Miljenko Jergoviç[i]
Ka qënë e famshme pyetja të cilën, sikurse thonë, Josif Visarionoviç Stalini, ai udhëheqësi i tmerrshëm, panojak dhe vrastar i botës antifashiste, në konferencën e Teheranit, në fund të muajit nëntor 1943, i ka bërë kollosit antifashist të dytë në radhë, Uinston Çërçillit: “Sa divizione ka ai Papa?” Si edhe në shumicën e rasteve të këtilla, ky apokrif historik ndoshta nuk bazohet te faktet, por është fryt i fantazisë së ndokujt. Kurrë nuk kemi për ta marrë vesh se i cilit. Por meqënëse kjo frazë është përsëritur kaq herë, ndërkohë edhe mund të thuhet se është bërë e vërtetë. E vërteta e legjendave, miteve dhe anegdotave, e vërteta e rrëfimit të shenjtë, e vërteta e besimit, të gjitha këto zakonisht nuk janë në përputhje me të vërtetën historike, e cila mund të dalë nga ngjarje të vërteta, realitete të vërteta, domethënë nga e vërteta e asaj që realisht ka ndodhur. Por legjenda apokrife shumë shpesh është më e vërtetë se ajo që ka ndodhur në fakt.
“Sa divizione ka ai Papa?” është pyetja e cila, në rastin e Eugjenio Peçellit, të quajtur papa Piu XII, por edhe papa i Hitlerit, në vitin 1943 mund të shkaktonte edhe këtë pyetje: Në cilën anë luftojnë divizionet e tij? Ose asaj mund t’i jepej përgjigje në një mënyrë tjetër, ndoshta të vërtetë: Papa Piu XII nuk ka asnjë divizion! Por jo sepse shteti i tij që nga koha e kryqëzatave nuk grumbullon asnjë ushtri, por sepse Papa Piu XII në pontifikatin e tij, në kohën e keqe, humbi fuqinë e mbretërimit, e cila në rastin e pozicionit të tij rrjedh nga fortësia e qëndrimit moral dhe nga përfaqësimi i parimeve themelore, shumë të qarta dhe të kuptueshme nga të gjithë.
Tetëdhjetë vite me vonë, sikur Stalini, ose më mirë të themi bashkëvëllezërit aleatë të tij, disi më të rinj dhe më pak të talentuar në interpretimin e botës, domethënë të drejtat e njeriut dhe të jetës, mbreti portokallì Donald Trump dhe mbreti kremlinas dhe super-patoku Vladimir Putin, do të kishin shtruar pyetjen sa divizione ka ai papa dhe në cilën anë luftojnë divizionet e tij, përgjigja do të ishte ndryshe. Papa Françesku ka pas vetes një ushtri tejet të madhe, të çuditshme dhe shumëpopullore, e cila nuk është grumbulluar asnjëherë në tërë historinë e krishterimit. Për më pak se dymbëdhjetë vite të pontifikatit të tij e mblodhi dhe i bëri thirrje nga të gjitha anët. Në këtë ushtri ishin me miliona katolikë, veçanërisht nga ata të cilët paraprakisht ishin pak a shumë të çmobilizuar, ose ishin në kufirin e heqjes dorë nga besimi i tyre. Pas tyre qëndronin edhe miliona të krishterë të të gjithë denominimeve, e më pas edhe miliona të tjerë të cilët ende nuk e kishin zbuluar te vetja as hiret dhe as talentin e besimit fetar, por ishin ateistë, agnosticistë, njerëz me shpirt të shkretuar nga kapitalizmi, njerëz të vendosur që në këta shpirtërat e tyre të pranojnë një të mirë dhe një shpresë. Në ushtrinë e Papës Françesku dhe në divizionet e tij pastaj bënin pjesë edhe miliona pjestarë të besimeve të tjera fetare. Të mbledhur nga të gjitha anët, të udhëhequr nga drejtuesit e besimeve të tyre fetare, shpesh me eksperiencat e padrejtësive të mëparshme që u janë bërë nga ana e botës dominuese të krishterë, ata gjithashtu bënin pjesë në divizionet e papës Françesku. Ushtria e tij në këtë kohë ishte më e shumtë në numur se të gjithë ushtritë e botës marrë sëbashku. Dhe erdhi në skenë edhe përkundër politikës, por gjithsesi në përputhje me parimet e krishtera, të qarta dhe të kuptueshme nga të gjithë. Besimi i Papa Françeskut, i cila ishte edhe besimi i ushtrisë së Françeskut, ishte tejet i thjeshtë. Tmerrsisht i thjeshtë për të gjithë armiqtë e saj. Në të nuk kishte zhgënjime. Por kishte diçka tjetër, tejet të rëndësishme: Françesku ishte njeri me imagjinatë të fuqishme, ishte njeri i librit dhe i letërsisë, i cili dallonte qartë se çfarë në tekst është mbeturinë e kohës dhe cili është thelbi i tij. Gjithçka që në rrëfimet e besimit të tij fetar nuk vinte nga njeriu, ashtu siç është sot, nga dashuria e Zotit dhe e njeriut, dhe nga vëllazëria e pakundërshtueshme njerzore, gjithçka që në rrëfimet e shenjta i kishte ikur parimeve themeltare të krishterimit, sepse thjesht tregonin disa ngjarje nga një e kaluar e kahershme dhe mitike, për Papa Françeskun kishte pushuar së qëni e rëndësishme. Mundi të luftonte dhe të fitonte kundër atyre të cilët nga Bibla dinin të merrnin vetëm ashpërsinë, ekskluzivitetin, luftënxitjen, dëgjueshmërinë ushtarake, ose vetëm atë të zezën dhe të errtën nga Libri i madh që revolucionarizoi njerzimin. Sepse, revolucioni pa parime është terror. Papa Françesku u përmbahej parimeve. Ai, me sa duket, besonte në Zot dhe në faljen e tij. Besonte, ndoshta, në atë se hirin e Zotit e meriton ai që do të ketë dhembshuri ndaj njerëzve.
Atë buzëmbrëmje kur pati dalë në dritaren e botës tonë, Françesku tha: mirëmbrëma! Pra, i’u drejtua të gjithëve njëlloj. Dhe për pothuajse dymbëdhjetë vite më vonë ishte rojtar i këtij uniteti dhe barazie. Erdhi në vendin e njeriut i cili paraprakisht kishte qënë papë, por nuk vdiq para se të vinte ai. Paraardhësi i tij ishte njeri i institucioneve, procedurave dhe ceremonialeve. Dhe me këtë ishte shumë, shumë i afërt me armiqtë e Françeskut dhe kundërshtarët e tij të të gjithë llojeve. Kësisoj në disa pjesë të Kishës katolike kroate, veçanërisht në shtypin dhe botimet kishtare dhe pro-kishtare, hyri njëfarë mosdëgjimi dhe kryeneçësie specifike ballkanike. Në një të përjavshme të afërt me të, me parmbajtje nazi-fashiste, atë në të cilën Kolinda asokohe pati shpallur kandidaturën e saj presidenciale, në faqen e parë publikohej fotografia e Papës Françesku me shënimin: Antikrisht! Mediat kishtare kroate nuk u revoltuan kundër këtij akti. Nuk u revoltuan as peshkopët. E përjavshmja nazi-fashiste ishte dhe mbeti platforma e tyre e dashur dhe miqësore. Kështu ishte puna edhe me sëmundjen e Papës Françesku të cilën e ndoqën pothuajse pa interes. Nuk dëgjuam për meshat kroate për shërimin e Papës, ndërkohë që na kujtohen mirë sesi ishte puna kur u sëmur Papa Gjon Pali i Dytë. Në rastin e Papës Françesku mbajtën një qëndrim sikur, Zoti më faltë, ai të mos ishte papa i tyre, ose sikur u ishte imponuar. Nga kush u ishte imponuar? Ndoshta nga Zoti nëse duhet të besojmë në procedurat e shenjta.
Me vdekjen e Papës Françesku në përgjithësi u mbyll një epokë jo e zakontë. Çfare vjen pas saj, sëshpejti do t’a dimë. Nga ajo që do të vijë varet edhe fati i kësaj ushtrisë së madhe të Françeskut, i gjithë atyre divizioneve që janë shpërndarë nëpër pozicione në mbarë botën. Vetëm disa ditë ose javë pas Konklavës kjo ushtri mund të ndodh që të shpërndahet dhe të demobilizohet përgjithmonë. Ka mundësi, gjë që është më me rëndësi, të jetë edhe të demoralizohetpërgjithmonë. Dhe do të bien edhe pozicionet e saj në Ukrainë edhe në Palestinë, por edhe para krevatëve martesorë dhe jomartesorë të katolikëve dhe jokatolikëve në mbarë botën. Mund të bien edhe pozicionet e ushtrisë së Françeskut në llogoret rreth mbretërive dashurore njëseksëshe, rreth arabëve, zezakëve dhe të gjithë atyre që u janë shkelur të drejtat. Mund të bien pozicionet e ushtrisë së Françskut rreth të gjithë emigrantëve të kësaj bote, sikurse e përmendi me kaq këmbëngulje në meditimet e sivjetme të Pashkëve.
Nëse ndodh një gjë e tillë, do të zhduken të gjithë divizionet e papës, do të zhduket ushtria e tij e madhe, dhe, në njëfarë mënyre do të zhduket edhe njerzimi si koncept unik. Papa Frençesku, nuk e përmendëm këtë, e duhej patjetër t’a përmendnim, e mbante të mbledhur njerzimin. Ai i vetmi! Dhe pas tij ushtria prej disa miliarda njerëz, të shpërndarë nëpër divizionet e Papës. Nëse ndodh që pas Françeskut në fronin e Pjetrit – dhe jo karrike sikur thonë disa, sepse froni i Pjetrit nuk ka mbështetëse!- vjen ndonjëri nga taborri kundërshtar, e janë të gjitha kushtet që të vijë, sepse taborri i kundërt është gjithmonë dhe gjithandej më i madh në më i shumtë, pyetja e Stalinit në vitin 1943, do të jetë aktuale zymtësisht aktuale. Vërtetë, nëse ndodh kjo, jo vetëm që papa nuk do të ketë më divizionet e tij, por do të jetë përsëri shërbëtor i luftëbërësve të këqinj dhe të egër: mbretit portokallì dhe mbështetësit dhe subjektit të tij Super patok! Dhe një gjë e tillë, në njëfarë kuptimi, mund të përfaqësojë edhe fundin e asaj që në njëfarë ideje mund të përbëjë edhe fundin e këtij krishtërimi i cili me mijëra vite u përpoq të bazohet në themelet dhe parimet e tij, Fundi i krishterimit të Papa Françeskut. Kohë kur në çdo kryq mund të rriten ato grepat e tmerrshëm.
Ishte e lehtë t’a duaje Papa Françeskun. Nuk duhej shumë mençuri për këtë dashuri, as edhe shumë dije. Për të dashur Papa Françeskun nuk ishte e nevojshme të njihej asnjë lutje e krishterë. A do të thotë kjo se Françesku qeverisi me ndihmën e kultit të individit, sikurse shprehen armiqtë e tij fashistoidë, pra papë pa Zotin? Natyrisht nuk është kështu, sepse Zoti i krishterë nuk qëndron në fjalët e lutjes konvencinale dhe të mësuar përmendësh. Zoti është në zemrën edhe të atyre parimeve të kuptueshme lehtësisht, me të cilët do të ishte e lehtë të jetoje, nëse njeriu pranon të jetë i mirë.
[i] https://www.24sata.hr/news/miljenko-jergovic-sve-divizije-pape-franje-1046650
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA