EDITORIAL
“Bashkë pa kufij. Me një rajon pa kufi” ishte slogani nën të cilën u zhvillua mbledhja e radhes qeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Një mbledhje e përbashkët e cila u finalizua me firmosjen 14 marrëveshjeve.
2 projektet më të rëndësishme janë: krijimi de fakto i pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit si dhe nisja e studimit të fizibilitetit për projektin që lidh me hekurudhë Durrësin e Prishtinën.
“Dogana e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen portin e Durrësit de fakto të kosovës”, tha Rama. Ndërkohë Porti i Durrësit është i hapur për Kosovën, ashtu si për çdo vend tjetër të rajonit, do vijonte kryeministri Rama.
Çuditërisht kjo mbledhje ndërmjet dy qeverive u bë shkak i një lufte virtuale iniciuar nga ministri serb i mbrojtjes e cila degradoi në fyerje ndaj Kryeministrit Rama dhe që përfundoi me note proteste, të dy shtetet ndaj njëra-tjetres.
Në fakt ishte surprize ky reagim nga pala serbe vetem 1 muaj nga firmosja e marrëveshjes së Uashingtonit. Kujtojmë se Kosova dhe Serbia nënshkruan më 4 shtator marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë realizuar në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në disa nga pikat e marrëveshjes theksohet se:
- Të dy palët do të angazhohen për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port me dalje në detin në Adriatik.
- Të dy pjesët do të hapin dhe do të funksionalizojnë strukturën e Pikave të Përbashkët të Merdare.
- Të dy palët do të bashkohen me “zonën mini-Shengen”, të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019 dhe të përdorin plotësisht përfitimet e saj.
Të tre këto pika lidhin ngushtësisht bashkëpunimin ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë ndaj është i paqartë ky kompleksistet ndaj ”Shqipërisë së Madhe”. Po aq i paqartë është dhe heshtja e SHBA-së dhe BE-së përballë kësaj gjuhe konfliktuale nga pala serbe .
Por nëse deri diku është i kuptueshëm “halli “ serb, ajo që skuptojmë në gjithë këtë histori është se çfarë “halli “e ka zënë Mitropolitin e Dropullit, klerikun ortodoks që duket e ka lënë Biblën dhe po merret me gjeopolitike.
Mitropoliti i Dropullit, Pogonit dhe Konicës, Andrea Konitsis na habiti me reagimin e tij pas vendimit të qeverisë shqiptare për ti dhënë de facto Portin e Durrësit Kosovës.
Sipas klerikut orthodoks, Shqipëria po synon aneksimin e Kosovës ku jetojnë 90}% shqiptarë.
“Dhe kjo nuk është një strategji e re e fqinjit. Që nga viti 2008, kur kosovarët u pavarësuan nga Serbia, Shqipëria ka synuar aneksimin e Kosovës, pasi ëndrra për një “Shqipëri të Madhe” mbetet e gjallë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Mitropoliti i Dropullit Pogonit dhe Konicës, Andrea Konitsis.
Teksa flet edhe për presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe ndikimin turk në Shqipëri, po ashtu në fund të reagimit, mitropoliti flet për minoritetin grek në Jug të Shqipërisë duke përdorur termin “Vorio-Epir”.
“Sidoqoftë, nëse të drejtat e njerëzve të Epirit të Veriut nuk janë të garantuara plotësisht, nuk duhet të mendohet për ndonjë anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Çfarë ëndërre të keqe ka parë vallë ky prift që po na i bën lëmsh, Shqipëri, Kosovë, Serbi,Turqi, madje na kërcënon dhe me veton greke për intergrimin e Shqipërisë në Be(!)
Meqe Mitropoliti i Dropullit e ka në vemëndje politiken e jashtme të Shqipërisë, po i rikujtojmë se Shqipëria ka qenë konstante në marrëdhëniet me fqinjët sa i përket bashkëpunimit ekonomik.
Përshembull një vendim për ti siguruar Kosovës dalje në Detin Adriatik është marrë që në vitin 2009, duke i dhënë Kosovës portin e Shengjinit me koncencion, por që fatkeqësisht ky vendim nuk u zbatua kurrë.
Sikundër ishte dhe rasti i Maqedonisë së Veriut ku u fol dhe u premtua për hapsirë në portin e Durresit, i cili do të shfrytëzohet nga kompanitë maqedonase për shkëmbim tregtar. E megjithate ende nuk eshte konkluduar një premtim i tillë.
Sigurisht Shqipëria bujare do të ishte e gatshme ti jepte akses dhe Greqisë, por duke qenë se shteti grek laget nga dy Dete nga ujërat e Detit Jon dhe Detit Mesdhe, nuk besoj ta ketë zili edhe Detin Adriatik.
Ndërsa sa i përket termit “Vorio Epir”, shteti Shqiptar duhet t’ja rikujtoje hiresisë së tij së këtu quhet Shqipëri. Këto terma provokojnë dhe nxisin konflikt, që jo vetem nuk i shkon petkut të “shenjtë” që presupozohet të mbaje një prift por as misonit që duhet të ketë njeriu i Zotit.
“Imzot”, mos i ngatërro punët e Zotit me politikën, mos na fto në mëkat por hap dyert e Kishës dhe ftoje popullin të lutet për Paqe e Dashuri!/d.m
© Argumentum
***
Deklarata e plotë e Mitropolitit,
“Sipas deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, Shqipëria ka vendosur të ndryshojë kufirin e saj me Kosovën.
Në veçanti, ai theksoi se porti i Durrësit në detin Adriatik do të bëhet një “port de facto i Kosovës”, dhe madje njoftoi një marrëveshje përkatëse.
Deklarata kaloi pa u vërejtur nga media greke dhe askush nuk i kushtoi vëmendje.
Sidoqoftë, vendimi i Ramës ka një rëndësi të madhe. Sepse, sipas tij, Shqipëria po vazhdon me aneksimin e Kosovës, ku jetojnë 90% e shqiptarëve.
Dhe kjo nuk është një strategji e re e fqinjit. Që nga viti 2008, kur kosovarët u pavarësuan nga Serbia, Shqipëria ka synuar aneksimin e Kosovës, pasi ëndrra për një “Shqipëri të Madhe” mbetet e gjallë.
Sidoqoftë është karakteristike që ky vendim i Shqipërisë u mor në një kohë kur kriza greko-turke po zhvillohet e ku neo-sulltani Erdogan po sulmon në shumë fronte.
Prania turke është veçanërisht e fortë në çështjet publike, në sektorin ushtarak, madje edhe në fushën fetare me krijimin e një rrjeti xhamish.
Për më tepër, Erdogan po monitoron zhvillimet elektorale në Shqipëri, një fakt që duket se është me interes të veçantë për të, ndërsa Serbia e pafuqishme nuk është në gjendje të bllokojë këto zhvillime.
Ndërkohë, qeveria greke duket se dëshiron pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por opozita nuk tregon asnjë interes. Kështu, helenizmi i Vorio Epirit, siç qëndrojnë gjërat, mbetet, edhe një herë i vetëm dhe i pafuqishëm, përballë fanatizmit të Edi Ramës, i cili, së bashku me fanatizmin e Erdoganit, formojnë një zinxhir të fortë rreth nesh.
Sigurisht, ne nuk anashkalojmë as pandeminë e koronavirusit, situatën kritike në ekonomi dhe arsim, as përpjekjet e qeverisë për të kapërcyer këto kriza. Por, në të njëjtën kohë, është e nevojshme që shteti të shikojë edhe çështjet përtej detit në mënyrë që të mos kemi ndonjë zhvillim të pakëndshëm.
Sidoqoftë, nëse të drejtat e njerëzve të Epirit të Veriut nuk janë të garantuara plotësisht, nuk duhet të mendohet për ndonjë anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.