Realpolitik “ flash” Nr. 22
2 – 16 DHJETOR 2020
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, vetëm me 1.000 fjalë mbi 4 Kryengjarje!
Rikujtojmë se Dr. Jorgji KOTE në 23 vitet e fundit, ka shërbyer si Shef Sektori në MPJ, zv.Ambasador pranë BE-së Bruksel, në Berlin dhe në Belgjikë. Eshtë Antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, autor i 6 librave dhe publicist i njohur.
1. Negociatat “në ajër”
Pas vetos bullgare, megjithë demarshet e minutës së fundit, çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk u shënua as në axhendën e Samitit të BE-së më 10 – 11 Dhjetor. Dhe nuk dihet se KUR më 2021. Nga një anë shyqyr që ndodhi kështu; ndryshe do ishim turpëruar keq, sepse, siç e pati paralajmëruar Kancelarja Merkel, ne nuk kemi plotësuar as kushtet minimale. Mirëpo, Presidenca portugeze e BE- së nuk do të ketë as kohën e as “ këllqet” për këtë sfidë e për t’i kthyer mendjen Borisovit, i cili në Mars do të ketë zgjedhjet e reja parlamentare.
Dhe më pak premton Shqipëria. Ajo nuk ka kundër apo skeptike vetëm Holandën. Vetëm plotësimi i kushteve mund ta zbusë dhe ndryshojë situatën deri në Mars në Samitin tjetër. Por prapë, tejet e vështirë të çelen negociatat, kur vendi do të jetë nën ethet e zgjedhjeve të 25 Prillit, që tashmë dalin si kushti kryesor. Ca më tepër, askush nuk “ ve dot dorën në zjarr” për ecurinë e zgjedhjeve.
Shpresohet që në Mars të miratohen Kornizat negociuese, ndërsa çelja e negociatave në Qershor/Korrik 2021; ndonëse shumë më tepër gjasa ka në vjeshtë, kur të jetë certifikuar 25 Prilli, të jetë krijuar qeveria e re dhe të jetë rikthyer besueshmëria e duhur te BE-ja. Plus, në shtator do të jenë zgjedhjet e reja në Gjermani. Ndaj, të mos habitemi që negociatat mund të shtyhen dhe nga fundi i vitit 2021, për të mos thënë dhe më 2022. Gjithsesi, ajo çka kemi në dorë është ta bëjmë sa më mirë punën tonë nga brenda që të bindim ata jashtë.
2. Revolucion buxhetor: Pas shumë peripecish të pafund, natën e 11 Dhjetorit, Samiti i BE-së miratoi Buxhetin e ri 2021 – 2027 prej 1,5 trillion Euro dhe Paketen gjigande të Shpëtimit Ekonomik prej 750 miliard Euro, më e madhja në historinë e saj. Siç kemi shkruar dhe më parë, Paketa e Rimëkëmbjes ishte revolucion i vërtetë në BE; për herë të parë ajo do të marrë hua në tregjet ndërkombëtare me përgjegjësinë e saj, duke ua dhënë dhe si ndihma pa interes dhe kthim vendeve antare më të prekura nga COVID – 19. Gjatë verës pati shumë konsultime, debate dhe lëshime, derisa të katër vendet veriore “ kursimtare” dhanë pëlqimin për këtë paradigmë të re.
Më vonë, Polonia dhe Hungaria e bllokuan deri në momentet e fundit këtë Buxhet, si revoltë ndaj masave shtrënguese ndaj tyre për deficitet lidhur me shtetin e të drejtës. Kjo ishte sfida më e madhe për vetë mbijetesën e BE-së, të Presidencës gjermane dhe trashëgiminë politike të Merkel, e cila e drejtoi për herë të fundit BE-në. Kjo e fundit tregoi se është e aftë të kapërcejë krizat, sado të mëdha qofshin e të dalë më e fortë, duke nxjerrë mësime nga pësimet.
3. Mësime nga Rumania: Në zgjedhjet e 6 Dhjetorit PSD-ja i çuditi të gjithë, duke dalë e para me 30 për qind. Surprizë e madhe sepse vitin e kaluar ajo ra nga pushteti pas një mocionit besimi dhe në Tetor humbi keqazi në zgjedhjet vendore. Merita e tyre ishte se e mbajtën pranë elektoratin e tyre besnik, sidomos në fshat. Gjithashtu, PSD përfitoi nga pjesëmarrja më e ulët historike me 32 për qind në zgjedhje. Partitë e qendrës së djathtë të koalicionit qeveritar në pushtet prej mbi një vit siguruan sipas radhës: NPL-ja 25, URS Plus 15 dhe Pakicat hungareze 6,1 për qind të votave.
Për herë të parë u fut në Parlament me 9 për qind partia e ekstremit të djathtë. Partitë e koalicionit qeveritar humbën kryesisht për shkak të keqmenaxhimit të COVID – 19, grindjeve të brendshme dhe nënvleftësimit të PSD-së, duke e shpallur atë “ të vdekur”. Ndonëse PSD nuk krijon dot qeveri se nuk ka aleatë, ajo premton për t’u rikthyer në vitin 2024 në të gjitha nivelet e pushtetit dhe bllokimin e ndryshimeve kushtetuese.
Pësimet rumune janë mësime për PS tonë, që të shmangë aferat dhe skandalet e ngjashme të homologes rumune. Ca më tepër që ndryshe nga rumunët që ishin një vit në opozitë dhe gjatë 15 viteve të fundit kanë ndryshuar tetë liderë dhe kryeministra, PS-ja ka gati tetë vjet në qeverisje me vetëm një lider /Kryeministër. Shumë mësime mund të nxjerrin dhe PD, LSI etj; ndonëse kanë tetë vjet në opozitë, shumë më tepër se ata rumunë, por me besueshmëri shumë më të ulët për shkak të dështimeve dhe zhgënjimeve të qeverisjes së tyre të mëparshme. Po aq dhe për aventurën politike të djegjes së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore, duke e vështirësuar riardhjen e tyre në pushtet. E parakohshme është dhe siguria e tyre për fitore më 25 Prill me përbetimet përkatëse. A thua do venë mend nga disfata më 2017 dhe ajo e vitit të kaluar?
4. Gjunjëzimi monumental! Ndodhi më 7 Dhjetor 1970 në Varshavë, kur Kancelari emblematik gjerman Willy Brandt, në përfundim të homazheve protokollare në Përmendoren kushtuar viktimave të holokaustit bëri xhiron e botës, duke u ulur në gjunjë për një minutë përpara kujtimit të viktimave të nazizmit. Me këtë akt momumental ai kërkoi ndjesë publike në emër të gjithë Gjermanisë për tragjedinë makabër të shkaktuar nga rregjimi nazist.
Ishte një akt që tejkaloi të gjitha nismat, projektet dhe fondet e mëdha të dëmshpërblimit që Gjermania ka alokuar deri vonë ndaj familjeve të viktimave të Holokasustit. Brandt i bëri dhe monumentin vehtes; aty anash vendit ku bëri gjunjëzimin momumetal të pendesës është dhe përmendorja në kujtim të Çfarë kontrasti me liderët serbë të cilët ende nuk kanë guxuar dhe pse e përmendin sa herë modelin franko- jerman të pajtimit të kërkojnë të paktën ndjesë për politikat e genocidit serb! Edhe pse Vuçiç ka qenë Ministër Informacioni i Milloshevicit, kurse Brandt në vitet e nazizmit ishte emigrant në Norvegji dhe i përndjekur politik!!
© Argumentum