Srgjan Millosheviç-Peshçanik[i]
Kjo puna me qeverinë e re të Vuçiçit nuk duket se filloi mirë, por nuk kishte si të shkonte ndryshe. Për funksionin e parë politik në shtet imponoi të paditurin politikisht, personalitetin (Vuçiçi përdori frazat, “individ“ dhe “person“) me autoritet politiko-publik zero, i cili nëse është i njohur për diçka për opinionin e gjërë publik, atëherë ky është fjalimi i paradokohëshëm drejtuar falangës së kuazi-studentëve të Vuçiçit në kampin famëkeq të quajtur Çaçilend. Në njëfarë mënyre ky ishte edhe fjalimi i parë inaugurues për medemek kryeministrin. Meqënëse, sikurse duket, nuk është as i kompanisë së Partisë përparimtare si dhe asukjt tjetër në Serbi, deri para 24 orëve askujt nuk mund t’i shkonte mendja, as në ëndërr, se Gjuro Macuti do të jetë kryeministër, mund të thuhet se Vuçiçi vendosi të bëjë atë që e ka përsëritur me këmbëngulje, pra në postin e njeriut të parë të qeverisë të sjellë një “individ“ pa zgjedhje. Nëse për një moment mund të bëjmë sikur po besojmë se mantra e Vuçiçit mbi qeverinë “pa zgjedhje“ do të thotë të njëjtën gjë, atëherë, në një masë të madhe ai do të jetë një kryeministër në qeverinë “pa përzgjedhje“, për një rrugëdalje nga situata kur në krye të saj është zgjedhur një njeri që nuk është antar i kompanisë qeverisëse. Thuhet se ky person i është bashkuar Lëvizjes së Vuçiçit, po e përmendim edhe këtë, por gjithashtu ende nuk e ka kaluar “pagëzimin me zjarr”.
Vendosja si kryeministër e një individi i cili nuk është i rëndësishëm politikisht, madje edhe nëse qeveria është qeveri ekspertësh, dëshmon tërësisht për atë se një kryeministër i tillë do të jetë thjesht një figurë pa ndikim. Ekzistojnë ekspertë në të gjitha fushat të cilët njëkohësisht janë edhe të njohur politikisht, të cilët janë analistë të denjë të ngjarjeve politike dhe shoqërore, për të cilët opinioni publik ka besimin se i njohin problemet politike dhe në përgjithësi do të thonë diçka në jetën publike, jashtë sferës së tyre të ngushtë. Ndërsa ministri i një fushe të caktuar edhe mund të jetë “individ” më pak i njohur për publikun (gjë që nuk është zgjidhja më e mirë, por jo e papranueshme), kryeministri duhet të jetë dikush për të cilin duhet të jetë e besueshme se, përshëmbull, përzgjedhjen dhe përbërjen e qeverisë e ka bërë sipas kritereve të qarta në kushtet politike, nevojat e shoqërisë, kompetencat dhe aftësitë e kandidatëve për ministra, qoftë edhe aq saqë në vlerësim të mbështetet në një rreth të gjërë të aleatëve të besueshëm politikë. Në kuptimin praktik, kjo çështje është me vlerë shumë të madhe praktike, sepse (përshembull) pyetet: nisur nga çfarë kriteresh Macuti do të përcaktojë se cili do të hyjë në qeveri, cili do të ketë ministrinë e punëve të brendshme? Çfarë di Macuti për këtë resor dhe kujt duhet t’i drejtohet për këshillë? Si i ri në politikë do t’i drejtohet, më e besueshmja, njerëzve tërësisht të panjohur nga kompania aktuale qeverisëse ose, akoma më parë, një personi tjetër i cili do t’a urdhërojë se cilin të propozojë për këtë funksion, si për të gjithë pozitat e tjera të ministrave. Kësisoj do të vendoset një qeveri Vuçiç-Macut.
Përveç vetë përzgjedhjes së një anonimi politik si kryeministër, dy rrethana, të lidhura mes tyre, janë veçanërisht indikative kur bëhet fjalë për pozitën e vërtetë në të cilën Vuçiçi e ka vendosur dr. Gjuro Macutin në hierarkinë politike të shtetit (pa marrë parasysh strukturën kushtetuese sipas të cilës pikërisht kryeministri është autoriteti politik më i fortë). E para, emrin e kandidatit për kryeministër opinioni publik e mësoi në minutën e tridhjetë (!) të konferencës së Vuçiçit për gazetarët. Ky nuk është poshtërim i zakonshëm, kjo është përbuzje e hapur, mesazh i qartë se sipas kuptimit të Vuçiçit kryeministri është askush dhe asgjë, “individ” të cilit i referohet në minutën e tridhje të konferencës për gazetarët, pas llomotitjeve paraardhëse nga të gjitha fushat e mundshme të kompetencave të tij. Vetëm kur përfundoi me tiradat e tij, Vuçiçi shpalli këtë vogëlsi efemerike, emrin e “individit” që ka menduar për të vënë në postin e kryeministrit. Vështirë se mund të shfaqet ndryshe përbuzje më e thellë dhe mosrespekt më i madh
Rrethana e dytë e rëndësishme është argumentimi i vendimit të Vuçiçit për kandidatin për kryeministër. Ky argumentim i vendimit manifestoi, për të satën herë, shkeljen dhe zhvlerësimin që i bën Vuçiçi institucioneve të këtij shteti. Në vend që në argumentimin e vendimit të nënvizonte motivimin e përgjithshëm për këtë zgjedhje konkrete, Vuçiçi, kanidatit të tij i skicoi flurudhën e veprimtarisë politike dhe faktikisht, skicoi edhe tezat për ekspozenë, të cilën Macuti, si nxënës i dëgjueshëm, do t’i bindet verbërisht. Sepse cili është ai në strukturën e pushtetit që të mos dëgjojë çfarë i është dhënë urdhër nga “posti më i lartë”, nga vetë “shefi”?
Qëkur Serbia është republikë, Macuti do të jetë mjeku i dytë në krye të qeverisë së saj. I pari ka qënë Bllagoje Neshkoviçi, kryeministër i Republikës Popullore të Serbisë së atëhershme, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, politikan karriera politike e të cilit u ndëpre befasisht dhe dramatikisht. Nëse pra sjellim në kujtesë fatin politik turbulent të Neshkoviçit, duhet përsëri t’i përmbahemi Marksit dhe intepretimit të tij aforistik të “përsëritjes” së historisë, hera e parë si tragjedi, hera e dytë si farsë.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA