Për GSH dhe ARGUMENTUM:
Nga Dr. Jorgji KOTE
Të tilla janë vërtet 50 vitet në marrëdhëniet me jashtë të Ambasadorit Dashnor Dervishi. Veç të tjerash, ka drejtuar 6 ambasada, sipas radhës, në Meksikë, Itali, Turqi, Izrael, Rumani dhe Greqi, Drejtor i Përgjithshëm në MPJ për Rajonin, Këshilltar i ish – Kryeministrit, etj.
Eshtë ambasadori që ka shërbyer në më shumë vende fqinje dhe të Rajonit tonë, në « fusha shpesh të minuara » e ku nuk e di se nga të vjen e keqja dhe goditja.
Për më tepër, ai shërbeu në momente kyçe dhe kthesash historike epokale në Shqipëri dhe në Europë, duke filluar nga Italia e deri te Greqia në vitet e stuhishme të falimentit më 2010 – 2016.
Ja pse promovimi i librit të tij « 50 Vjet marrëdhënie me jashtë » disa ditë më parë ishte ngjarje që tërhoqi vëmendje të gjerë publike dhe diplomatike.
Po shkruaj më shumë « si aperitiv » disa mbresa pas leximit të këtij libri, me avantazhin që më jep njohja nga afër me autorin e librit 53 vite më parë, kur ai sapo kishte nisur universitetin. Gjatë 15 viteve të mëpastajmë takoheshim në aktivitete me rininë dhe me të huaj; ndërsa pas viteve 80 e deri tani së fundi na bashkoi diplomacia profesioniste. Ndaj e them me bindje se vitet e para ishin një stazh i dobishëm për ambasadorin e ardhshëm; krahas aktivitetit rinor, fizika bërthamore që e përfundoi shkëlqyeshëm dhe instituti ku filloi punën ishte ndër kanalet e para dhe të pakta të marrëdhënieve me jashtë; e tillë ishte dhe Revista rinore « Shkenca dhe Jeta » të cilën ai e drejtoi në ato vite, me kontakte sado të kufizuara dhe informacione tërheqëse për atë kohë. Ashtu si marrëdhëniet dhe shoqërimi i studentëve të huaj palestinezë, kongolezë e vietnamezë që ishin në ato vite në Shqipëri, me pësimet dhe mësimet e para në këtë fushë.
Ishte kjo një hyrje e natyrshme në diplomaci me përmasa publike, qytetare dhe kulturore, të cilën Dashnori e zhvilloi brenda e jashtë vendit si specialist në Drejtorinë e Jashtme të KQ të PPSH-së për vendet e Amerikës Latine. Ai i referohet 11 viteve të punës aty me sinqeritet dhe guxim qytetar e diplomatik nëpërmjet fakteve, analizave dhe ngjarjeve sa interesante aq dhe intriguese. Dhe pse një temë disi tabu kjo dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme, për ne që e njohin këtë fushë, ajo ishte një përvojë e mirëfilltë diplomatike. Analizat tërësore të situatave politike, ekonomike dhe sociale e në veçanti roli i forcave të majta e majtiste në Amerikën Latine janë burim i gjallë dhe i domosdoshëm për studiuesit, historianët dhe kronikat e kohës.
Mandatin e parë si ambasador e filloi në fund të vitit 1986 kur u emërua ambasador në Meksikë, nga ku mbulonte dhe 6 vende të tjera. Ndonëse e shkurtër, veprimtaria në atë vend të largët paraqitet me shumë ngjarje, informacione dhe aktivitete të gjera, pa lenë mënjanë dhe aspektin njerëzor. Takimi në Acapulco-n e famshme me Ajetin, bashkëatdhetar i suksesshëm por më shumë i përmalluar nga Kosova, miqësia me avokatin e njohur Munoz e sidomos me Zv.Ministrin e Parë të Jashtëm, Rosenzweig Diaz që kishte lidhur jetën me një shqiptare nga Berati janë tejet mbresëlënëse. Vitet në Meksikë e ndihmuan që të vendoste lidhjet e para diplomatike, të cilat do t’i hynin shumë në punë në karrierën e tij. Duke filluar nga Roma, ku i pari që i uroi mirëseardhjen zyrtare më 1988 ishte kolegu dhe miku i tij në Meksikë, tanimë Shefi i Protokollit, ambasadori italian Franco Ferreti.
Me shumë të drejtë, më shumë se gjysma e librit i kushtohet drejtimit të Ambasadës sonë në Romë ( 1988 – 1992) Ishin vërtet vetëm 4 vite, por jo në një vend do si kudo. Italia është ndër shtatë shtetet më të zhvilluara të botës, bashkëthemeluese e BE-së dhe NATO-s, qendër e qytetërimit europian, fqinji ynë tradicional, në të mirë e në të keq, porta kryesore kryesore hyrëse në Europë; prej andej shume vende të mëdha dhe vetë BE-ja mbulonin vendin tonë deri vonë. Pastaj, atëhere për ne nuk kishte Bruksel, BE e NATO, as KiE, OSBE, FMN e Bankë Botërore. Në Romë është dhe Vatikani me të cilin lidhjet mbaheshin dhe u vendosën marrëdhëniet po nëpërmjet Romës. Shkurt, vërtet të gjitha rrugët të çonin në Romë !.
Mbi të gjitha, ndryshimi i sistemit politik në vendin tonë u përplas vrullshëm si asnjëherë tjetër me të gjitha kërkesat, sfidat dhe problemet e tij pikërisht në Ambasadën tonë në Romë, si vendi më i afërt në të gjitha aspektet. Aty filluan të « faleshin » dhe partitë, liderët e tyre, media, OJQ-të e deri te feja e sapodalë nga shtypja. E sërish, këto nuk do të ishin aq shumë pa krizën me familjen Popa që u zgjidh në Maj 1990 dhe fill pas saj vërshimet masive të mijra bashkëatdhetarëve me anije dhe gomone drejt brigjeve italiane në vitin 1990 dhe 1991. Ca më tepër, kur vetë Italia po lëngonte nga krizat dhe instabiliteti qeveritar dhe një tranzicion i njohur dhe i ashpër i sistemit politik. Konkretisht, Ambasadorit Dervishi iu desh të bashkëpunonte me 4 qeveri në Romë dhe po aq në Tiranë, me filozofi krejt të ndryshme politike. Kush ka punuar si diplomat e di mirë se sa « kantjere » të shumta e të mëdha pune hapin këto ndryshime, sidomos kur jaanë « sizmike »
Dhe prapë tablloja nuk është e plotë pa përmendur se në Romë u zhvilluan në vitin 1990 negociatat për zgjidhjen e çështjes së arit dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Londrën, e cila kishte aty Ambasadën e saj që mbulonte Shqipërinë. Në Romë u piketua dhe vendosja e marrëdhënieve me Izraelin, ku Ambasadori Dervishi do të shkonte ta hapte vetë ambasadën më 1998. Libri i tregon më shumë vërtetësi rrënqethëse të gjitha këto momente me galeri të tëra portretesh nga të gjitha fushat.
Në këto rrethana unikale, lind natyrshëm pyetja se si u përballua një ngarkesë të tillë e paparë ndonjëherë ? Libri e shpjegon me hollësi se Ambasada jonë në Romë lançoi një diplomaci totale në të gjashtë dimensionet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Krejt natyrshëm, fillimisht iu dha përparësi Aksesit diplomatik, në mënyrë që kur të trokitej te çdo portë në Romë dhe gjithandej, ato të hapeshin menjëherë, sa herë që ishe në hall dhe kur puna nuk priste. Sepse ky akses është « oksigjen » për diplomatin e vërtetë. Jo atëhere, por dhe sot, pavarësisht nga dixhitalizimi dhe rrjetet sociale, në diplomaci parësore mbeten kontaktet, njohja dhe miqësitë personale me referencat përkatëse.
Në libër ka plot kujtime dhe ilustrime mbresëlënëse, si njohja dhe miqësia me personalitetin e shquar politik dhe parlamentar, Flaminio Piccoli, i cili kishte qenë ushtar në Skrapar para Luftës së II Botërore dhe kishte mbresa tejet pozitive.
Ky akses u realizua nga niveli i ekspertëve te nivelet më të larta diplomatike deri te Ministri i Jashtëm, De Michelis Kryeministri emblematik Andreoti dhe Presidenti Cossiga. Veç të tjerash, kjo mundësoi organizimin e jo një, por disa takimeve të shpejta jashtë çdo protokolli në fillimin e viteve 90, si me ish deputetin Azem Hajdari dhe me liderë të tjerë partiakë.
Megjithë rëndësinë e saj, për më tepër në lëmshin e madh institucional të krijuar në Romë dhe zhvillimet e vrullshme demokratike në Tiranë u kuptua qartë se vetëm lidhjet me diplomacinë do të ishin të pamjaftueshme, pa përparim dhe në pesë dimensionet e tjera. Duke filluar nga Diplomacia Parlamentare nëpërmjet marrëdhënieve institucionale dhe miqësore me shumë deputetë e senatorë me peshë. Autori përshkruan me shumë emocion miqësinë dhe bashkëpunimin me Zv.Presidentin e Senatit, Emilio Paolo Taviani, dashamirës me rrënjë i vendit tonë, për të cilin Ambasadori « hëngri dhe dackë » sepse i shkoi në studio, dhe pse i shoqëruar. Për rrjedhojë, Ambasada realizoi dhe përballoi kontakte të panumurta nga nivelet më të ulta deri te presidentët e parlamenteve tona në nivel kombëtar por dhe rajonal; Diplomacinë Ekonomike, duke venë në lëvizje krahas institucioneve shtetërore dhe kompanitë më me emër dhe personalitete elitarë të biznesit deri te Agnelli e të tjerë, me shumë nisma e marrëveshje të nënshkruara, pa përmendur programin e madh të ndihmave humanitare në vitin 1991 e më tej.
Me përparësi u zhvillua dhe Diplomacia Kulturore, nëpërmjet shumë aktiviteteve tingëlluese letrare e artistike në Tiranë, Romë dhe gjetkë. Ndonëse në libër dhe në televizionin italian ta asaj kohe tregohet modest, del qartë se me nismën e Ambasadorit u organizua mes disa vështirësive vizita e Albano/Romina Power në Tiranë dhe Koncerti i tyre madhështor në Shtator 1989 ; ndërsa në Nëntor shkoi në Tiranë superstari Bud Spencer. Po aq të rëndësishme ishin nxitja për vizita në Romë të personaliteteve më të shquara të artit dhe letërsisë sonë. Nuk mbeti pas Diplomacia Publike nëpërmjet vendosjes dhe shtimit të kontakteve mes të rinjve, studentëve, OJQ-ve, shoqërisë civile dhe veteranëve të Luftës të dy vendeve tona ; kjo e fundit falë dhe ndihmesës së mikut të shquar të vendit tonë Arturo Foschi. Tejet prekëse është lidhja miqësore me Zonjën e Madhe Italiane Maria Pia Fanfani, luftëtare kundër fashizmit, Presidente e Kryqit të Kuq, bashkëshorte e ish-kryeministrit të njohur Amintore Fanfani dhe dashamirëse e vendit tonë. Në vijim, nëpërmjet lidhjeve të vazhdueshme me drejtuesit dhe protagonistët të tij, Komuniteti Saint Edigio u bë pikëmbështetje e madhe ; ai ndihmoi në vendosjen e kontaktit me Nënë Tereza dhe realizimin e vizitës së saj historike në Tiranë, e piketuar në Ambasadën tonë në Romë.
Nga ana e vet, Diplomacia Qytetare, kryesisht nëpërmjePest shërbimit tonë konsullor në Romë u erdhi në ndihmë si vend qëndrimi dhe tranziti qindra bashkëatdhetarëve për t’u kthyer në Atdhe bashkë me kujdesin e madh për komunitetin shqiptar pas rënies së « Perdes së Hekurt ».
Libri me « labirinthet » e tij tërheqëse pohon dhe thekson shumë vlera dhe mësime për figurën e diplomatit të sotëm; jo si zyrtar i mbyllur në zyrë, korrier dhe zbatues i verbër i udhëzimeve; që më tepër preokupohet si të « jetë brenda » dhe ta mbajë mirë me partinë dhe me shefat, pa e ngritur zërin për hir të karrierës. Si kolegët e tjerë, edhe Dashnori ka qenë i ekspozuar dhe ndaj kërkesave dhe urdhërave nga qendra që si diplomatë, pavarësisht nga dëshira dhe bindja personale duhet t’i zbatojnë. Gjithsesi, kur e do puna, ai ka bërë objeksionet e rastit, duke marrë përsipër rreziqe dhe përgjegjësi, për të mos ua lënë të tjerëve fajin e përgjegjësinë ; veçse gjithmonë me takt diplomatik, « me pambuk », sipas parimit që « mishi të piqet dhe helli të mos digjet »
Dashi, siç e njohim qysh në rini shquhet për modesti, përulësi, mençuri, urtësi, pragmatizëm dhe komunikim me kulturë. Diplomat tipik që bashkëbiseduesit nuk i thotë kurrë Jo; por dhe kur është i detyruar ta bëjë këtë jë, e thotë Jo-në « me ngadalë » e butë, madje duke ofruar diçka si kompensim apo qetësim.
Në libër del qartë se 22 vitet e para të jetës së tij diplomatike që tregohen aty ishin dhe mbetën të lira nga çdo konflikt interesi, zenkat, mëritë dhe dukuri të tjera të njohura negative ; stafet ku ka shërbyer kanë qenë në harmoni të plotë. Ndonëse në libër paraqitet disi kalimthi, pse të mos e themi se në përgjithësi në kohezionin në ambasadë dhe mbarëvajtjen e punëve, ka meritën e vet dhe Zonja Elvira, bashkëshortja e Ambasadorit, dr.shkencash dhe intelektuale në kuptimin e plotë të fjalës. Si gjithë « koleget « e saj, dhe Elvira ka shoqëruar bashkëshortin në veprimtaritë e nivelit të lartë dhe në raste të tjera. Veçse ndryshe nga homologet e tyre të huaja që kanë staf ndihmës në shtëpi deri te dhe kuzhinierë, zonjat e Ambasadorëve tanë mbasi kthehen në shtëpi, duhet të përveshin llërët si amvisa, të kujdesen për fëmijtë e vegjël dhe të bëjnë gjithçka tjetër si « prapavijë » për tua lehtësuar ngarkesën bashkëshortëve të tyre. Pa lënë pas dore dhe projektet e ndryshme në profesionet e tyre.
Së fundi, të gjitha këto ngjarje dhe dukuri në libër tregohen natyrshëm, rrjedhshëm, me një stil tërheqës që të le pa frymë dhe nuk do që të mbarojë. Gjithsesi gëzohesh kur mëson se libri do të vazhdojë « udhëtimin » e tij diplomatik në Turqi, Izrael, Tiranë, Bukuresht, Greqi, e pse jo dhe më tej. Ai përbën dhe një referencë tejet të besueshme për diplomacinë, për median, ekspertët, studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe për historianët, falë shembujve dhe dukurive të shumta mbi etapat më të rëndësishme të historisë sonë dhe ndërkombëtare gjatë pesë dekadave të fundit. Për më tepër, të gjitha këto kronika historike të diplomacisë sonë në këtë libër shoqërohen me shumë foto, dokumente dhe shënime origjinale.
Në fakt, deri tani, te ne i është mëshuar njohjes me përvojën e diplomatëve të huaj. Dakord, por ndërkohë, shembulli i Ambasadorit Dervishi dhe kolegëve të tjerë të njohur na tregon se tanimë kemi dhe ne elitat tona ambasadoriale. Madje, le ta themi troç, përvoja e tyre është më relevante për ne; sepse, veç të tjerash, ata kanë punuar në kushte dhe rrethana ta pakrahasueshme me homologët e tyre lidhur me pagat, mini-personelin, infrastrukturën logjistike, ndërhyrjet nga politika, etj. Në këtë kuptim, meriton përgëzime tradita domethënëse që krijoi « Hysenbelliu Group » me caktimin e Ambasador Dervishit si Kryetar i Bordit të Universitetit prestigjioz « Luarasi » Urojmë që kjo praktikë të vazhdojë më tej, sepse ambasadorë të tillë si Dashnor Dervishi i kemi vërtet « si ujët e pakët ».
© Argumentum