Ecuria e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit në kuadër të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) bëri bashkë zyrtarë të lartë shqiptarë dhe përfaqësues të delegacioneve ndërkombëtare në vend në konferencën e nivelit të lartë antikorrupsion ku ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë Gjonaj, kryeministri Rama, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadorë të tjerë të rëndësishëm në vendin tonë.
Në fokus të konferencës ishin gjetjet e raportit të GRECO-s të publikuar pak ditë më parë, institucioni pranë Bashkimit Evropian për Luftën ndaj Korrupsionit, i cili ka vlerësuar pozitivisht reformat e Shqipërisë e cila përmbushur shumicën e rekomandimeve dhe ato që nuk kanë përfunduar, janë plotësuar pjesërisht.
Në një lidhje online, drejtori Ekzekutiv të GRECO, Gianluca Esposito, tha se Shqipëria ka zbatuar nëntë nga dhjetë rekomandimet e paraqitura.
Esposito: Raportet e GRECO-s nuk janë përceptime. Janë raporte faktike dhe jo teorike. Parandalimi i korrupsionit para se të shfaqet është kyç, kur korrupsioni materializohet kemi humbur. 9 nga 10 rekomadimet e GRECO janë zbatuar plotësisht. Autoritetet shqiptare duhet të jenë krenare dhe të kenë meritën në këtë progres. Është bërë progres në luftën kundër korrupsionit në legjislativ dhe gjyqësor, në këtë të fundit duhet më shumë progres. Kjo nuk nënkupton se nuk do të ketë më korrupsion në Shqipëri. Jeni në bashkëpunim me BE për luftimin e krimit ekonomik, ngritjen e regjistrimit të pasurive përfituese. GRECO do të vazhdojë të monirojë Shqipërinë.
Ambasadori Luigi Soreca: “Kemi shpresa te SPAK dhe gjykatat.”
Ambasadori i BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca tha se vetingu është kyç në luftën kundër korrupsionit dhe për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Soreca vlerësoi ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe fillimin e punës të një pjese të tyre.
“Pavarësisht këtyre, korrupsioni vazhdon të mbetet i gjithëpërhapur dhe është shqetësim serioz për shtetet anëtare dhe për Bashkimin Europian. Prandaj kjo luftë kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të vazhdueshme, si dhe dënime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë, të cilat kanë qenë tejet të ulëta dhe fatkeqësisht kjo është diçka që ne e kemi thënë në të gjitha raportet tona.
Ai tha me shqetësim se dënimet e formës së prerë për zyrtarët e lartë kanë qenë të papërfillshme.
Por Soreca duke se shpresat i ka te institucionet e reja të drejtësisë, përkatësisht SPAK dhe Gjykatat e Posaçme.
“ Kemi para një sërë dënimesh për zyrtarë të nivelit të ulët dhe të mesëm. 60% e magjistratëve që i janë nënshtruar vettingut nuk e kanë kaluar.
Ka përparime të disa institucioneve të reja në drejtësi, prokurori i përgjithshëm, SPAK. Kemi drejtuesen e BKH. Roli i ILDKPKI është shumë i rëndësishëm për kontrollin e pasurisë. Pavarësisht kësaj korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe vazhdon të jetë shqetësim serioz për BE dhe shtetet anëtare. Duhen dënime të formës së prerë për zyrtarë të lartë që kanë qenë tepër të ulëta.
Qytetarët duhet të kuptojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Kemi shpresa te SPAK dhe gjykatat. Është premtuese që kanë nisur hetimet për 23 magjistratë të shkarkuar nga vettingu, pjesë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Hapa pozitivë janë ndërmarrë por lufta duhet të vazhdojë.
BE ka investuar më shumë se 20 mln euro për drejtësinë. BE është dakord me përfundimet e GRECO. Por lufta kundër korrupsionit është një luftë e gjithë shoqërisë dhe do të jemi fitimtarë nëse të gjithë përpiqemi së bashku.
Yuri Kim: Do ketë gjithnjë aktorë të këqinj por qeveristë duhet të krijojnë mënyra për ti gjetur e për t’i dënuar.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim mesazhin ia drejtoi qeverisë, për të cilën tha se duhet të gjejë mënyrat për të zbuluar dhe ndëshkuar zyrtarët e korruptuar.
“Shenjë pozitive që Shqipëria diskuton temën thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Një nga mënyrat për të treguar që qeveria shqiptare po punon në emër të qytetarëve dhe jo interesave të ngushta. Qytetarët meritojnë të kenë besim se fondet publike dhe paratë e tyre po përdoren për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme.
Ka pengesa që përfshijnë zyrtarë të korruptuar, gazetarë që ose janë bërë palë ose janë kërcënuar, zyrtarë të përdorur për të promovuar interesa partiake, zyrtarë publikë të interesuar në nxitjen e interesit vetjak”.
Sipas ambasadores amerikane, pandemia aktuale i ka bërë rreziqet dhe më të qarta dhe çdo sektor sipas saj është i mbushur me mundësi për korrupsion.
“Në kohë si këto, korrupsioni nënkupton jetë apo vdekje”, theksoi ambasadorja. Me rëndësi tha ambasadorja Kim, është që qeveritë të gjejnë mënyrat për të zbuluar dhe ndëshkuar zyrtarët e korruptuar.
“Të gjitha qeveritë vuajnë nga një farë jiveli korruspioni, edhe SHBA nuk janë të përjashtuara nga kjo por qeveritë mund të kufizojnë mundësitë për korrupsion e mund të dënojnë ata që përdorin postin publik për të pasuruar veten apo partitë e tyre.
Shqipëria duhet të nisë vlerësime të rregullta publike të performancës dhe etikës së prokurorëve e gjyqtarëve për administrim të drejtë e efektiv të drejtësisë
Do ketë gjithnjë aktorë të këqinj por qeveristë duhet të krijojnë mënyra për ti gjetur e për t’i dënuar.
Kur ta bëni këtë do keni fituar besimin e njerëzve duke treguar që qeveria është llogaridhënëse para tyre.
Kryeministri Rama: Vetingu është procesi që po bënë ‘kërdinë e duhur’ për ta liruar Shqipërinë nga korrupsioni.
Në fjalën e tij kryeministri Rama duke falënderuartë pranishmit për vendosjen e maskës teksa bëri thirrje që protokolli i sigurisë së vendosur që nga dita e enjte e në vijim duhet të merret seriozisht.
Edi Rama theksoi se ndryshimi që ka mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve të vogla sa i përket korrupsionit nuk lidhet me gjë tjetër veçse dallime sistemike.
Ai solli në vëmendje se vendet e zhvilluara kanë një sistem të cilat e bëjnë tejet të vështirë penetrimin e korrupsionit.
Rama e konsideroi luftën me korrupsionin një luftë për të ndërtuar sisteme imune dhe për t’i vendosur njerëzit apo organizatat në kushte pamundësie për të rënë pre e tundimit të korrupsionit.
Kryeministri shpjegoi se lufta me korrupsionin ka nisur pikërisht në momentin kur ka nisur dhe reforma në drejtësi duke e konsideruar këtë të fundit si thelbësore sa i përket krijimi të një shteti pa korrupsion.
“Shqipëria është ende në një proces rritje, është ende një shtet demokratik shumë i ri”,- tha Rama teksa theksoi se vetingu është procesi që po bënë ‘kërdinë e duhur’ për ta liruar Shqipërinë nga korrupsioni.
Kryeministri solli në vëmendje gjyqtarët, prokurorët dhe ata që punojnë në sistemin e drejtësisë janë të parët që do të goditen.
“Askush të mos ketë asnjë iluzion. Nuk do të ketë goditje të korrupsionit në nivelet e larta nëse nuk do të goditet korrupsioni brenda sistemeve të drejtësisë. Nëse gjykatës dhe prokuror të cilët janë kapur në flagrancë me pasuri marramendëse, nuk do të shkojnë prapa hekurave të mos kemi asnjë iluzion se kjo do të ndodhë me zyrtarë shumë të lartë”,- tha Rama.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj: Aleati ynë kryesor është qytetari, duam të fitojmë besimin e qytetarëve me vullnet ndaj luftës ndaj korrupsionit.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në fjalën e mbajtur në Konferencën e Lartë Antikorrupsion , deklaroi se po punohet në luftimin e fenomeneve negative në sistemin e drejtësisë.
Gjonaj theksoi se punohet sidomos në problematikat që kanë vërejtur organizatat ndërkombëtare, duke shtuar se aleati kryesor i ministrisë që ajo drejton është qytetari.
“Kemi parë të gjitha çështjet e perceptimit të korrupsionit nga ana e qytetarëve dhe e Amniisty International. Aleati ynë kryesor është qytetari. Ne duam të fitojmë besimin e qytetarëve me vullnet ndaj luftës ndaj korrupsionit.
Qytetarët marrin shërbime online të E-Albania, duke shmangur sportelet dhe veprimeve korruptive në këto sportele. Shoqëria civile na ka mbështetur me ekspertizë. Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët ndërkombëtarë”, u shpreh Gjonaj.
© Argumentum