Nga Ardit Gjinali
Sërish një raport….i shkruar me fuqinë e germave që tejkalon të njëjtën të fjalëve….germa që formojnë një numër asfare të vogël fjalish, të tillat që jo thjesht konstatojnë…., por dëshmojnë, tregojnë, gishtojnë mbi shkaktarët fillestarë të pasojave aktuale që po përjeton qytetari, shteti dhe Republika. E zeza mbi të bardhën e raporteve të shkruara qartas është zëri ulëritës i së vërtetës makabër që po përjetohet në kurrizin e një populli durim-shumë dhe me halle më të mëdha se vetë durimi virtuoz; durimi i një populli të sunduar në secilin segment qeverisjeje, i tilli që konsiderohet si një subjekt i projeksioneve elektorale të aparaturave teknologjike, në të njëjtat që gatitet realiteti 3-D i servirur nga makineria e propagandës.
Raportet ndërkombëtare radhisin zezonën e të vërtetave që e kanë dërguar vendin në hullitë e rrezikshme të mungesës së thelluar të perspektivës që po rrezikon kohezionin shoqëror dhe paqen sociale, gjithashtu; – të njëjtët po rrëzojnë ngrehinën kombëtare të propagandës keqqeverisëse që po e kthen Shqipërinë në një ngrehinë të pajetueshme për qytetarët; Shqipëria po shndërrohet në një pako festive të mbuluar me një fjongo mavi, e tilla si një dhuratë për klientelën e ngushtë që përkëdhelet nga dora e dukshme e shtet-pushtetit; nga ana tjetër, dhurata e pakursyer për qytetarët dhe rininë mbetet helmi i gazit lotsjellës, i tilli që shoqërohet me helmin e pamundësive të së përditshmes për shkak të vullnetit njerëzor dhe politik të munguar nga ushtruesit e keqqeverisjes.
Raporti i fundit nga Transparency International nuk është thjeshtë një i tillë i shtuar statistikor në vazhdën e raporteve të publikuara gjatë sagës keqqeverisëse që ka kapluar vendin; ngrehina e propagandës rreket mjeshtërisht të largojë dhe të mveshë vëmendjen e opinionit publik përmes sajimit të ngjarjeve të aty-këtushme për të harruar një tjetër raport që quhet nga të njëjtët si i radhës; quhet i tillë sepse nuk ekziston asnjë qasje e ndryshuar për të reflektuar pozitivisht në funksion të përmirësimit të qeverisjes dhe jetës së qytetarit si rrjedhojë pozitive e aplikimit të së parës, gjithashtu. JO! Nëse ky vullnet do të ekzistonte në ndonjë kënd të harruar të ndërgjegjes apo vetëdijes politike, situata aktuale nuk do të ishte e tillë dhe raportet nuk do të theksonin regresivitetin e tmerrshëm të shoqëruar me kapje të shtetit dhe degradim të qeverisjes.
Raportet e publikuara përgjatë këtij viti nga secili prej organizmave të pavarur dhe të certifikuar ndërkombëtare si Transparency International, Eurostat ose FMN; matjet e vazhdueshme të opinionit nga Gallup International apo organizma të tjerë mbeten një kronikë e saktë e servirur paanshmërisht që dëshmon një Shqipëri të sunduar nga një rend qeverisës që ka si qëllim kryesor humbjen e shpresës dhe mpirjen e reagimit qytetar duke inkurajuar largimin nga vendi ose qëndrimin në atdhe të qytetarit me kushtin që duhet të paguajë haraçin e heshtjes, i tilli në fjalë të pashprehura apo dëgjim dhe shikim të munguar, gjithashtu.
Jehona e raporteve nuk mund të shuhet; gjithçka e shkruar është përjetimi i qytetarëve në kohë të ndryshme mbi fenomene negative; të tilla të renditura njëpasnjëshëm për të formuar mozaikun e errësirës autokratike qeverisëse që po shkatërron demokracinë për të sunduar Shqipërinë. Koha për një shpresë të re për të sjellë ndryshimin përmes një bashkimi të madh është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë.
© Argumentum