Boshko Jakshiç[i]
“Lëvizja për popullin dhe shtetin” pas takimit të komitetit themelues të 12 apostujve në Shtëpinë e mbretit Pjetër, doli në sheshin para Asamblesë Popullore në mënyrë që nëpërmjet grumbullimeve treditore të shenjonte fillimin e “punës së madhe” të grumbullimit dhe mobilizimit gjithëpopullor kundër “Lëvizjes së dhunës” dhe gjithë atyre që përpiqen të shkatërrojnë Serbinë nga brenda dhe nga jashtë.
E shpallur menjëherë si “historike” dhe si “i vetmi themel dhe bazë për të ardhmen”, Lëvizja u rregjistrua si shoqatë joqeveritare dhe jo fitimprurëse dhe u ideua si komandë e përgjithshme e interesave kombëtare dhe shtetërore të cilat do t’i vërë si prioritet të të gjithë prioriteteve. Formalisht është mbipolitike dhe mbipartiake, por njerëzit nga qarqet akademike, mjekët, inxhinjerët, punonjësit e kulturës, sportistët dhe të tjerët duhet të thyejnë përshtypjen se është fjala vetëm për një surrogat politik të Partisë Përparimtare të Serbisë (PPS), dhe letër kopjative e pushtetit. Avangardën e Lëvizjes e përbën Komiteti Drejtues i përparimtarëve, i cili është antarsuar kolektivisht. Menjëherë i’u bashkuan pothuajse të gjithë nga pushteti ose ata rreth tij. Socialistët e përçarë sikur po lëkunden duke pritur që më përpara të sqarohet çështja e “orientimit” dhe e “organizimit”. Partia Socislite është e kryqëzuar mes dëshirës për të mos i’a prishur qejfin PPS-së dhe rrezikut të shkrirjes në Lëvizje duke humbur kësisoj edhe gjurmët e fundit të identitetit të saj politik.
Lëvizja në fjalë nuk është ide politike origjinale. Dikur kishim Këshillin Socialist të popullit punues të Jugosllavisë, RSFJ-në, organizatën nacionalçlirimtare dhe monopolin e Partisë komuniste jugosllave. Më vonë Vladimir Putini formoi Frontin Popullor si projekt kombëtar në mënyrë që të mbështeste partinë në pushtet “Jedinstvena Rosija” dhe të forconte pushtetin personal. Duke shpallur kërcimin në të ardhmen politike, Aleksandër Vuçiçi këtë projekt për “normalitetin, racionalitetin, dinjitetin e Serbisë së sukseshme”, për herë të parë e pati shpallur në muajin shtator 2022, e më pas e shtyu formimin e saj. Ideja u vendos në frigorifer tërë vitin e kaluar, dhe nuk ështe e rastit që u aktivizua (në mënyrë të detyruar) pikërisht tani, kur pushteti po përballet me krizën më serioze, kryengritjen këmbëngulëse studentore dhe gjithëpopullore. Kur e ke të vështirë, hajde jep një dozë anestezie, ribrendo PPS-në, thirr popullin në ndihmë.
Me konstatimin se shteti ka pesë muaj që është marrë peng “me dhunë dhe me gënjeshtra”, presidenti indirekt pranon se e ka humbur betejën, por jo luftën, e kështuqë misionit të Lëvizjes i dhe urgjentisht detyrën që të luftojë kundër “dhunës dhe terrorit”, sikurse i përshkruan ai bllokadat paqesore të fakulteteve dhe manifestimet nëpër qytete dhe fshatra në mbarë vendin. Qëllimi kryesor do të jetë të largojë “frikën që ka hyrë në shtëpitë e njerëzve të ndershëm në Serbi”, thotë presidenti duke pohuar se shkaqet dhe përshkrimi i gjendjes së tanishme ndryshojë diametralisht dhe po vazhdojnë t’a politizojnë rrezikshëm Serbinë. Versioni i Partisë përparimtare të aleancës së punëtorëve, fshatarëve dhe inteligjencës së ndershme duhet të forcojë rejtingun në rënie e sipër të Vuçiçit dhe PPS-së në kohën kur nuk përjashtohen zgjedhjet parlamentare në muajin qershor. “Ka rëndësi që Serbia të fitojë në çdo vend. Që të luftojmë për çdo qytet dhe për çdo fshat. Të tregojmë ambicje, vullnet dhe dëshirë, dhe kjo të mos jetë kundër askujt, por të jetë vetëm për Serbinë”, thotë presidenti, e kësisoj fjalët e tij tingëllojnë si shpallje e fillimit të fushatës parazgjedhore. Lëvizja duhet të rrëmbejë sa më shumë zgjedhës, të cilët kanë nisur të shpërhapen. “Ka rëndësi që sa më shumë qytetarë të përfshihen në Lëvizje”, përsërit babai i tij ideologjik ndërsa refuzon të dëgjojë zërat e protestës së atyre që gjithashtu janë pjesë e Serbisë. Sa reale është një gjë e tillë në rrethanat e sotme në të cilat një lëvizje tjetër – ajo e studentëve – tërheq zgjedhësit nga fusha gravitacionale e pushtetit të përparimtarëve?
Presidenti, nëpërmjet thirrjeve për “mbrojtjen e rendit dhe shtetit”, vazhdon të mbrojë sistemin që e ka ndryshkur seriozisht me korrupsion dhe arrogancë. U ofron qytetarëve “shpresë, stabilitet dhe të ardhme për Serbinë dhe fëmijët tanë”. Në muajin janar në Jagodinë foli për të fuqishmit lokalë të cilëve “askush i gjallë nuk mund tu afrohet”, por edhe për shumë ministra të cilët “nuk mund ti shihni dhe ti dëgjoni”. “Këto gjëra ju, popull, do t’i pastroni, e unë vetëm do t’u ndihmoj”, theksoi Vuçiçi. Bukur, por kush është përgjegjës për “ndotjen” për të cilën flasin studentët? A nuk është “pastrimi” punë e shtetit, parlamentit dhe koalicionit qeverisës? A mos është kjo një pohim indirekt se PPS-ja është përgjegjëse për pakënaqësinë gjithëpopullore në rritje? A është në gjendje Lëvizja të mbulojë gabimet dhe t’u mundësojë pushtetin përparimtarëve? A do të kemi më vonë pastrime të vëmendshme koreografike? Ideja për të bashkuar dhe pajtuar Serbinë në kuadrin e vizionit 2035 është fisnike, por a është kjo e mundur me ata që dhjetëvjeçarin e kaluar e kanë ndarë Serbinë si kurrë më parë në histori? Qëllimi i Lëvizjes është dialogu gjithëpopullor. Çfarë magjie u dashka që ky dialog të zhvillohet me atë që refuzojnë dhe që ata që nuk ndajnë të njëjtin mendim duke i poshtëruar dhe fyer brutalisht?
E gjitha kjo të kujton kuvendin gjithëserb të para disa viteve për Kosovën. Ekziston rreziku real që Lëvizja të bëhet një forum bashkëmendimtarësh që i dedikojnë gjithçka vetes ndërsa të tjerëve u refuzojnë patriotizmin. Çfarë do të thotë sllogani i pashije, madje edhe i formuluar me arrogancë Lëvizja për “Serbinë normale”? A do të thotë kjo se ata që nuk i bashkohen kësaj Lëvizje i përkasin “Serbisë jonormale” dhe meritojnë përçmimin të cilin presidenti as që përpiqet t’a fshehë? Nëse Lëvizja grumbulloka të gjithë qytetarët e “ndershëm”, atëherë në anën tjetër paskemi të pandershëm. Rezultati përfundimtar do të jetë vetëm një kontribut i ri për polarizimin.
Lëvizja ka si qëllim të kujtojë vazhdimisht që të mos lëkundet rreth Kosovës e Metohisë dhe Republikës Srpska. Lideri i Lëvizjes së socialistëve Aleksandër Vulin, i cili ofroi antarsimin ndër të parët, mbron tezën se lëvizja e re duhet të përhapet gjithandej ku jetojnë serbët. Që të përfshijë socialdemokratët e Millorad Dodikut dhe luajalistët serbë në Mal të Zi. Rreziku është se lëvizja shumë shpejt mund të dalë se është kamuflazh për variantin e Botës serbe, por besoj se Vuçiçi nuk do të shkojë aq larg. PSS është riveshur me letëralumimin e lëvizjes qytetare, në të cilin nuk ka vend për ide të tjera për zhvillimin e Serbisë. Më shumë se zell problematik. Do të besoja në idenë e grupimit nëse atij do t’i bashkohehsin studentët, ata mbipolitikë dhe mbipartiakë, ata që treguan se kanë më shumë energji, por ata nuk do ta bëjnë këtë. I kuptoj. Kur kryetarja e parlamentit flet për Lëvizjen si organ për “një Serbi të përparuar, stabël, të paqes, demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe institucioneve”, atëherë kjo duket diçka si punë farisejsh.
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://www.politika.rs/sr/clanak/672562/pogledi/mobilizacija-u-vreme-krize