Nga Ardit Gjinali
Angazhimi njerëzor për një ndryshim thelbësor që do të shpëtonte Shqipërinë nga kthetrat e jo-normalitetit mbetet një mision i rëndësishëm shoqëror dhe patriotik; një shpëtim kombëtar që do të shërbente për një rrugëtim të ri në udhën e besimit dhe shpresës…..e tilla për të shpëtuar qytetarin dhe shoqërinë dhe për të fituar sërish Shqipërinë….. e tilla me të tashme të rrëmbyer përdhunshëm dhe të vërtitur diku në honet dhe skutat e normalitetit të vjedhur për të mos u gjetur…..një e tashme e rrëmbyer nga arbitrariteti pushtet-ushtrues dhe e fshehur nga djallëzia pushtet-mbajtëse. Anormaliteti është ngulur këmbë-kryq duke dërguar vendin në një udhëkryq të rrezikshëm; një anormalitet i imponuar nën ngjyrat e gënjeshtërta të natyrshmërisë shoqërore që vizatojnë shqiptarin jo-normal, të tillin që meriton diktatin dhe pranon thundrrën e të gjithë-pushtetshmit.
Jetojmë në realitetin e zymtë të ditëve autokratike, të tillat ditë që nuk zbardhen dot nga errësira që përcjell keqqeverisja; jetojmë në aktualitetin aspak normal ku çekani i arbitraritetit që nëpërkëmb secilën normë dhe shkel secilin ligj qëndron mbi kryet e secilit shqiptar të ndershëm e të zakonshëm, i tilli që përballon me dinjitet secilën pamundësi të shkaktuar nga ansambli i mëkatarëve pushtet-ushtrues; qytetari që ndjen imponimin e përdhunshëm të sagës së anormalitetit që kërkon përshtatjen dhe tjetërsimin e të tillit në një frymor; një frymor me zë të harruar dhe me kurajo të rrëmbyer që nuk përdor dot dorën e tij për të thënë “ndal” dhe “mjaft”, por i përdor të tillat për të duartrokitur normalitetin e munguar.
Realiteti i sotëm politik dhe shoqëror është fytyra asfare meritore e Shqipërisë, e tilla që nuk meriton përjetimin e një kalvari ku takohen paaftësia, papërgjegjshmëria e qëllimtë, njeriu i munguar dhe shtetari i tjetërsuar ; një takim dramatik në kufijtë e tragjikes për fatin e një shoqërie me të tashmen e uzurpuar nga vrangonjtë e arrogancës pushtetore. Arroganca pushtetore mund të përballohet përmes një energjie të përbashkët ndryshimi të faktorëve të ndryshëm shoqërorë që kërkojnë një Shqipëri tjetër…….Shqipëria e njerëzve që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend , në një shtet të së drejtës ku mundësia përbën thelbin e lirisë individuale, në një vend me ekonomi të qëndrueshme ,demokraci funksionale dhe me shpirt të reagimit shoqëror ndaj arbitraritetit dhe trajtimit të pabarabartë ; -në vendin ku mosharresa e së shkuarës së errët është antitrupi më i mire për të ndaluar përsëritjen e së njëjtës dhe për vijimin pozitiv të ndryshimit të së tashmes dhe ndërtimit të së ardhmes, gjthashtu.
E sotmja është kushtrimi për një bashkim të madh për të rikthyer të tashmen e rrëmbyer ; është apeli për të mundur shkurajimin, pezmin, trishtimin që shkakton veprimi i shtet-pushtetit; është thirrja për të vazhduar së bashku në emër të secilës sakrificë së ndërrmarrë gjatë këtyre viteve të vështira. E sotmja është ftesa për të hedhur tutje shumëçka nga ndasitë që janë të vogla në raport me aktin e madh të goditjes së udhëkryqit të imponuar nga autokracia qeverisëse që tenton të polarizojë skajshmërisht vendin, si i tilli element thelbësor që do të jetësonte sundimin keqqeverisës. E sotmja është energjia njerëzore për të garantuar një ndryshim të qënësishëm që do të kthente besimin për një fillim të Ri të një Shqipërie normale me ditë më të mira dhe një shpresë të re. Koha për një bashkim të madh për të shpëtuar të tashmen dhe për të vendosur themelet e një të ardhmeje normale të së nesërmes është tani! Një bashkim i madh është besimi për ndryshim dhe shpresë! Bashkë sepse ka ende shpresë….