastrukturore të Ukrainës, me kushtin që edhe Kievi të përmbahet nga këto sulme. Putini përfitoj të ndalojë sulmet kundër infrastrukturës ruse të naftës, e cila financon luftën, ndërsa i mbetet dorë e lirë për të vazhduar me operacionet tokësore.
Duke u mbështetur në superioritetin ushtarak në linjat e frontit, lideri rus, për “të penguar përshkallëzimin e konfliktit”, paraqiti një sërë kërkesash, vështirë të pranueshme, që Kievi të ndërpresë mobilizimin dhe armatosjen e ushtrisë së tij, që Perëndimi të ndërpresë dërgimin e çfarëdolloj ndihme ushtarake Kievit dhe të ndërpresë dërgimin e të dhënave informuese të zbulimit. Presidenti Vollodimir Zelenski mendon se ky do të ishte kapitullim dhe përpiqet t’a bindë Trampin se “fjalët e Putinit janë shumë të ndryshme nga realiteti”- meqënëse forcat ruse, vetëm disa orë pas bisedësh së lartpërmendur, kryen sulme ajrore kundër sistemit energjetik në qytetin Sllovjansk. Kremlini i’a ktheu me akuza se Kievi nëpërmjet sulmeve nëpër Rusi po “saboton procesin paqesor”.
Me këtë u aktualizua edhe çështja e garancive të sigurisë të cilat Kievi i kërkon me mbështetjen më të madhe të Britanisë dhe Francës. Zelenski dëshiron të jetë i sigurtë se Rusia nuk do të përsërisë sulmet pas arritjes së marrëveshjes. Megjithëse sekretari i shtetit Mrko Rubio në parim e mbështeti këtë kërkesë, Trampi dhe Putini nuk biseduan për një gjë të tillë, fakt mbi të cilin vëzhguesit nxjerin konkluzionin se amerikani i ka lidhur interesat më shumë më Kremlinin sesa me Kievin.
Një ditë pas bisedimit me Putinin presidenti amerikan kontaktoi me Zelenskin, gjë që u konsiderua gjest i vullnetit të mirë pas takimit të tyre të fundit në Zyrën Ovale, ku Trampi tregoi se sa mund të jetë agresiv dhe armiqësor. Këtë herë bisedimi u përshkrua si “fantastik, me shumë përmbajtje dhe i përzemërt”, por nuk është se më këtë u eliminuan të gjithë shqetësimet e Zelenskit. Megjithëse Shtëpia e Bardhë premtoi se do t’a ndihmonë Ukrainën duke e furnizuar me sisteme të reja të mbrojtjes kundërajrore “në mënyrë të veçantë në Europë”, dhe ofroi garanci se do të vazhdojë t’i përcjellë Kievit informacione zbulimi, krijohet përshtypja se amerikani ishte i interesuar më shumë sesa kolegu i tij rus për paqen.
Shefi i Kremlinit vlerëson se Trampi ambicioz e ka me ngut të arrijë një marrëveshje, në mënyrë që të përfitojë ekonomikisht nga energjentët rusë, metalet e rralla ukrainase dhe marrjen e kontrollit të elektroindustrisë dhe centraleve bërthamore, e ndoshta edhe të arrijë të marrë çmimin “Nobel”.
I tejngarkuar me manovra të pafundme taktike pa një strategji të qartë, Trampi shpresonte te ky hap i parë për arritjen e një marrëveshje. Putini i’u përmbajt fort vizionit afatgjatë mbi Ukrainën të dominuar nga Moska. Ai nuk heq dorë nga fitorja dhe këmbëngul se marrëveshja duhet të synojë rrënjët e konfliktit. Megjithëse ka marrë garanci se Ukraina nuk ka për të hyrë në NATO, ai kërkon edhe disa pjesë të territorit ukrainas. Kremlini ideon një Ukrainë vasale e cila nuk do të ketë mundësi për t’u mbrojtur, ndërsa ekonomia e saj e varur plotësisht nga Moska.
Europianët janë të inatosur se Trampi lejoi që Putini t’i vinte kushte për atë që Perëndimi të ndalojë çdo ndihmë ushtarake për Ukrainën, gjë që për Kievin është absolutisht e papranueshme sepse vendi i lihet në dorë sulmeve shkatërruese ruse. Presidenti ukrainas thotë se “hapat e mëtejshëm nuk do të mund të bëhen pa ne”, por puna është nëse ka arritur t’a bindë Trampin, i cili nuk i fsheh afinitetet për Putinin, për një gjë të tillë. Mbi bazën e asaj që është bërë publike mbi përmbajtjen e bisedës telefonike, mund të konkludohet se Trampi dhe Putini kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa nga ato që i ndajnë. Që të dy dëshirojnë paqe në Ukrainë, kuptohet me kushte disi të ndryshme. Janë të gatshëm të tregtojnë me territoret ukrainase. Dëshirojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës, heqjen e sanksioneve dhe mbështetje në “potencialin e stërmadh” të biznesit të përbashkët. Që të dy i nevrikos Zelenski. Janë kundër hyrjes së Ukrainës në NATO. I lidh autokracia dhe frika ndaj vlerave liberale të europianëve.
Gënjehen europianët nëse mendojnë se Trampi ka dilema mbi atë nëse të vazhdojë të respektojë “interesat legjitime” të Moskës, të pranojë kërkesat ruse dhe të përpiqet të fitojë miratimin e Kievit, apo të forcojë presionin ndaj Putinit – gjë që deri tani nuk është dëgjuar si obsion nga ana e tij – në mënyrë që t’a detyrojë për më shumë lëshime duke e kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të reja, gjë që do të kërcënonte ambicjet e tyre paqebërëse për ndërprerjen e zjarrit.
Trampi dëshiron të negociojë. I ka premtuar botës mbarë paqen në Ukrainë. A do të jetë i suksesshëm presidenti amerikan – i cili e paraqet vetveten si mjeshtër i marrëveshjeve, kjo është pikëpyetje. Deri ku është i gatshëm të shkojë në mënyrë që të mbajë premtimin? Strategjia e tij është plot e përplot me improvizime dhe të panjohura. Aleatët e kanë akuzuar tashmë se ka bërë lëshime madje që para se të fillojë bisedimet dhe se ukrainasit do të paguajnë çmimin më të lartë të normalizimit të marrëdhënieve të tij me Rusinë. Putini në lidhje me këtë tashmë ka shënuar golin e parë: Rusia del nga izolimi ndërkombëtar, gjë që është fitore simbolike e liderit të Kremlinit, i cili është i akuzuar për krime lufte para Gjykatës ndërkombëtare.
Nëse Putini vazhdon të luajë në kohë, ndërsa Trampi të mos vendosë për një presion të përforcuar kundër Kremlinit, tani për tani nuk ka asgjë për paqen e qëndrueshme. Për kënaqësinë e Putinit ushtria e të cilit mund të vazhdojë “spastrimin” e zonës së Kurskut, ku kërcënon me masakër kundër forcave ukrainase, të cilëve Moska u ka ofruar ose të dorëzohen ose do të vriten. Bidedimet vazhdojnë, ndërsa për mundësinë e zgjerimit të paqes në zonën e Detit të Zi, si një hap i ri për ndalimin e luftës, do të bisedohet këtë fundjavë në Arabinë Saudite. Trampi dhe Putini kanë vendosur një kuadër, ndërsa përpara është “hekurosja” e pikave të diskutueshme. “Djalli fshihet në detaje”, deklaroi negociatori amerikan Stiv Vitkof para shkuarjes në një raund të ri negociatash në Xhedá. “Duhet t’i eliminojmë këto detaje”.
Europianët do të ishin të lumtur të merreshin me detaje. Kanë shtruar pyetjen nëse janë dëshmmitarë të një versioni telefonik të Jaltës, e cila për nga arritjet e mundshme tejkalon erën e detantës reciproke të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe fundit të Luftës së Ftohtë në vitet nëntëdhjetë. Trampi po krijon boshtin Uashington-Moskë-Pekin, që e krahason me Treshen e Madhe nga Jalta: Ruzvelt, Çerçill, Stalin.
Në botën e Trampit të ndarë në sfera ndikimi nuk ka vend për europianët para të cilëve qëndron imperativi që të ruajnë sovranitetin, sigurinë dhe begatinë e tyre. BE-ja duhet të angazhohet më shumë rreth grumbullimit përreth vetes të shteteve si Britania, Norvegjia ose Turqia, si edhe rreth çështjeve të zgjerimit në mënyrë që t’a bëjë BE-në të fuqishme.
Biseda e fundit telefonike e liderve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë vërtetoi frikërat e europianëve, Zelenskit dhe popullit ukrainas, i cili ka tri vjet që është viktimë e agresionit rus, e tani i kërcënohet të jetë një çip negociues të lojës së pokerit që po e luajnë dyshja Tramp dhe Putin. Europianët koordinojnë me ngut planet për mbështejen e Kievit në rast paqeje, por çështja është nëse janë në gjendje që për një kohë të gjatë të pengojnë që Ukraina në të ardhmen të jetë e dënuar të jetojë nën hijen ndikimit të fqinjit të saj armiqsor.
Nuk ështe vetëm Ukraina shumë në lojën në të cilën Putini në këtë moment duket më i fuqishëm se Trampi. Në lojë janë edhe e drejta ndërkombëtare, liria, demokracia, aleanca transatlantike – gjithçka që kërcënohet nga rrëshqitja e ShBA-ve në erën e autoritarizmit.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/scc/clanak/668547/pogledi/uzurbani-tramp-i-strpljivi-putin